Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Reforma në drejtësi në rrugë pa krye

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Reforma në drejtësi në rrugë pa krye Erinda Skëndaj, drejtore e Komitetit të Helsinkit

Në një raport të sapopublikuar mbi procesin e vetingut nga janari 2017 deri në qershor 2018, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), një nga organizatat më të vjetra të të drejtave civile në Shqipëri, shprehu shqetësim për progresin e ngadaltë të bërë deri më tani në zbatimin e reformës në drejtësi.

KShH-ja thekson se vonesat në zbatimin e reformës dhe procesi i ngadalshëm i vetingut kanë krijuar një efekt domino që rrezikon të minojë të drejtat themelore të njeriut të qytetarëve shqiptarë për të pasur qasje në drejtësi dhe një proces gjyqësor efikas. KSHH shkruan se mungesa e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë ka krijuar gati 24 mijë dosje të prapambetura. Duket se ky problem do të ngelë dhe disa kohë pa zgjidhje sepse Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) nuk është formuar ende.

Për më tepër, Gjykata Kushtetuese mbetet e paralizuar si rezultat i shkarkimit të katër anëtarëve dhe dorëheqjes së tre të tjerëve:

“Vakancat e krijuara në Gjykatën Kushtetuese janë tepër shqetësuese dhe kanë paralizuar krejtësisht veprimtarinë e këtij institucioni me funksione të rëndësishme kushtetuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe interpretimin përfundimtar të kushtetutës, dhe në mënyrë të veçantë për kërkesat për papajtueshmëri të ligjeve me Kushtetutën si dhe ankesat e individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë kushtetuese.”

Rezultatet e kësaj situate janë ndjerë shumë në emërimin e diskutueshëm të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, ligjit “special” për Teatrin Kombëtar dhe konfliktit midis Presidentit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama lidhur me dekretimin e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Në të gjitha këto raste, Gjykata Kushtetuese nuk mund të luajë asnjë rol, ç’ka ka sjellë dhe konflikt politik.

KShH-ja rekomandon veting “të menjëhershëm dhe prioritar” të anëtarve të Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë (KED), në mënyrë që gjykatësit e rinj të Gjykatës Kushtetuese të mund të emërohen. Një tjetër problem që ka dalë në pak ditët e fundit lidhur me KED-në, është mungesa e kandidatëve të nevojshëm të kualifikuar për KED-në e vitit 2019, që do të thotë se ligjërisht, KED nuk mund të formohet për vitin 2019.

KSHH gjithashtu gjeti disa probleme lidhur me procedurat e vetingut, përfshirë faktin se disa magjistratë nuk morën një vlerësim të plotë për të tre kriteret siç e parashikon Ligji i Vetingut, por u vlerësuan vetëm në bazë të kriterit të pasurisë:

“Në rastin e vendimeve të shkarkimeve të deritanishme, është vërejtur në disa prej tyre se KPK ka vendosur të përfundojë procesin e rivlerësimit për subjektin vetëm mbi kriterin e pasurisë, duke mos përfunduar dhe duke mos marrë në konsideratë hetimet mbi kriterin e vlerësimit të figurës dhe atë të aftësive profesionale. Kushtetuta e RSH parashikon që procesi i vettingut kërkon kontroll të të tri komponentët që qëndrojnë në themel të tij.”

Mos-ndjekja e procedurave të duhura mund të çojë në ankimime të panevojshme, thekson KShH-ja, ç’ka do ta ngadalësonin edhe më tej procesin e vetingut: “Mosrealizimi i plotë i vettingut për këto subjekte dhe ndryshimi i vendimmarrjes si rezultat i ushtrimit të së drejtës së ankimit në këto raste, mund të sjellë vonesa dhe zvarritje të procesit.”

Së fundi, ndonëse KShH-së vlerëson në tërësi transparencën e përgjithshme të procesit të vetingut, kritikon rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), funksionimi i të cilit mbetet i paqartë:

“Transparenca e veprimtarisë së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është një aspekt i diskutueshëm i procesit, pasi publiku dhe media kufizohet vetëm në marrjen e informacionit gjatë seancës dëgjimore, kur vëzhgues të ONM-së kanë pyetje për subjektet e vettingut.”

Për më tepër, shpesh rekomandimet e ONM-së nuk pasqyrohen në aktgjykimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve (KPK):

“Në vendimet e deritanishme të KPKsë, të arsyetuara, rezulton që sugjerimet e ONM-së për çështjen nuk reflektohen në vendim. Në këto vendime, vihet re që trupat gjykuese përmendin faktin nëse vëzhguesit e ONM-së kanë paraqitur ose jo sugjerim, por në disa prej tyre32, nuk reflektohet as ky fakt. Në ato raste kur përmendet dhënia e sugjerimeve për çështjen nga vëzhguesit e ONM-së, nuk specifikohet në vendim natyra apo konteksti i sugjerimeve, çka bën që roli dhe kontributi i ONM-së në këtë proces të mos jetë transparent për publikun.”

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme