Dorëheqja e dyshimtë e Fatmir Xhafajt

Dorëheqja e dyshimtë e Fatmir Xhafajt

Edhe pse ishte në shënjestër të akuzave gjatë gjithë 17-muajve të qendrimit në detyrë, dorëheqja e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj më 27 tetor, një ditë të shtune herët në mëngjes, ishte e beftë dhe e papritur për shumëkënd.

Zoti Xhafaj u emërua në këtë detyrë në mars 2017 për të zëvendësuar Saimir Tahirin—i cili u largua nga Kryeminsitri Rama pas trysnisë së opozitës dhe qeverive të huaja dhe vetëm pasi ngriti një çadër përpara godinës së Kryeministrisë për të protestuar kundër trafikut të drogës dhe lidhjeve të Tahirit me të.

Emërimi i Xhafajt, edhe pse i brohoritur nga disa ambasadorë të huaj në Tiranë, të cilët e vlerësuan për punën e tij si drejtues i komisionit që hartoi reformën në drejtësi, u kundërshtua ashpër nga opozita kryesisht për shkak të së shkuarës së tij si hetues në regjimin enverist dhe si drejtues i alrt i rinisë komuniste të kohës.

Xhafaj u betua për një ndryshim rrënjësor gjendjes së rendit në vend, madje pati kurajën të pranonte që në fillim se policia kishte dështuar në kontrollin e kultivimit dhe trafikimit të drogës dhe se elementë të saj kishin bashkëpunuar me krimin. Me një seri aktesh propagandistike si mbledhje poppoze me drejtues të policisë, disa ndryshime të menjëhershme të kupolës së policisë, vizita në vende të BE-së të prekura nga krimi dhe emigracioni shqiptar u duk se vërtet policia do të ndryshonte rrënjësisht dhe koha e Tahirit do të ishte vetëm në të shkuarën.

Kjo ide u përforcua kur Xhafaj shpalli vetingun e policisë për të larguar nga radhët e saj të gjithë ata që ishin të lidhur me krimin. Qeverive të huaja të prekura nga krimi dhe emigracioni shqiptar u ofroi akses të plotë dhe bashkëpunim në dukje maksimal, nga vendsoja e policëve dhe hetuesve të tyre në institucionet shqiptare, tek dërgimi i policëve tanë në këto vende. Kjo lloj gadishmërie dhe bindjeje në dukje i shtoi edhe më shumë zërat pro tij nga disa ambasadorëve të huaj në Tiranë, të cilët përmes përdorimit të gazetarëve vendas sponsorizuan krijimin e opinionit se Xhafaj kishte “mbështetjen e ndërkombëtarëve”. Kjo fushatë pro Xhafajt u fuqizua me fillimin e mandaitt të dytë Rama, kur Xhafaj u riemërua Ministër pas tre muaj muaj shkëputje si rezultat i krijimit të qeverisë teknike maj-gusht 2017.

Por përtej propagandës dhe zhurmës mediatike, Xhafaj nuk solli asnjë rezultat konkret. Që në fillim të punës së tij ai dështoi me kontrollin e situatës së krimit në Elbasan, e cila doli jashtë kontrollit pas dhunës së ushtruar ndaj një patrulle policie nga një prej bandave të Elbasanit. Xhafaj fillimisht e fshehu incidentin, por pastaj mbasi dolën pamjet filmike pretendoi se mori masa të ashpra duke pezulluar drejtuesit e policisë lokale. Vetëm se pas disa muajsh i ktheu ata në detyrë, ndërkohë që hetimi kundër bandës që goditi policinë vazhdojnë të zvarriten.

Gjatë kësaj periudhe Xhafaj premtoi shpesh herë se do godiste bandat së shpejti, por kjo gjë nuk ndodhi ansjëherë edhe pse një seri vrasjesh mafioze përfshiu vendin ndërsa trafiku i drogës vazhdonte i pandalur, veçanërisht në gjysmën e parë të këtij viti.

