Nga Redaksia
Dy fytyrat e Erion Veliajt

Erion Veliaj është mjeshtër i maskave, me dy fytyra të kuruara me kujdes që mund t’i ndërrojë në çast, me aftësinë e perfeksionuar të një sociopati, në varësi të audiencës së tij. Para ndjekësëve të tij në median sociale dhe komunitetin e të huajve të Tiranës, ai shfaqet si një djalë “garip”, progresist, i cili është “i ngjashëm me ta” dhe që dëshiron atë që është më e mira për qytetin.

Ai mbjell pemë, përqafon bebe, fotografohet me veshje sportive në maratona, inaguron korsi biçikletash, dhe thotë se e gjitha kjo bëhet për mjedisin, por kur diplomatët, punonjësit e agjencive të huaja, mësuesit e huaj dhe të huajt e tjerë nuk shikojnë, ai shfaq fytyrën tjetër, atë të errtën dhe më të tmerrshmen.

Një shembull i qartë i kësaj manovre po del qartë këto ditë. Banorët e zonës së Astirit në Tiranë po protestojnë kundër vendimit të bashkisë që prish banesat e tyre për t’i hapur rrugën ndërtimit të një rrugë të re. Zemërimi dhe protesta e tyre është përshkallëzuar, në mënyrë të kuptueshme, nga fakti se Bashkia Tiranë nuk u ka ofruar atyre garanci ligjore për kompensim të drejtë atyre që po humbin shtëpitë, bizneset dhe jetesën në komunitetin e tyre. Në një qytet i cili vuan nga nivele të skajshme të varfërisë, papunësi të lartë dhe çmime përherë në rritje të qirave, shumë prej këtyre familjeve do ta gjejnë veten, shpejt, pa strehë, dhe pa asnjë mënyrë për të përballuar jetesën — por Erioni është i painteresuar për këtë gjë.

Natyrisht, që këta qytetarë protestuan, bllokuan rrugët dhe shkuan para Bashkisë për të kërkuar përgjigje dhe që klithmat e tyre të dëshpërimit të mund të dëgjoheshin. Ata, madje, u përpoqën të hynin brenda në godinën e bashkisë për të takuar njeriun që ka në dorë të ardhmen e shtëpive dhe jetës së tyre, por si përgjigje morën vetëm dhunë nga policia.

Po cili ishte reagimi i Kryetarit të Bashkisë Erion Veliajt?

Në një fjalim të para dy ditëve Veliaj iu drejtua qytetarëve:

“Kur dikush i sulet bashkisë së qytetit të vet, kujt po i sulet? […] Qartazi, [këta janë] njerëz që nuk e ndjejnë që përkasin në këtë qytet. Se dikush që nuk ka rrënjë në këtë qytet dhe nuk e sheh të ardhmen në këtë qytet i sulet barbarisht… kujt? Punonjësve që punojnë me rroga modeste për të rritur fëmijët e tyre!”

Më pas ai shtoi:

“S’i t’ia shpjegoja ish-guvernatorit të Salzburgut? Kishte ardhur e gjithë Europa të shikonte zhvillimet në Tiranë… që çfarë? Që një pjesë e jona ka parti politike shpellarë që shqyejnë godina, që dhunojnë njerëzit që punojnë për këtë qytet? Si t’i them dikujt që vjen nga Lioni? Si t’i them dikujt që vjen nga Barcelona? Që ne kemi akoma specie primitive që përfaqësojnë parti politike sot e që dhunojnë njerëzit që punojnë për këtë qytet?”

Ai më pas vazhdoi t’i quante ata që protestonin kundër projekteve të tij “shpellarë” – ​​pra, njerëz të mësuar të jetojnë në shpella. Sa për kontekst, kjo është shprehja përçmuese që përdorej në fillim të viteve 1990 në Tiranë për njerëzit që vinin nga rrethet, kryesisht nga veriu i vendit.

Veliaj aludoi më pas se ata janë njerëz që nuk paguajnë taksat dhe se duan të qëndrojnë në epokën e gurit—domethënë, njerëz që po i rezistojnë përpjekjeve të Veliajt për t’i civilizuar. Ai i quajti ata që bien dakord me planet e bashkisë  “të civilizuar” dhe “evropianë”, ndërsa ata që e kundërshtojnë janë ata që “nuk duan të bëhen njerëz”.

A janë këto fjalët e një kryetari human? A janë këto fjalët e dikujt që pretendon të mbrojë të drejtat e njeriut, barazinë dhe përparimin shoqëror? Nuk duket kështu. Dhe nëse keni ndonjë dyshim se çfarë mendon Veliaj për të varfërit, pakicat minoritare dhe shtresat më të ulëta shoqërore, ai bëri edhe këtë koment:

“Sot edhe romët jetojnë më mirë, janë bërë njerëz.”

