Bashkia Tiranë: mbron dhunuesen e fëmijës, sulmon denoncuesit

Nga Rezearta Çaushaj
Bashkia Tiranë: mbron dhunuesen e fëmijës, sulmon denoncuesit

Pas botimit të artikullit të Exit.al, Rrahur, djegur, shpërfillur—historia e abuzimit të një fëmijë në kopështet e Tiranës, për historinë e dhunimit të një fëmijë katër vjeçar në kopshtet publike të administruara nga Bashkia Tiranë, kjo e fundit po përdor mediat e veta për t’i dhënë denoncimit ngjyrime politike.

Në mediat qeveritare ka qarkulluar, sot, një letër e etiketuar “e hapur”, e shkruar me shkrim dore nga nëna e fëmijës viktimë. Letra, në fakt, nuk është e hapur dhe nuk është shkruar për t’u publikuar në media, por si deklaratë për drejtoreshën e Kopështit Nr. 20, me gjasa që kjo e fundit të shfajësohej para eprorëve të saj në Bashkinë e Tiranës për aksidentin me djegie të fëmijës.

Por, Bashkia Tiranë e ka përdorur letrën për të shpërqendruar vëmendjen dhe shmangur përgjegjësinë duke aluduar se ky denoncimi publik i rastit është  nxitur nga motive politike.

Për ironi, përmbajtja e letrës nuk thotë asgjë që nuk ishte thënë më parë në artikullin e Exit.al. Sikurse nëna e fëmijës, edhe artikulli ynë nuk ka fajësuar personelin e Kopështit Nr. 20 për djegien e fëmijës, sepse ne besojmë pa asnjë paragjykim se gjithçka ka qenë aksident i paqëllimshëm. Për më tepër, autoret e shkrimit kanë parë nga afër shqetësimin e thellë njerëzor të personelit të Kopështit Nr. 20 për aksidentin dhe nuk kanë as dyshimin më të vogël për përkushtimin e këtij personeli ndaj fëmijëve.

Për rastin e djegies, artikulli ynë fajësonte vetëm Bashkinë Tirana, e cila nuk ka siguruar as personelin minimal në kopështe për të mbikqyrur në mënyrë efikase dhe garantuar sigurinë e fëmijëve. Ne e fajësojmë dhe e mbajmë përgjegjëse Bashkinë Tiranë për aksidentin, sepse bashkia harxhon miliona euro për spektakle dhe fasada, duke zgjedhur të mos investojë në kapacitete të mjaftueshme njerëzore për të garantuar shëndetin dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.

Exit.al e ka dokumentuar mbipopullimin e kopshteve, jo vetëm përmes të dhënave që ka siguruar për numrin e fëmijëvë ne kopështe, por edhe përmes Qendrës Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve të Bashkisë Tiranë, drejtuesit e së cilës pohojnë se raporti edukator/fëmijë është 1 edukator për rreth 19-22 fëmijë, në të gjitha grupmoshat.

Në pjesën tjetër të letrës, nëna, pa asnjë dyshim e shqetësuar për mirëqenien e fëmijës së saj në Kopështin Nr. 20, ka dashur të shfajësojë jo vetëm Kopështin, por edhe Bashkinë Tiranë duke “u justifikuar” se nuk ka qenë qëllimi i saj për ta bërë aksidentin publik, duke ja veshur këtë gjë opozitës që e ka politizuar problemin pa dijeninë e saj. Për të mbështetur këtë pretendim, nëna e djalit sjell si “provë” faktin se dy deputetë demokratë, Albana Vokshi dhe Agron Shehaj, e postuan artikullin e Exit.al në faqen e tyre në Facebook, duke e shoqëruar me komente vetjake që tregonin revoltë. Më tej, nëna shprehet në letër se familja e babait të fëmijës, me të cilin ajo është e divorcuar prej vitesh, ka lidhje politike me PD-në ndaj e ka përdorur politikisht historinë e fëmijës.

Është gjendje fatkeqe ku nuk duhet të gjendet asnjë nënë, asnjë fëmijë, që nga frika e hakmarrjes të solidarizohen me dhunuesin dhe të denoncojnë ata që ngrenë zërin për t’i mbrojtur. (Është e qartë se nëna e fëmijës është e pavetëdijshme se dhuna ndaj fëmijëve është vepër penale—krim që duhet denoncuar nga çdo qytetar dhe i cili hetohet dhe ndiqet penalisht nga shteti, pavarësisht pëlqimit apo jo të kujtdo individi, qofshin edhe prindërit e fëmijës—sikurse ajo është e pavetëdijshme se vetëm një hetim mund të përcaktojë natyrën subjektive të aksidentit që i ka ndodhur fëmijës së saj dhe jo ajo vetë me letra mbështetëse.)

Sidoqoftë, vëmendja dhe akuza kryesore e artikullit tonë nuk ishte aksidenti me djegie në Kopështin Nr. 20, por dhuna e ushtruar ndaj të njejtit fëmijë nga Drejtoresha e Kopështit Nr. 1 në Tiranë Nashi Shehapi. Për këtë dhunë, vetë nëna e fëmijës e ka paditur Shehapin në prokurori, pas denoncimit në polici dhe pas përfundimeve të qarta të dhunimit nga mjekësia ligjore.

Por, prokuroria nuk ka zhvilluar ende asnjë hetim, me gjasa, për shkak të lidhjeve politike të Shehapit, e cila është kryetarja socialiste për zonën e Kodrës së Priftit në Tiranë.

Tani, kjo po që është përdorim politik: për një grusht vota, Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj vazhdon të mbajë në punë një person, e cila, me gjasa, ka dhunuar, jo vetëm një herë, fëmijë të mitur dhe pasataj ai përdor median për të larguar vëmendjen nga skandali. Njësoj, sikurse për një grusht para, dy vjet më parë, lejoi shfrytëzimin si skllav deri në vdekje të një fëmije dhe pastaj përdori prokurorinë për t’i shpëtuar çdo përgjegjësie.

Nëse mund të kishte ndonjë dyshim për autorin e vërtetë të përmbajtjes dhe përdorimit publik të letrës, një shprehje e përdorur në letër i davarit këto dyshime: sipas modës së fundit të socialistëve të inkriminuar dhe korruptuar, letra kërcënon çdo portal që përdor historinë e djalit se do të paditet!

Ndërsa, mediat në shërbim të qeverisë—të cilat fatkeqësisht botuan jo vetëm një letër private, por edhe emrin e plotë dhe foton e fëmijës, në thyerje të çdo standardi gazetaresk dhe etik—duhet të kuptojnë se kjo nuk është çështje politike, por kriminale: është historia e një drejtoreshë që dhunon fizikisht dhe psikologjikisht fëmijët për të cilët duhet të mbrojë dhe përkujdeset.

Politika e vetme në këtë mes është ajo që për një grusht vota ka zgjedhur të bëhet palë me dhunuesen dhe jo me fëmijën e dhunuar, duke e mbajtur në punë dhunuesen e duke nxitur mediat e veta të sulmojnë të gjithë ata që ngrenë zërin në mbrojtje të jetës së fëmijës.

Exit.al do të vazhdojë ta mbajë në qendër të vëmendjes fëmijën e dhunuar dhe do të këmbëngulë deri sa personat përgjegjës për dhunimin e tij të mbajnë përgjegjësi.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme