Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Me Lleshajn, Rama përsërit emërimin e Kryeprokurores “së Përkohshme” Marku

Shqipëria momentalisht nuk ka Ministër të Brendshëm, pasi kuvendi miratoi shkarkimin e Fatmir Xhafajt, por presidenti Meta refuzoi të dekretojë emërimin e gjeneralit Sandër Lleshaj si pasardhës të tijin. Si zgjidhje, Kryeministri Rama emëroi gjeneralin Lleshaj zëvendësministër, që “do të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme”:

“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. […] Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër.”

Siç Exit e ka shpjeguar më parë, Lleshi, ligjërisht, nuk mund të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, pasi kjo është një e drejtë e rezervuar për Ministrin. Ligji po ashtu parashikon se duhet të jetë ministri ai që për raste të jashtëzakonshme, njofton kryeministrin se në Këshillin e Ministrave do ta zëvendësojë zëvendësministri, por në këtë rast, nuk ka asnjë ministër që mund të njoftojë Ramën për Sandër Lleshajn. Me pak fjalë, Ministria e Brendshme, e cila mbikëqyr Policinë e Shtetit, nuk ka më zë ose votë në vendimet e qeverisë.

Pavarësisht se ligji ja ndalon, Kryeministri Rama po “shet” idenë se zëvendësministri Lleshaj është anëtar i plotë i qeverisë, duke e quajtur atë në Instagram “drejtuesin e ri të Punëve të Brendshme” dhe duke e përfshirë atë në faqen e internetit të Këshillit të Ministrave:

Me këtë veprim, Kryeministri Rama duket se përsëri po përfiton nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese, e cila mund ta kishte rrëzuar një vendim të tillë.  Në vend që të respektojë vendimin e Presidentit, Rama thjeshtë e anashkalon atë, i jep një zëvendësministri atributet e ministrit dhe ja ku u zgjidh problemi.

Një hile e ngjashme u përdor dhe me emërimin e Arta Markut si “Prokurore e Përkohshëm e Përgjithshme”. Sipas rekomandimit të OPDAT dhe EURALIUS, Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme do të ishte një “figurë që është mjaft e krahasueshme me figurën e një Prokurori të Përgjithshëm”. Por de facto rezultoi të jetë shumë ndryshe: Arta Marku ka ushtruar kompetencat e plota të një Prokuroreje të Përgjithshme, me efekte katastrofike në sistemin e drejtësisë. Nuk duhet të habisë askënd nëse “rruga” e ministrit Lleshaj do të jetë pikërisht e njëjtë.