Nga Megi Ndregjoni
A do të bëhet Vitore Tusha kurban për të shpëtuar reformën në drejtësi? Vitore Tusha

Është bërë e njohur se Gjykata Kushtetuese ka mbetur vetëm me dy anëtarë. Shtatë vende janë bosh si pasojë e mbarimit të mandatit, dorëheqjes apo rrëzimit nga vetingu të mbajtësve të këtyre vendeve.

Dy anëtarët e mbetur janë Kryetari i Gjykatës Kushtetuese (GJK) Bashkim Dedja dhe anëtarja Vitore Tusha. Ndërsa Vitore Tusha është konfirmuar përfundimisht brenda sistemit të drejtësisë, Dedja është konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por ky vendim është kundërshtuar nga Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dhe apeluar nga Komisioneri Publik dhe pret të shqyrtohet në Kolegjin e Apelimit.

Në të vërtetë, edhe anëtarja tjetër Vitore Tusha është vetëm përkohësisht në detyrë si anëtare e GJK pasi Zonjës Tusha i ka mbaruar mandati në 10 Mars 2017 dhe Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për mbarimin e mandatit të saj.

Sipas dispozitave kalimtare të Kushtetutës dhe Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, anëtari i GJK, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017 duhet të zëvendësohet nga një gjyqtar i zgjedhur nga Gjykata e Lartë. (nentë anëtarët e GJK zgjidhen nga Gjykata e Lartë – tre anëtarë; nga Presidenti-tre anëtarë; dhe nga Kuvendi – tre anëtarë).

Në zbatim të Kushtetutës, Gjykata e Lartë ka njoftuar për vendin bosh në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të kishte emëruar anëtarin që do të zërë vendin e Vitore Tushës, por kjo gjë nuk ka ndodhur ende.

Në janar të 2017 Gjykata e Lartë ka nxjerrë njoftim në faqen zyrtare të saj për mbarimin e mandatit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha dhe hapjen e procedurës së aplikimit të kandidatëve. Sipas këtij njoftimi, afati maksimal për pranimin e aplikimeve ishte 30 ditë nga publikimi i njoftimit. Kjo do të thtoë se Gjykata e Lartë do të duhet të kishte hartuar një listë të kandidatëve brenda muajit shkurt 2017. Pas kësaj, nga kjo listë do të zgjidhej anëtari i GJK me shumicën e votave të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Nuk dihet se pse, por pothuajse dy vjet pas shpalljes së filimit të procedurës, Gjykata e Lartë nuk ka shpallur ende asnjë listë me kandidatë për anëtarë të GJK dhe nuk ka bërë asnjë njoftim se çfarë ka ndodhur me procedurën e zgjedhjes së anëtarit të GJK-së.

Fatkeqësisht, pas zhvillimeve të dy viteve të fundit brenda Gjykatës së Lartë, tashmë zgjedhja prej saj e anëtarit të GJK është bërë teorikisht e pamundur. Sipas Ligjit për Organizim dhe Funksionim të Gjykatës Kushtetuese (nenit 7/ç), Mbledhja e Gjyqtarëve është e vlefshme nëse marrin pjesë tre të katërtat e anëtarëve të saj, pra, kur janë të paktën të pranishëm 14 nga 19 anëtarët e Gjykatës Së Lartë.

Por Gjykata e Lartë ka mbetur me vetëm katër nga 19 anëtarët e saj—10 anëtarëve ju ka mbaruar mandati apo dhanë dorëheqjen ndërsa pesë u pushuan nga procesi i vetingut. Katër anëtarët e tanishëm janë Medi Bici dhe Ardian Dvorani, të cilët jnë konfirmuar përfundimisht nga procesi i vetingut, dhe Xhezair Zaganjori dhe Edmond Islamaj, të cilët janë konfirmuar në shkallën e parë por vendimet e tyre janë apeluar nga Komisioneri Publik dhe do të shqyrtohen nga Kolegji i Apelit.

Kjo do të thorë se Gjykata e lartë nuk bën dot kuorumin për Mbledhjen e Gjyqtarëve, dhe si rezultat ajo nuk mund të zgjedhë dot anëtarin e Gjykatës Kushtetuese që duhet të zëvendësojë Vitore Tushën.

Ndërkohë, duke qenë se mandati i saj ka mbaruar që prej pothuajse dy vjetësh dhe nuk ka më të drejtë rikandidimi, Vitore Tusha ka pranuar të kandidohet nga presidenti për pozicionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky propozim pritet të votohet në Kuvend në ditët e ardhshme.

Ajo që është ironike është fakti se Kryeministri Edi Rama është shprehur se Vitore Tusha është kandidate shumë e mirë dhe me integritet, për më tepër një gjyqtare që ka kaluar me sukses vetingun, por lirimi nga ana e saj i vendit në Gjykatën Kushtetuese mund të vështirësojë më tej ecurinë e formimit të organeve të sistetmit të drejtësisë. Problemi me të cilin ndeshet reforma është se krijimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), i cili është kyç për krijimin e KLP-së dhe KLGJ-së, kërkon të paktën dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Nëse Dedja ose Tusha do të lironin vendet e tyre, KED nuk do të mund të formohej dot as teorikisht.

Do të ishte një vendim skandaloz, nëse për të mbuluar dështimin dhe paaftësinë e tyre në hartimin e reformës në drejtësi, shumica socialiste të vendoste të sakrifikonte Vitore Tushën—është absurde që ajo të bëhet viktimë e këtij dështimi që e ka lënë Gjykatën Kushtetuese vetëm me dy nga shtatë anëtarë dhe Gjykatën e Lartë me vetëm katër nga 19 anëtarë, brenda dy vjetësh.