Miliona për klientët, thërrime për qytetarët: precedenti korruptiv i Veliajt tek Pazari i Ri

Miliona për klientët, thërrime për qytetarët: precedenti korruptiv i Veliajt tek Pazari i Ri Pazari i Ri i rinovuar - Burimi: Twitter

Projekti i Pazarit të Ri merret si shembull suksesi nga Veliaj, sa herë që ka kundërshti për projektet korruptive që ai po i imponon qytetit në favor të ndërtuesve të mëdhenj të Tiranës.

Ky projekt është një nga shembujt më të mirë të qasjes klienteliste të bashkisë Veliaj dhe qeverisë Rama, të cilat nën petkun e zhvillimeve urbane po pasurojnë një grusht klientësh duke grabitur qytetarët.

Projekti për rindërtimin e Pazarit të Ri u konceptua dhe projektua nga ish-kryebashkiaku Basha. Por u bllokua nga qeveria Rama, e cili e zhbllokoi dhe lejoi fillimin e zbatimit në tetor 2015, menjëherë pas ardhjes së Veliajt në krye të Bashkisë Tiranë.

Projekti u financua nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me tre milion dollarë dhe qeveria shqiptare me rreth 2,5 milionë euro.

Financimi i Fondit Shqiptaro-Amerikan u përdor për gjithë infrastrukturën publike të Pazarit, kurse fondi prej 2,5 milionë euro i qeverisë, përmes Bashkisë Tiranë, u përdor për restaurimin të pjesës së jashtme të katër ndërtesave private dhe ribërjen e fasadave të ndërtesave përqark sheshit të Pazarit.

Tenderi për realizimin e këtyre punimeve restauruese nga Bashkia u hap më 2 nëntor 2016. Në të morën pjesë vetëm dy kompani, Salillari shpk dhe Senka shpk—kjo e fundit një kompani me seli në Lushnje, e regjistruar në vitin 1993.

Por Senka shpk nuk paraqiti ofertë në tender. Kështu, pa garë, fitues i tenderit të Bashkisë Tiranë u shpall kompania Salillari shpk, e cila paraqiti ofertë të barabartë me fondin limit të tenderit, 167 milionë lekë, ose rreth rreth 1,3 milionë euro.

Një shumë kjo e madhe për punime që duhet të kushtojnë shumë më pak, por edhe kaq nuk mjaftoi. Nuk dihet se me çfarë justifikimi, kostoja e restaurimeve u dyfishua nga Bashkia dhe ajo i dha Salillarit tre shtesa kontrate me negociim direkt, pa shpallje paraprake dhe pa asnjë garë, me vlerë totale rreth 1,2 milionë euro:

— Më 21 mars 2016, shtesë kontratë me vlerë rreth 800 mijë euro;

— Më 12 qershor 2017, shtesë kontratë me vlerë 266 mijë;

— Më 13 qershor 2017, shtesë kontratë me vlerë 146 mijë euro.

Pra, në total Bashkia Tiranë i ka dhënë Salillarit për rindërtimin e fasadave të ndërtesave përqark Pazarit të Ri rreth 2,5 milionë euro (pa TVSH)—pra, të gjithë fondin publik që qeveria investoi në projektin e Pazarit të Ri—gjysma e shumës u dha fillimisht me një garë fiktive, praktikisht pa konkurrim, kurse gjysma e dytë u dha pa bërë as formalisht ndonjë garë, por me ujdi direkte me kompaninë Salillari shpk.

Ndërkohë, për të pastruar hapësirën e pazarit të ri, Bashkia Tiranë vendosi, në mënyrë të paligjshme dhe jo transparente, shembjen e pesë ndërtesave që shërbenin si dyqane, të cilat ndodheshin pas godinës së ish- kopështit të fëmijëve (godinë e cila së fundimi shërben si restoranti Merkata e Peshkut).

Fillimisht, në fillim të vitit 2016, Bashkia Tiranë u kërkoi pronarëve të ndërtesave rreth Pazarit të rindërtonin me shpenzimet e tyre fasadat e ndërtesave, si pjesë e projektit të rikualifikimit urban të zonës.

Pas lajmërimit të Bashkisë, pronarët u pajisen me leje ndërtimi dhe filluan rregullimin e cative dhe fasadave të dyqaneve, sipas përcaktimeve të projektit të Bashkisë. Por, sapo hodhën poshtë fasadat e vjetra dhe filluan rindërtimin, atyre u erdhi një urdhër i dytë nga Bashkia Tiranë që të ndalonin menjëherë punimet, pasi Bashkia kishte vendosur që pronat e tyre do të prisheshin dhe ata do të shpronësoheshin.

Ky vendim i Bashkisë Tiranë u mor në mungesë të plotë transparence, dhe pa asnjë konsultim paraprak me pronarët.

