Nga Vincent W. J. van Gerven Oei
Reforma në drejtësi u ndryshua gjatë rrugës—ekspertët e BE-së nuk sugjeruan vetingun

Gjatë muajve të fundit kam shkruar gjerësisht se si reforma në drejtësi është kthyer në praktikë në një problem serioz për rendin kushtetues dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.

Jo vetëm që vonesat në procesin e vetingut—të përkeqësuara nga shkurtimet e fondeve buxhetore nga qeveria socialiste—kanë çuar në vonesa të medha dhe antikushtetuese në krijimin e institucioneve kryesore të administrimit të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), por mungesa e tyre, nga ana tjetër, nisi reaksionin zinxhir zhvillimesh problematike: emërimi antikushtetues i Prokurores së Përgjithshme të “Përkohshme”, mbetja e Gjykatës Kushtetuese pa kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime (aktualisht ka vetëm dy nga nëntë anëtarë), cungimi i Gjykatës së Lartë (ka mbetur me afërsisht një të tretën e anëtarëve të saj), moskrijimi i Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Pastaj “masakra” e vetingut mbi magjistratët kandidatë për anëtarë të KLP-së, KLGJ-së dhe KED-së, çoi në një tjetër veprim të paligjshëm, rihapjen e thirrjeve për aplikime për anëtarë të këtyre institucioneve.

Tashmë duket se gjasat janë që Shqipëria të mbetet pa Gjykatë Kushtetuese (GJK) edhe për një vit tjetër, duke qënë se anëtarët e rinj të KED-së—institucioni që bën renditjen e kandidatëve për anëtarë të GJK—të cilët do të zgjidhen për vitin 2019 do të kalojnë procesin e vetingut nga fillimi. Për më tepër, kandidatët aktualë të Gjykatës Kushtetuese janë ende në pritje të vetingut të tyre—para se të mund të renditen nga KED.

Ndërsa Gjykata e Lartë tashmë është thuajse jashtë funksionit duke lënë në pritje të gjykimit mbi 23 mijë raste, ndërkohë që konfirmimi i Kryetarit të saj Xhezair Zaganjori nga KPK nxorri në pah standartin e dyfishtë të procesit të vetingut. Apelimi i çështjes Zaganjori nga Komisioneri Publik është ende në pritje të gjykimit. Kjo do të thotë se Shqipëria është kthyer në nje vend pa ligjëshmëri— një vend ku nuk funksionon sistemi i drejtësisë.

Përkundër këtij kolapsi të plotë të sistemit shqiptar të drejtësisë, ish-ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, pretendoi pak përpara largimit të saj nga Shqipëria se “brenda vitit 2018, do të mund të fillojnë të veprojnë gjitha institucionet e reja”. Kjo është kënga e mjellmës më mjerane e kënduar ndonjëherë nga një ish-diplomate, nga e cila, me shpresë, nuk do të dëgjojmë më. “I falimentuar moralisht” do të ishte ndoshta përshkrimi më i mirë i Delegacionit të BE-së në Tiranë në momentin e largimit të Vlahutinit.

Nën këtë breshëri lajmesh të këqija, institucionesh të paformuara dhe shkeljesh të Kushtetutës, ndoshta është e vështirë të kuptohen synimet fillestare mbrapa reformës së drejtësisë, e cila u propagandua si rimodelimi më i thellë dhe novativ i një sistemi gjyqësor në një shtet në periferi të BE-së. Pavarësisht dështimit të reformave në drejtësi në Rumani dhe Kosovë, këtë herë, Bashkimi Europian do të vepronte siç duhet.

Për të vlerësuar si duhet gjendjen aktuale ku ndodhet reforma në drejtësi, nuk duhet ta krahasojmë atë vetëm me premtimet propagandistike të diplomatëve të huaj dhe politikanëve shqiptarë, por diuhet ta ballafaqojmë edhe me qëllimet të cilat Bashkimi Evropian vendosi të arrijë kur kërkoi realizimin e një reforme në drejtësi.

Fatkeqësisht, për ne të Exit.al qe më e vështirë seç prisnim që të merrnin raportet e Komisionit Evropian, ndoshta sepse Komisioni nuk donte që ne të mësonim të vërtetën. Kërkesat tona, nën të drejtën e informimit, u refuzuan, derisa Avokati i Popullit i BE-së më në fund dha miratimin për të na vënë në dispozicion katër raportet të viteve 2013 dhe 2014, përfshirë edhe “Raportin mbi Pavarësinë, Panshmërinë, Dhënien e Llogarisë dhe Profesionalizmin të Drejtësisë shqiptare 2014” dhe “Raporti mbi efikasitetin e drejtësisë në Shqipëri 2014”, të përgatitura të dyja nga ekspertë të jashtëm. Unë do të përqendrohem tek raporti i parë.

Të dyja raportet u hartuan në kuadër të “Misionit të Vlerësimit të Pavarur të Reformës në Drejtësi në Shqipëri” të vitit 2014. Titujt e këtyre raporteve zbulojnë mënyrën si BE (ishte mësuar) të mendonte për reformën në drejtësi: reforma ishte e nevojshme për të ruajtur “pavarësinë” dhe “efikasitetin” e gjyqësorit. Të dy këto terma tashmë janë fshirë nga çdo lloj diskutimi publik rreth reformës në drejtësi, e cila në komunikimin publik tashmë është spërdredhur, si nga diplomatët e huaj dhe qeveria, në një luftë kundër “korrupsionit”.

Kur shikojmë se çfarë thotë në të vërtetë raporti i BE-së në lidhje me korrupsionin në gjyqësor, kuptojmë se ai shprehet, kryesisht, në kuadër të politizimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) për shkak të pranisë së Ministrit të Drejtësisë në të dhe mbivendosjes së kompetencave. Rekomandimi i ekspertëve të jashtëm është depolitizimi i KLD-së, dhënia e autoritetit të plotë ekskluziv KLD-së për çështjet disiplinore dhe fuqizimi i kapaciteteve të KLD-së për të luftuar korrupsionin. Rekomandime të tjera janë rritja e pagës së gjyqtarëve dhe vendosja e sistemit të regjistrimit audio në të gjitha dhomat e gjykatave. Në asnjë moment ekspertët nuk sugjerojnë korrupsionin e kudopërhapur si arësye për të reformuar në mënyrë drastike të gjithë sistemin gjyqësor. Megjithatë, ky tashmë është bërë, të paktën në retorikë, motivimi kryesor, politik i saj.

Dikush mund të varsë mendjen se kur dhe pse ju erdhi në mendje burokratëve të Brukselit rivlerësimi i plotë i gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse një gjë e tillë nuk është rekomanduar në asnjë prej raporteve të hartuara nga ekspertët e jashtëm të apguar prej tyre. A mos u futën ata në këtë rrugë nga ndjenja e aventurës? Apo ranë pre e argumenteve të Kryeministrit Rama, i cili e shihte reformën në drejtësisë si një mundësi të artë për të kapur drejtësinë—ashtu sikurse tashmë e ka bërë në të vërtetë.

E vërteta ndoshta nuk do të dalë kurrë në shesh, por më lejoni të përsëris se rivlerësimi i plotë i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mbështetet në asnjë nga përfundimet dhe sugjerimet e raporteve të vlerësimit që Komisioni Europian ka hartuar dhe që ja ka vënë në dispozicion Exit.al.

Përmbledhja eksezkutive e raportit shkruan për gjendjen e gjyqësorit në Shqipëri për vitin 2014:

“Megjithatë, ende duhet të bëhet një punë serioze. Shqipëria duhet të përditësojë strategjinë e reformës së gjyqësorit dhe të forcojë më tej pavarësinë, efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve të saj të drejtësisë, për të fuqizuar luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, kultivimit të drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Grumbullimi i çështjeve të prapambetura dhe mosbesimi ndaj sistemit të drejtësisë janë ende çështjet kyçe që duhet të kapërcehen. Bashkëpunimi i dobët ndërinstitucional, mungesa e burimeve njerëzore dhe planifikimi e shpërndarja e dobët e buxhetit vazhdojnë të jenë shqetësim.”

Le t’i hedhim një vështrim situatës ku ndodhemi tani. Në vend që të forcojë “pavarësinë, efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien” e gjyqësorit, reforma e drejtësisë i ka dobësuar ato. Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme është marrë de facto nga qeveria, pasi shumica socialiste emëroi në mënyrë antikushtetuese me shumicë të thjeshtë Prokuroren e Përkohshme të Përgjithshme Arta Marku, në dhjetor 2017.

Efikasiteti i sistemit të drejtësisë ka rënë ndjeshëm si rezultat i asgjësimit të plotë niveleve më të larta të gjyqësorit, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, një situatë e cila vetëm do të përkeqësohet me shkarkimin e pritshëm në vitet e ardhshme të rreth 50 për qind të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës. Ndërkohë, opozita ka bllokuar propozimin e shumicës qeverisëse për t’i dhënë të drejtën KLD-së dhe Kryeprokurores së Përkohshme Marku të emërojnë gjyqtarët dhe prokurorët e rinj të dalë nga Shkolla e Magjistraturës për të mbushur boshllëqet në institucionet e drejtësisë—një propozim do të sillte de facto kapjen e plotë të institucioneve të reja të drejtësisë nga Kryeministri Rama—duke mos mundësuar kështu mbushjen e vendeve të mbetura bosh nga vetingu nga të posa diplomuarit nga Shkolla e Magjistraturës.

