Liderët e Bullgarisë, Serbisë, Greqisë e Rumanisë zhvillojnë samitin e vendeve ortodokse Foto zyrtare nga samiti i 'Katër Kishave Ortodokse'

Liderët e Bullgarisë, Serbisë, Greqisë e Rumanisë zhvilluan pak ditë më parë samitin e të ashtuquajtës “Katër Kishat Ortodokse”, në Bullgari.

Takimit të kryeministrit bullgar Borisov, presidentit serb Vuçiç, kryeministrit grek Tsipras dhe kryeministres rumune Dăncilă ju bashkua dhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ndodhej në Bullgari për një vizitë zyrtare, pasi anuloi vizitën në Tiranë.

Ky është samiti i katërt i katër liderëve të vendeve ortodokse, që prej tetorit 2017.

Tema kryesore e takimit, ashtu si në takimet e mëparshme, ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal për të ndihmuar Serbinë drejt anëtarësimit në BE

“Takimi ynë ka pasur gjithmonë synimin për të parë drejt BE-së – për të rritur nivelin e bashkëpunimit, në energji, në infrastrukturë, dhe politika jonë kurrë nuk ka qenë në shënjestër ndaj palëve të treta, përkundrazi – ne besojmë se me pranimin e Serbisë në BE, BE do të bëhet më e fortë “, tha kryeministri bullgar Borisov.

Presidenti Vuçiç falënderoi Bullgarinë, Rumaninë dhe Greqinë për mbështetjen e tyre për procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe shprehu bindjen e tij se këto vende do të vazhdojnë të punojnë për stabilitetin dhe prosperitetin e plotë të Evropës.

Vuçiç njoftoi se njohu kolegët e tij me situatën në Ballkanin Perëndimor dhe se ata folën për marrëdhëniet Beograd-Prishtinë dhe domosdoshmërinë që dialogu të vazhdojë.

Presidenti serb po ashtu lajmëroi se samiti i radhës i “Katër Kishave Ortodokse”  do të mbahet në Beograd në dhjetor, ku do të ftohen dhe kryeministri i Italisë Giuseppe Conte dhe kancelari austriak Sebastian Kurz.