Në maj 2018, Partia Demokratike bëri publike dosjen e dënimit të vëllait të ministrit Xhafaj i dënuar më në Itali për trafik kokaine, dhe pak ditë më vonë një regjistrim audio ku tregohej se vëllai i Ministrit, Geron (Agron) Xhafaj, vazhdon aktivitetin nga Vlora. Ky ishte sulmi më i rëndë ndaj Fatmir Xhafajt, i cili gjithsesi refuzoi të jepte dorëheqjen për t’i lënë rrugë hetimit të plotë të të vëllait.

Ministri, gjatë një konference për shtyp, njoftoi se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen dhe vendimin e tij për të mos u dorëhequr e justifikoi me pohimin se ai nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se nuk ka asnjë përgjegjësi morale dhe ligjore për veprimet e të vëllait.

Ministri Xhafaj nuk përmendi apo la të nënkuptohej se do të jepte dorëheqjen, as kur çështja e vëllait të tij përfshiu dhe kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Ballën, apo kur Prokuroria, në një rast të paprecendet, lëshoi urdhër arresti për gazetarin Olldashi dhe mbylli hetimet për Agron Geron Xhafajn.

Gjatë verës, numri i vrasjeve mafioze në vend, veçanërisht në Shkodër, u rrit ndjeshëm duke vënë në rrezik rendin e sigurinë e qytetarëve. Njësoj si në Elbasan, ministri Xhafaj kritikoi policinë e qarkut, paralajmëroi shkarkime të bujshme dhe i shpalli sërish luftë ‘bandave mafioze’.

Në fillim të tetorit, Ministri Xhafaj zhvilloi disa takime me homologët gjermanë, në të cilat premtoi zhvillime të rëndësishme. Por kur policia sapo mbylli operacionin për arrestimin e bandës së Shijakut, dhe Ministri Xhafaj tani që mund të kishte pak kohë për të marrë frymë nga akuzat, ai dha dorëheqjen.

Kjo dorëheqje nga vetë Fatmir Xhafaj dhe nga qeveria po portretizohet si një akt të marrë me vullnetit e plotë të Xhafajt dhe të paramenduar. Duke folur me shpejtësi për median, ministri vetë nuk dha asnjë arsye specifike për këtë vendim, por tha se është “i bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale.”

Më poshtë Exit.al, ka paraqitur një kronologji të aktivitetit dhe deklaratave të ish-ministrit Xhafaj gjatë muajit të fundit, ku për hir të së vërtetës, nuk ka asnjë shenjë, qoftë dhe të vagullt se ministri kishte ndërmend të tërhiqej nga detyra, ç’ka rrit më shumë dyshimet se dorëheqja e Xhafajt është ndikuar nga ndonjë zhvillim, ndoshta i paditur deri më tani, i orëve të fundit të 26-27 tetorit.

Kronologjia e veprimeve dhe deklaratave të Xhafajt dhe zhvillime të tjera të 25-27 tetorit:

3 tetor 2018 — Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale të Gjermanisë Stephan Mayer vizitoi Tiranën dhe takoi Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Tema kryesore e bisedimeve ishte shkëmbimi i informacioneve për të luftuar bandat e krimit të organizuar që vepronin në Shqipëri dhe Gjermani.

8-11 Tetor 2018 — Zëvendës Presidenti i Zyrës Federale të Krimit (BKA), Peter Henzler dhe drejtuesit të lartë të policisë kriminale të Gjermanisë zhvilluan një vizitë pune në Shqipëri. Ata takua Ministrin Xhafaj dhe drejtuesit më të lartë të policisë dhe prokurorisë shqiptare dhe nënshkruan fillimin e një projekti bashkëpunimi për hetimet e përbashkëta të titulluar ORCA.

17 tetor 2018 —Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjermane, Dieter Romann vizitoi Tiranën dhe takoi Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Romann dhe Xhafaj njoftuan se mes dy vendeve do të ketë bashkëpunim të ngushtë dhe shkëmbim informacionesh për të luftuar krimin e organizuar. Gjatë së njejtës konference për shtyp, Ministri Xhafaj njoftoi se në ditët në vazhdim, policia e shtetit do të bënte arrestime të rëndësishme, ndaj i kërkoi gazetarëve të qëndronin pranë stafit të ministrisë dhe zëdhënësit të Policisë së Shtetit:

“Do t’ju jap një këshillë që gjatë këtyre ditëve dhe javëve, rrini afër me Ardi Bitën dhe me Genti Mullain se do të kemi lajme interesante. Se kur bashkëpunohet ka dhe gjëra të mira.”

Dy ditë më pas, më 19 tetor, me zbulimin e një laboratori për përpunimin e kokainës dhe heroinës në Has, nisi një operacion i policisë që çoi në arrestimin e një prej bandave më të forta të 20 viteve të fundit, bandën e Shijakut, drejtuar nga vëllezërit Avdyli. Mes të tjerëve si pjëse e këtij operacioni u arrestuan dhe dy ish-deputetët socialistë Arben Çuko e Arben Ndoka dhe vëllai i Ndokës, Gjevi Ndokën.

Më 23 tetor, Ministri Xhafaj e quajti këtë operacion policie “të jashtëzakonshëm”:

“Forca e Ligjit” në veprim, parandalim dhe ndëshkim të veprimtarisë kriminale. Operacioni policor “Ndëshkimi i ‘të fortëve” në kontrollin e territorit rezultate të jashtëzakonshme. Në rreth 30 ditë, mbi 300 persona të arrestuar!”

Po ashtu Xhafaj njoftoi se policia do të vazhdojë t’i nxijë jetën “të fortëve” dhe bandave.

Më 25 tetor, në emisionin “Të Paekspozuarit” u publikuan përgjime nga prokuroria të bisedave mes kreut të bandës së shijakut dhe kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, ku flitej për sigurimin e votave gjatë zgjedhjeve lokale qershor 2017.

Mbrëmjen e 26 tetorit, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri njoftoi se do të zhvillonte të nesërmen, më 27 shtator, në orën 10:30, një konferencë për shtyp.

Po atë mbrëmje, analisti Lorenc Vangjeli, në emisionin Java në RTSH, deklaroi se ka biseduar me Tahirin dhe ish-ministri i kishte thënë që në konferencë do të thotë “të vërteta drithëruese, për miqtë dhe armiqtë.”

Mëngjesin e 27 tetorit 2018, në orën 08:25, Kryeministri Rama njofton se ka pranuar dorëheqjen e Fatmir Xhafajt nga Ministria e Brendshme dhe propozoi si pasardhës të tij Gjeneralin Sandër Lleshi, këshilltar i kryeministrit për mbrojtjen që prej vitit 2013.

Postimi në Tëitter i Ramës:

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë energji të re pozitive në krye të punëve të brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse.”

Pas pak orësh që lajmi për largimin e Xhafajt ishte bërë publik, ky i fundit reagoi me anë të një status në facebook dhe tëitter, ku tha se “me vullnetin tim, pardje i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm […]” duke lënë të kuptohet se dorëheqja është paraqitur më datë 25 tetor.

Po ashtu Xhafaj mohoi të jetë ndikuar dikush për të dhënë dorëheqjen:

“I siguroj të gjithë se dorëheqja ime është tërësisht me vullnetin tim të lirë dhe e bazuar në principe dhe vlera njerëzore e institucionale. Ajo është tërësisht respekt për veten, e për këto standarde të shenjta për mua.”

Vetëm dy minuta më vonë, njoftimi i Ministrisë u ndryshua dhe fjalë “pardje” u fshi.

Ndërkohë ish-ministri Tahiri e anulloi konferencën për shtyp pa dhënë shpjegime për arsyet.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme