Deklaratat e Ramës për bashkim me Kosovën shkaktojnë debat në Parlamentin Europian

Deklarata e djeshme e Kryeministrit Rama se Shqipëria e Kosova mund të bashkohen nëse Bashkimi Europian vazhdon të shtyjë pa afat anëtarësimin e këtyrë vendeve në BE, ka ngjallur debat në Parlamentin Europian.

Një prej eurodeputetëve qipriotë Takis Hadjigeorgiou i kërkoi sot kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla shpjegime për pretendimin e Ramës së “Shqipëria dhe Kosova mund të bashkohen në vitin 2025” dhe se “Serbia po mban një qëndrimin me dy fytyra” kundrejt Kosovës.

Deputeti Balla, në përgjigjen e tij nuk përmendi një bashkim të mundshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, por tha se beson se viti 2025 duhet të jetë viti i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.  Balla shtoi dhe se shqiptarët janë qytetarët më pro europian.

Lidhur me pretendimin e Ramës së Serbia po mban një qëndrimin me dy fytyra” kundrejt Kosovës, deputeti Balla sqaroi:

“Është qëndrim me dy fytyra që nga njëra anë bëhen bisedime, nga ana tjetër Serbia lobon kundër anëtarësimit në organizata ndërkombëtare siç ndodhi me Interpol. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol i bën mirë luftës së përbashkët kundër krimit.”