Mogherini telefonon Presidentin Thaçi: Hiqni tarifat doganore ndaj Serbisë

Përfaqësuesja e Komisionit Evropian për Punë të Jashtme Federica Mogherini i ka kërkuar sërish Kosovës uljen e tarifave doganore që qeveria kosovare i ka vënë produkteve serbe, që prej disa ditësh.

Përfaqësuesja e KE-së Mogherini ka telefonuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi  për të diskutuar për këtë çështje.

Me anë të një njoftimi për shtyp, zyra e Mogherinit lajmëroi:

“Përfaqësuesja e lartë ka nënvizuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ngritur tarifat e doganës për produktet nga Bosnje e Hercegovina dhe Serbia vetëm sa ka komplikuar situatën dhe nuk ka sjellë zgjidhje të problemeve për popullatën në Kosovë apo për aspiratat e Kosovës për të tashmen dhe të ardhmen.

Kjo është një masë që nuk ndërton marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duhet të hiqet.”