Kryeministri Edi Rama duhet të paraqesë një kandidaturë të re për Ministër të Brendshëm

Më 3 nëntor, Presidenti Meta nuk miratoi propozimin e Kryeministrit Rama për të emëruar Sandër Lleshin si Ministër të Brendshëm. Pas këtij vendimi, Kryeministri ka vendosur të emërojë Sandër Lleshin në postin e zëvendësministrit me të drejtat e ministrit. Në një postim në Twitter Kryeministri Rama shkroi:

Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00.”

Por, Kryeministri nuk mund të marrë një vendim të tillë. Ai e ka të ndaluar me ligj delegimin e detyrave të ministrit tek zëvendësministri. Gjithashtu, nëse Ministria e Brendshëm ngelet vetëm me zëvendësministra, institucioni nuk do të ketë të drejtë të shprehet mbi vendimet që do të marrë qeveria gjatë mbledhjeve. Kështu kjo ministri ngel e papërfaqësuar në qeveri.

Të dyja këto detyrime rrjedhin nga ligji 9000 datë 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ku sipas nenit 6, pika 2, parashikohet:

Zëvendësministri zëvendëson ministrin, në kuptimin e pikës 1 të nenit 34 të Kodit të Procedurave Administrative. Zëvendësministri emërohet dhe lirohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Kryeministrit. Me urdhër të ministrit, zëvendësministrit i caktohen edhe detyra të tjera.

Dhe sipas nenit 13, “Mbledhjet e Këshillit të Ministrave”, pika 4 parashikohet:

Kur, për shkaqe të arsyeshme, ministri nuk mund të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, atëherë ai duhet të njoftojë paraprakisht Kryeministrin dhe në vend të tij, me miratimin e këtij të fundit, merr pjesë, pa të drejtë vote, zëvendësministri”.