Një nga pronaret e prekura dëshmoi në atë kohë për një nga televizionet e vendit:

Jemi gjashtë pronarë të objekteve [godinave që u prishën], me dokumentacion të rregullt pronësie dhe, në bazë të një leje ndërtimi të dalë nga qeveria, kemi filluar restaurimin e dyqaneve me fondet tona. Gjithashtu dyqanet tona janë pjesë e listës së monumenteve të kulturës dhe sipas projektit, është menduar që ato duhet të kthehen në identitet.

Janë të vetme dyqane që dëshmojnë [janë dëshmi e trashëgimisë së] për pazarin e vjetër. Ne jemi pezulluar pa asnjë shkak në momentin final të vënies së tjegullave, pa asnjë shkak ligjor nga ana e Bashkisë  Tiranë. Ndërkohë në momentet që flasim kemi dëgjuar që Bashkia kërkon të ndërtojë mbi pronën tonë, pa asnjë ligj, sepse asnjë ligj nuk e parashikon një gjë të tillë, të ndërtosh mbi pronën me pronarë. 

Pavarësisht qëndresës së pronarëve, Bashkia i prishi ndërtesat në mënyrë arbitrare, pa u dhënë banorëve asnjë mundësi që të ankoheshin ligjërisht, dhe mbi të gjitha pa i shpronësuar dhe kompensuar paraprakisht.

Vetëm më vonë, thuajse një vit më vonë, Bashkia Tiranë u dha pronarëve një dëmshpërblim qesharak. Me një vendim të datës 1 mars 2017, Bashkia Tiranë vendosi kompesimin e pronarëve të pesë ndërtesave të prishura me një shumë totale rreth 100 mijë euro.

Sipas vendimit, Bashkia e vlerësoi çmimin e tokës në Pazarin e Ri rreth 130 euro për metër katrorë, dhe secila nga godinat e prishura u dëmshpërblye nga Bashkia mesatarisht me rreth 20 mijë euro për ndërtesë.

Edhe pse kishin harxhuar mijëra euro, edhe pse ishin pronarë të ligjshëm, edhe pse kishin në pronësi godina me vlerë trashëgimore, Bashkia Tiranë vendosi që t’i prishë ato përkundrejt dëmshpërblimit qesharak prej 20 mijë eurosh.

Në qershor 2017, pronarët e shpronësuar e kundërshtuan dëmshpërblimin, duke paditur qeverinë dhe bashkinë në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë, me pretendimin se vendimi i qeverisë për shpronësim ishte i padrejtë, pasi çmimi i dëmshpërblimit, i vlerësuar nga Bashkia Tiranë, ishte dhjetra herë më i ulët se vlera e tregut. Ata i kërkuan Gjykatës të vendoste për kompensim të drejtë sipas vlerës së tregut. Exit.al nuk mundi të merrte informacion mbi ecurinë e procesit gjyqësor deri në momentin e botimit të këtij artikulli.

Por ndërsa këtyre pronarëve Bashkia Tiranë u mori pronat duke i shpërblyer me “thërrime”, disa biznesmenë të mëdhenj përqark Pazarit u shpërblyen prej saj me rindërtimin me para publike të pronave të tyre.

Disa ndërtesa përqark Pazarit të Ri u blenë për çmime të ulëta, që para fillimit të punëve rindërtuese të Bashkisë, nga disa biznesmenë të njohur të vendit, me gjasa të informuar për projektin e rindërtimit, i cili do të rriste disa herë vlerën e pronave që ata blenë.

Këta biznesmenë ishin ndër përfituesit e drejtpërdrejtë të 2,5 milonë eurove që qeveria harxhoi për rindërtimin e fasadave të ndërtesave të tyre, duke ju rritur atyre vlerën disa herë. Ata janë gjithashtu përfitues nga klientela e qindrafishuar për shkak të kthimi të Pazarit në një qendër të rëndësishme të argëtimit dhe mbledhjes së njerëzve në Tiranë.

Një nga biznesmenët kryesorë përfitues ishte Ylli Hidri, pronari i vilës dhe biznesit Merkata e Peshkut, rastin e të cilit ne e kemi shpjeguar këtu. Ai e bleu vilën para rifillimit të ndërtimit të Pazarit dhe më vonë përfitoi si hapësirë praktikisht private një pjesë të territorit të liruar nga shpronësimi i pronarëve të ligjshëm pranë vilës së tij.

Kështu, me një të rënë të lapsit, në mënyrë arbitrare, Bashkia Tiranë praktikisht ju rrëmbeu pronën disa qytetarëve pothuajse pa asnjë shpërblim, ndërkohë që mbështeti bizneset e të tjerëve duke harxhuar miliona euro nga paratë e shqiptarëve.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme