Nga Etleva Shehu
Kapitullimi i qeverisë shqiptare përballë propagandës greke

Faktet e ngjarjes në Bularat

Më 28 tetor 2018, Kostandinos Kacifa, shtetas shqiptar, pjesëtar i pakicës greke në Shqipëri, me banim në Bularat të Gjirokastrës, qëlloi me armë në ajër dhe më pas në drejtim të makinës së policisë në fshatin Bularat, në ditën kur po zhvillohej një ceremoni për varrimin e ushtarëve grekë të rënë  në Shqipëri gjatë Luftës Italo-Greke.

Policia kërkoi ndihmën e forcave speciale RENEA, të cilat e ndoqën personin derisa e rrethuan. Ato i bënë disa herë thirrje të dorëzohej dhe të ulte armën, por Kostandin Kacifa nuk iu përgjigj thirrjeve. Përkundrazi, ai qëlloi me armë në drejtim të tyre, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë shqiptare. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, Kacifas mbeti i vdekur.

Më 31 tetor, trupi i Kacifasit mbërriti në Tiranë për ekzaminim. Familjarët e tij morrën një avokat grek për t’i përfaqësuar, dhe kërkuan ekzaminimin e trupit në Greqi. Kërkesa e familjarëve nuk u pranua sepse Kacifasi ishte shtetas shqiptar.

Më 7 nëntor, trupi i Kacifasit mbërriti në Gjirokastër.

Më 8 nëntor, Kacifasi u varros në Bularat. Të gjitha shpenzimet e varrimit u paguan nga Bashkia e Dropullit me para publike. Pjesë e shpenzimeve publike të varrimit ishte përdorimi i fonisë dhe pagesa për shërbimin e një këngëtari vorioepiriot.

Mbi 1 mijë qytetarë grekë, ndër ta edhe ekstremisti grek Babis-Harallambos Karathanos, erdhën nga Greqia për ceremoninë mortore të Kacifasit në Shqipëri. Gjatë ceremonisë u hodhë në mënyrë të vazhdueshme thirrjet antishqiptare dhe raciste.

Në fund të ceremonisë pjesëmarrësit bllokuan aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë për më shumë se 10 minuta. Policia shqiptare shoqëroi 12 persona, të cilët u morën në pyetje për bllokimin e rrugës dhe nëse e kishin kaluar kufirin në mënyrë të rregullt. Pas verifikimit, ata u lanë të lirë në pikën kufitare të Kakavijës.

Më 9 nëntor, Zëvendësministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shpalli non-grata 52 persona të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje të deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të Shqipërisë. Ai u shpreh se “askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi”.

Këto fakte janë interpretuar ndryshe në Greqi.

Pasqyrimi që Greqia i ka bërë çështjes edhe në sferën ndërkombëtare politike dhe mediatike ka përcjellë mesazhin e shkeljes së të drejtave të minoritetit grek, deri edhe me marrje jete. Të shumtë kanë qenë zërat që kanë folur për çështjen, politikanë nga i gjithë spektri i larmishëm politik grek, ku shkelja e të drejtave të njeriut është akuza më e lehtë që i është bërë Shqipërisë.

Vetë Kryeministri Aleksis Tsipras, njëkohësisht edhe Ministër i Punëve të Jashtme, në një intervistë ditën e djeshme ka shmangur komentet negative që kanë pushtuar opinion publik në Greqi. Por ka thënë se pakica greke në Shqipëri duhet të fitojë të drejtat e saj dhe se hapi i ardhshëm në bisedime do të jetë pikërisht zbatimi nga Shqipëria i këtyre detyrimeve. Kryeministri nuk ka dënuar apo nuk është distancuar nga retorika aq e ashpër dhe armiqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ai është përqendruar tek trishtimi që “justifikon irritimin dhe inatin”, si dhe tek nevoja për vazhdimin e bisedimeve për zgjidhjet e çështjeve mes dy vendeve.

Pra, duke iu përmbajtur retorikës diplomatike, Kryeministri Tsipras i ka lënë të rrjedhin lavdet për “heroin” Kacifas, me nënkuptimin se arritja e objektivave madhore për Greqinë, siç përflitet se pritet të jetë përfitimi i rreth 22 kilometra hapësirë detare larg bregut, lejon sakrifica të tilla.

Mdje europarlamentarja greke Eleni Theocharous në një deklaratë për mediat greke u shpreh se çështjen e Kacifasit do ta ngrinte në Parlamentin Evropian, si shkelje të të drejtat e njeriut, kur të diskutohet sërish hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Gjithashtu, media greke në raportimet e saj e ka përshkruar Kacifasin si një hero, ndërsa varrimi i tij është pasqyruar me nota nacionaliste, religjioze dhe viktimizuese.

Qendrimi i qeverisë shqiptare:

Ndërkohë, qeveria shqiptare lejoi lirshëm thirrjet antikushtetuese nga qytetarë të një vendi të huaj. Madje, qeveria zgjodhi të qëndrojë kryesisht urtë.

Kryeministri Edi Rama u mjaftua me disa reagime përmes Twitter-it. Ai i quajti shtetasit grekë që bënë thirrje antishqiptare “provokatore varrimesh”, ndërsa mediat greke i quajti “kazanë”. Më pas e përdori këtë rast për të sulmuar sërish median shqiptare, opozitën shqiptare.

“Sipas kokave të përndezura të politikës greke e kazanëve të atjeshëm, dje i paskam hedhur benzinë zjarrit, ndërsa sipas Kadrinjve tanë politikë e mediatikë paskam pranuar në heshtje përdhosjen e vendit! S’ka më mirë se sa i sulmuar nga dy palë qirie Kadrinj që s’i duhen dreqit” — shkroi Kryeministri në Twitter.

Çfarë pritej nga qeveria shqiptare

Minimumi që do të pritej që në krye të herës dhe në vazhdimësi në një rast si ky, do të kish qenë dalja me deklaratë publike nga qeveria, ku të sqarohej ngjarja në detaje, të sqaroheshin të gjitha dyshimet dhe keqinterpretimet e ngritura apo të mundshme nga fqinjët, të dënohej përdorimi për qëllime politike i ngjarjes, të dënoheshin ashpër thirrjet nacionaliste, shoviniste dhe antishqiptare, duke cituar faktet, si dhe të merreshin masa që deklarata të ishte lehtësisht e përdorshme nga media ndërkombëtare. Kjo nuk ndodhi dhe nuk ka ndodhur ende.

Qeveria duhet të sqaronte se Shqipëria është pa hezitim shembull i shkëlqyer i respektimit të minoriteteve, në një rajon ku kjo gjë nuk është fort e zakonshme.

Parlamenti shqiptar vetëm para pak muajsh ka miratuar një ligj për pakicat kombëtare të vlerësuar si të shkëlqyer nga të gjitha palët. Madje asnjë anëtarë i pakicave kombëtare në Shqipëri nuk heq më shumë se ç’heqin gjithë shqiptarët.

Si do të ndikojë rasti Kacifas në të ardhmen

Në përmbledhje të këtij rasti, reagimi i përgjumur për interesa të tanishme të qeverisë shqiptare, ka për t’i kushtuar Shqipërisë lëshime të mëtejshme ndaj kërkesave të Greqisë. Rasti Kacifas ka për tu përdorur nga grekët në forume ndërkombëtare si shkelje e të drejtave e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.