Qeveria me metoda ushtarake kundër banorëve të Astirit: u pret energjinë elektrike Banorët e Astirit në protestë

Qeveria ka filluar të përdorë metoda ushtarake për spastrimin nga baneset e tyre të familjeve të zonës së Astirit. Ajo ka prerë energjinë elektrike për familjet që kërkon të nxjerrë nga shtëpitë, duke lënë në errësirë dhe në të ftohtë qindra familje

Lënia pa shërbimet jetësore të familjeve derisa ato të dorëzohen është taktikë ushtarake që përdoret ndaj qyteteve dhe fortesave armike për t’i tharë ato nga furnizimet me qëllim që të dorëzohen. Ështe veprim kriminal i cili rrezikon jetën qytetarëve, sidomos të moshuarve, fëmijëve dhe të sëmurëve.

Pas prerjes së energjisë, policia arrestoi 11 banorë të cilët po protestonin kundër këtij veprimi kriminal. Banorët shprehen se ndërprerja e energjisë elektrike është e qëllimshme, për t’i hapur rrugë prishjes së banesave.

Ky veprimi i qeverisë erdhi pas deklaratave arrogante të Kryeministrit Edi Rama:

Që në vitin 2018 akoma diskutohet në Tiranë, se mund t’i imponohesh me forcë interesit publik, kundër ligjit dhe të ardhmes së qytetit, është e kotë të diskutojmë. Unaza e Madhe është e domosdoshme. Ka familje dhe biznese siç ka pasur kudo, por ka prevaluar interesi publik. Për ata që e kanë pa leje, 3 vite shteti paguan qira. Shtëpitë kanë qenë pa leje, s’prevalon dot sfida e atyre. Do hapet rruga se do bëhet rruga për të gjithë. Këtë debat e kam zgjidhur që në vitin 2000.

Më herët, Kryebashkiaku Veliaj i kishte quajtur banorët shpellarë:

S’i t’ia shpjegoja sot ish-guvernatorit të Salzburgut? […] Që një pjesë e jona ka parti politike shpellare që shqyejnë godina, që dhunojnë njerëzit që punojnë për këtë qytet? Që ne kemi akoma specie primitive që përfaqësojnë parti politike sot e që dhunojnë njerëzit që punojnë për këtë qytet?”

Me sa duket, Rama dhe Veliaj kanë vendosur t’i trajtojnë si “shpellarë” banorët, duke i lënë pa energji elektrike.

Qeveria po kërkon të prishë të paktën 317 godina—ka burime që pohojnë se janë deri mbi 800 të tilla—në  të cilat banojnë rreth 600 familje dhe veprojnë dhjetëra biznese. Të paktën 163 banesa janë në proces legalizimi, por qeveria ka vendosur të ndërpresë legalizimi, pa i lajmëruar fare qytetarët.

Qecveria ka vendosur t’i nxjerrë nga banesat dhe bizneset qytetarët pa procedurë dhe kompesim të drejtë, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe të drejtat kushtetuese të tyre.

Duke qenë se qytetarët kanë vendosur të qendrojnë dhe të mos dalin nga shtëpitë e tyre, qeveria duket se po zgjedh mënyra ushtarake për t’i detyruar ata të dalin.