Qeveria shqiptare mbyll sytë përballë abuzimit me të drejtat e njeriut në Kampin e MEK-ut

Një raportim i fundit i The Guardian ka zbuluar abuzimin sistematik me të drejtat e njeriut në kampin në Shqipëri të Mojahedin-e-Khalq (MEK), një organizatë terroriste deri para pak vitesh, anëtarët e së cilës u transferuan nga Iraku në Shqipëri.

Siç Exit.al ka raportuar gjatë viteve të fundit, MEK-un në Shqipëri e kanë vizituar disa politikanë të nivelit të lartë të SHBA-së, ndërkohë që interesi i administratës amerikane për të rrëzuar regjimin iranian ka ardhur duke u rritur.

Artikulli i The Guardian nxjerr në pah se anëtarë të MEK-ut kanë nisur ta braktisin organizatën, me një pjesë të tyre që përfundojnë duke u përpjekur të emigrojnë nga Tirana drejt vendeve të BE-së apo drejt SHBA-së.

Këta dezertorë kanë raportuar për abuzime të vazhdueshme me të drejtat e njeriut brenda kampit të MEK-ut në Shqipëri:

[T]ransferimi nga Iraku në Shqipërinë relativisht të sigurt ka sjellë një valë dezertorësh. Kush ka pasur mundësi ia ka mbathur në BE apo në SHBA, po rreth 120 nga të arratisurit e fundit nga MEK-u janë ende në Tiranë, pa të drejtë pune apo emigrimi. Unë bisedova me afro një duzinë dezertorësh, gjysma e të cilëve janë ende në Shqipëri, të cilët më thanë se drejtuesit e MEK-ut abuzojnë sistematikisht me anëtarët, për të vënë në heshtje kundërshtitë e tyre dhe për të parandaluar dezertimet – përmes përdorimit të dhunës, izolimit individual, konfiskimit të pronës dhe segregimit të familjeve, me qëllim mbajtjen e pushtetit mbi ta.[…]

Dëshmitë e këtyre dezertorëve të rishmë vijnë pas raportimeve të mëparshme nga grupe si Human Rights Watch, se ish-anëtarët kanë qenë dëshmitarë në “rrahje, abuzim verbal dhe psikologjik, marrje me dhunë të informacionit, kërcënime me vrasje dhe torturë, që në dy raste ka shpënë në vdekje.”

Më ç’duket, kampi i MEK-ut është “jashtë juridiksionit të policisë shqiptare”:

Ylli Zyla, që ka qenë Drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU) në periudhën 2008-2012, e ka akuzuar MEK-un për dhunim të ligjit shqiptar. “Anëtarë të kësaj organizate jetojnë në Shqipëri si pengje,” tha ai. Kampi i MEK-ut, – vazhdoi – është jashtë juridiksionit të policisë shqiptare dhe atje ndodh “dhunë e jashtëzakonshme psikologjike dhe kërcënime me vrasje.”

Ndërkohë qeveria shqiptare i ka mbyllur fare sytë ndaj abuzimeve me të drejtat e njeriut në territorin e saj, me shpresën se pranimi që i ka bërë MEK-ut do t’i japë avantazhe lidhur me qeverinë amerikane:

Olsi Jazexhi, pedagog i historisë në Universitetit e Durrësit, – një kritik i vendimit të qeverisë për të pranuar luftëtarët e MEK-ut – thotë se politikanët shqiptarë shpresuan se marrëveshja do ta bënte SHBA-në ta mbyllte një sy për korrupsionin mes tyre vetë. “MEK-u është një as nën mëngë për ta në lidhje me SHBA-në,” u shpreh ai. “Ata mendojnë se duke pranuar MEK-un amerikanët do t’i lënë të qetë në punët e tyre.”

Mbrojtja e plotë e të drejtave të njeriut është një ndër pesë kushtet kyçe të BE-së për hapjen e negociatave. Me ç’duket, qeveria shqiptare ka dështuar edhe një herë në respektimin e detyrimeve të saj në këtë drejtim.