Eksperti i BE-së— shumica e rekomandimeve të të cilit përfunduan në paketën e reformës në drejtësi, e cila u miratua në Kuvend në korrik 2016—ishte i vetëdijshëm për problemet që do të haste reforma në drejtësi. Sërish, ai identifikon se këto probleme nuk kanë natyrë teknike, por janë çështje të natyrës politike:

“Angazhimi i Parlamentit është i detyrueshëm. Disa nga këto reforma kërkojnë një konsensus politik për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për ligjet e tilla që kanë nevojë për një shumicë të cilësuar për t’u miratuar, duke përfshirë ndryshimet e kërkuara kushtetuese. Eksperti nuk mund të thotë nëse shkalla aktuale e pjekurisë politike në Shqipëri do të lejojë arritjen e këtij lloj konsensusi brenda një periudhe të shkurtër kohore, por kjo gjë duhet duhet të jetë e mundshme dhe ndoshta do të ndodhë, duke marrë parasysh përgjegjësitë dhe mundësitë në fjalë,”— shkruan eksperti i BE-së.

Edhe pse paketa fillestare e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjet organike që e shoqëruan atë u miratuan me një shumicë të kualifikuar, pas trysnisë së ushtruar nga BE-ja dhe SHBA-të, konsensusi politik për miratimin e ligjeve organike për zbatimin e reformës avulloi shumë shpejt, dhe shumica socialiste, PS dhe LSI, i miratoi këto ligje me shpejtësi në Kuvend, pavarësisht kundërshtimit të opozitës. Tashmë janë shfaqur hapur boshllëqet ligjore të këtyre ligjeve, të cilat janë dëshmi e punës së dobët dhe skandaloze të bërë nga misioni i ndihmës teknike të BE-së, EURALIUS. Dhe tani që njëri prej këtyre ligjeve ka nevojë të amendohet, opozita në mënyrë të kuptueshme refuzon që të hapë rrugë—duke e përkeqësuar kështu gjithë situatën.

Eksperti vazhdon:

“Komentet e përgjithshme dhe retorika konstruktive mbi gjyqësorin janë pjesë normale e debatit demokratik, por ato nuk mund të thyejnë “rregullin e artë” të pavarësinë, dhe as perceptimin e opinionit publik, në mënyrë të tillë që të minojë besimin e tij në funksionimin e rregullt të sistemit gjyqësor. Si përfundim, duhet të mbisundojë maturia e procesit të ndërtimit demokratik të gjyqësorit mishëruar në parimet e besimit reciprok, ndarjes dhe ndërvarësisë së pushteteve, komunikimit pozitiv dhe retorikës konstruktive.”

Në të kundërt, çdo aspekt i veçantë i “debatit demokratik” ka minuar “besimin në funksionimin normal të gjyqësorit” duke nisur që nga akuzat dhe sulmet e Kryeministrit e deri tek qëndrimi i përgjithshëm ndaj sistemit gjyqësor i reflektuar në media, e cila përqendrohet vetëm në shfaqjen teatrale të krijuar nga procesi i vetingut, si sinonim i reformës në drejtësi. “Parimet e besimit reciprok, ndarjes dhe ndërvarësisë së pushteteve, komunikimit pozitiv dhe retorikës konstruktive “ u hodhën nga dritarja që ditën e parë.

Edhe pse shumë nga rekomandimet përfundimtare të raportit të ekspertit të BE-së u përfshinë në ligjet e reformës së drejtësisë, si Komisioni Evropian dhe qeveria shqiptare nuk arritën kurrë të kuptojnë frymën e reformës, siç ishte konceptuar fillimisht—pra, në mbrojtje të “pavarësisë, efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies” të sistemit të drejtësisë. Këto janë objektiva që nuk mund të përmbushen vetëm me ligje. Ata kanë nevojë për krijimin e një klime bipartizane që respekton shtetin e së drejtës.

Gjendja e mjeruar ku ndodhet tani reforma në drejtësi—e cila i është ngjitur një sistemi politik të varfër dhe të falimentuar—është rezultat i verbërisë së qëllimshme nga ana e BE-së, i besimit naiv tek tekstet ligjore dhe tek metoda e ‘të fortit’ për ta shtyrë miratimin e ligjeve me forcën e pushtetit ekzekutiv të qeverisë.

Kjo gjendje është, gjithashtu, rezultat i “shtojcës” së vetingut, i cili e ka zhvendosur plotësisht reformën në drejtësi nga një proces për rindërtimin e sistemit gjyqësor në një proces të dhënies së llogarisë publike nga çdo gjyqtar dhe prokuror, duke dëmtuar edhe më shumë besueshmërinë e sistemit.

Dhe askush nuk ja vuri veshin asnjërit prej paralajmërimeve të eksperit të pavarur të vetë BE-së.