Rama, Meta dhe Kushtetuta për dekretimin e Sandër Lleshit

Kryeministri Rama akuzoi sot presidentin Meta se ka refuzuar pa të drejtë dhe pa bazë ligjore dekretimin e Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm.

Sot gjatë seancës parlamentar, Kryeministri Rama deklaroi:

“Nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit  të ministrave që gëzojnë besimin e kryeministrit. Edhe pse Kushtetuta nuk i njeh presidentit të Republikës as shprehimisht as me nënkuptim kompetencën për të refuzuar anëtarët e qeverisë, presidenti ka formuluar një letër pa asnjë referencë ligjore.

Kushtetuta i ka të përfshira të 12 kompetencat e presidentit, por askund nuk e ka atë që të rrëzojë ministrat.”

Por deklaratat e Kryeminsitrit bien ndesh me Kushtetutën, sepse sipas nenit 98, pika 1 të Kushtetutës:

“Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.”

Për më tepër Kryeministri Rama, sërish në shkelje të Kushtetutës që cakton afatin “7 ditë”, deklaroi se do t’i lërë edhe pak ditë kohë presidentit Meta të reflektojë për kandidaturën e Sandër Lleshit:

“Do vendosim në qeveri ministrin e brendshëm të refuzuar nga presidenti, natyrisht në postin e zëvendësministrit dhe do i japim ca ditë kohë presidentit ta bluajë si çështje, por do i japim kohë edhe vetes për të hedhur hapin tjetër.”

Ky është rasti i parë që Presidenti i Republikës nuk dekreton propozimin e Kryeministrit për një ministër.

Në këto kushte, siç Exit.al ka shpjeguar më parë, Kryeministri Rama duhet të paraqesë një kandidaturë të re për postin e Ministrit të Brendshëm.