Pra, që ta kuptojmë qartë, nën udhëheqjen e Veliajt, edhe romët, për të cilët ai mendon se nuk janë njerëz, pra edhe romët po evoluojnë dhe po bëhen njerëz!

E vërteta është se Erion Veliaj po e shkatërron Tiranën: nga shkatërrimi që e pret një prej pjesëve më të bukura dhe historike të Tiranës (Teatrin Kombëtar), deri tek çrrënjosa nga prona e mbi 300 familjeve për t’i hapur rrugë ndërtimit të një rrugë ku përfitojnë klientët e zakonshëm të qeverisë. A ka ndonjë gjë që është e shenjtë në këtë vend? Të drejtat e njeriut po shkelen nga të gjitha anët, Kushtetuta shpërfillet, ligjet po ashtu, pronat grabiten dhe shkatërrohen, trashëgimia e historia po varrosen, dhe më keq nga të gjitha dinjiteti njerëzor është vrarë dhe qytetarët e Tiranës janë duke u dehumanizuar nga përballja me sharje, fyerje dhe diskriminim rracor.

Erion Veliaj shprehet se prishja e shtëpive dhe bizneseve është e drejtë, sepse ata banorë nuk kanë paguar taksa, apo se janë aty në mënyrë të paligjshme, por kjo nuk është e vërtetë. E vërteta është se Veliaj dhe Bashkia Tiranë po veprojnë në mënyrë të paligjshme.

Bashkia Tiranë nuk ka bërë publike asnjë informacion për projektin, dhe  nuk ka kryer asnjë dëgjesë apo konsultim publik, siç e parashikon ligji. Bashkia nuk ka kryer asnjë vlerësim të ndikimit në mjedis apo ndikime të tjera, as përllogaritje të të gjitha kostove të projektit, siç kërkohet me ligj. Ajo nuk ka ofruar kompensim të drejtë për shtetasit e shpronësuar, as nuk i ka njoftuar ata në afatet e duhura dhe nuk u ka dhënë atyre mundësinë për të kundërshtuar vendimin në rrugë gjyqësore. Me transparencë zero dhe me tenderim praktikisht pa konkurencë ky projekt kundërmon erë korrupsioni, i projektuar për të mbushur xhepat e klientëve të Bashkisë.

Zoti Veliaj dëshiron që ne të besojmë se ai ka interesat tona në zemër. Ai dëshiron të besojmë se ai është duke bërë më të mirën për qytetin dhe dëshiron të besojmë se ai është i njëjti si në kohën e protestave të Mjaftit në fillim të viteve 2000. Por nuk është kështu. Erion Veliaj ka evoluar në një figurë autoritare që persekuton pa mëshirë shitësit e rrugës, pakicat, mbledhësit e mbeturinave dhe njerëzit e varfër të Tiranës. Nëse nuk e ndiqni nga pas dhe nuk jeni dakord me projektet e tij, që janë projektuar për të mbushur xhepat e tij, atëherë jeni shpellar i ‘epokës së gurit’, në qoftë se jeni dakord me të, atëherë jeni evropianë të civilizuar.

Deklaratat e tij në shqip, kur ai e di se veshët e të huajve, BE-së dhe diplomatëve nuk po dëgjojnë, na tregojnë Erionin e vërtetë. Ai nuk dëshiron që njerëzit të protestojnë (e cila është e drejta e tyre), ai nuk dëshiron që njerëzit të refuzojnë të largohen nga shtëpitë e tyre (që është e drejta e tyre), ai nuk dëshiron që njerëzit të kërkojnë që politikat publike të bëhen në mënyrë transparente dhe sipas ligjit (që është e drejta e tyre) dhe ai nuk dëshiron të jetë përgjegjës apo të mbajë përgjegjësi për vendimet që merr, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën e banorëve të Tiranës.

Për më tepër, ai beson se të varfërit dhe pakicat nuk kanë vlerë, nuk janë shqiptarë të vërtetë dhe nuk meritojnë të kenë një zë në atë që supozohet të jetë një demokraci:

“Kur ndodhi ndonjëherë [në historinë e vendit tonë] që një pakicë e zhurmshme dhe e paligjshme e imponon [vullnetin e saj] në shumicën morale, të drejtë dhe të ndershme?

Ky film përfundon me fitoren e njerëzve të mirë, të drejtë që s’kanë zaptuar, që paguajnë taksat, që duan rendin, që respektojnë uniformën, që dinë të thonë faleminderit, që nuk shqyejnë se nuk vijnë nga shpellat, por respektojnë qytetin.”

Ne duam t’i themi Kryebashkiakut Veliaj se nuk ka asgjë morale, të drejtë apo të ndershme në këtë që ai po bën,  dhe sot, si asnjëherë tjetër, ai është një kryebashkiak që përçmon Tiranën, qytetarët e saj dhe përdhos dinjitetin e të qënit shqiptar.