Nga Megi Ndregjoni
KLP e KLGJ ende larg formimit

Gjykata Kushtetuese nuk duket se do të jetë i vetmi institucion që do të mungojë në sistemin e drejtësisë shqiptare pas reformës në drejtësi.

Dy institucionet më të rëndësishme të sistemit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) që, ndër të tjera, kanë për detyrë emërimin e prokurorëve dhe magjistratë të rinj, duket se do të kenë të një fat si Kushtetuesja: do vazhdojnë të mbeten peng të procesit të ngadaltë të zbatimit të reformës.

Deri më tani rreth 38 përqind e magjistratëve të listës prioritare të vetingut, të cilët janë konfirmuar në detyrë nga KPK, duhet të presin ende një vendim nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pasi Komisionerët Publikë kanë ankimuar vendimet për to.

Exit.al, në një artikull të mëparshëm, ka publikuar listën e kandidatëve magjistratë për të cilët, aktualisht, vendimi i KPK-së që i konfirmon ata në detyrë është apeluar. Këta kandidatë kanë kandiduar për pozicione në KLP, KLGJ, KED dhe Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.

Ndaj tyre, ‘shkalla e pare’ e vettingut ka hapur dritën jeshile për të qënë pjesë e gjyqësorit dhe për të vazhduar me kandidimin në institucionet kyçe të drejtësisë. Megjithatë këta kandidatë nuk kanë arritur të bindin insitucionet e tjera të procesit, ONM dhe Komisionerët Publikë, veçanërisht në lidhje me justifikimin e pasurisë, ndaj vendimet për to janë ankimuar në KPA.

Kjo e fundit akoma nuk ka shpallur asnjë njoftim lidhur me datat e shqyrtimit të këtyre subjekteve.

E deri në përfundim të procesit në KPA, pra me marrjen e një vendimi të formës së prerë, këta prokurorë dhe gjykatës do t’i duhet të presin për të parë nëse do jenë ose jo pjesë e gjyqësorit, e më tej nëse do vazhdojnë të kandidojnë për institucionet e sipërpërmendura.

Pra duket se institucionet e reja të drejtësisë jo vetëm që nuk do jenë gati brenda këtij viti siç është propaganduar nga qeveria dhe ambasadorët e huaj, por rruga drejt krijimit të tyre duket e largët, duke e lënë sistemin  gjyqësor në kolaps edhe për disa kohë.

Kandidatët për KLP   

Të konfirmuar:

  1. Kosta Beluri
  2. Anila Leka
  3. Bujar Sheshi
  4. Dritan Prençi
  5. Vate Staka
  6. Arta Marku
  7. Arben Dollapaj
  8. Gentjan Osmani

Në pritje të vendimit nga KPA

  1. Antoneta Sevdari
  2. Besnik Muçi

Në pritje të seancës dëgjimore me KPK

  1. Besnik Cani
  2. Shpëtim Kurti
  3. Ramadan Troci

Kandidatët për KLGJ

Të konfirmuar në detyrë

  1. Medi Bici
  2. Dritan Hallunaj
  3. Manjola Xhaxho
  4. Ilir Toska
  5. Marçela Shehu
  6. Brunilda Kadi
  7. Brikena Ukperaj

Në pritje të seancës dëgjimore me KPK

  1. Luan Dervishi

Në pritje të vendimit nga KPA

  1. Nertina Kosova
  2. Astrit Faqolli
  3. Alma Brati