Përshkallëzohet konflikti Kosovë-Serbi, Vuçiç paralajmëron kundërmasa ekonomike

Presidenti serb  Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar marrjen e kundërmasave, nëse qeveria e Kosovës nuk rrëzon vendimin për dyfishim taksave për hyrjen e mallrave serbe në Kosovë, vendim i marrë pak ditë më parë.

Sipas Vuçiçit, vendimi për të dyfishuar taksat e mallrave serbe është shkelje e rëndë e rregullave të CEFTA-s dhe po cenon dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

“Dialogu ka edhe rregulla, sepse duhet respektuar pala tjetër. Ne po presim që pala tjetër të kryejë punët e saj dhe të vendoset në anën e civilizimit. Kur ta bëjnë këtë, dialogu do të vazhdojë menjëherë”, u shpreh Vuçiç.

Presidenti serb po ashtu kërkoi menjëherë takim me ambasadorët e Kinës, Rusisë, SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë, Francës dhe Italisë që ndodhen në Beograd.

Pak ditë më parë, Qeveria e Kosovës vendosi të dyfishojë taksat ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Propozimi u bë nga Ministri i Tregtisë së Kosovës, Endrit Shala dhe u miratua menjëherë në mbledhjen e qeverisë. Vendimi për të rritur taksat për mallrat serb u mor një ditë pasi Kosova nuk u anëtarësua në INTERPOL, si pasojë e fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit.