Rruga Milot-Balldre: qeveria dyfishon koston e koncesionit brenda pak muajsh

Koncesioni për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Balldre do t’i kushtojë qytetarëve shqiptarë dyfishin e vlerës së parashikuar fillimisht nga qeveria. Ndërtimi dhe mirëmbajtja e 17,2 kilometrave rrugë, që në dhjetor 2017 ishte parashikuar të kushtonte 114 milionë lekë, tani do të kushtojë rreth 216 milionë lekë.

Kjo është kostoja që ka kërkuar të kompensojë fituesja e koncesionit 13 vjeçar, kompania A.N.K shpk me pronar Agim Kolën.

Më poshtë Exit.al shpjegon se si u dyfishua pa asnjë shpjegim nga qeveria kostoja e rrugës Milot-Balldre.

Kronologjia e koncesionit të rrugës Milot-Balldre

Në dhjetor 2017, qeveria publikoi relacionin zyrtar të buxhetit të shtetit 2018, ku përfshihej edhe një përmbledhje e koncesioneve të planifikuara për këtë vit. Fondi buxhetor për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Balldre, 17,2 kilometra të gjatë, ishte planifikuar 14,3 miliardë lekë, pra, rreth 114 milionë euro.

Gjatë muajve të parë të 2018-ës, kompania A.N.K shpk, me pronar Agim Kolën, i bëri qeverisë një ofertë të pakërkuar për këtë rrugë. Më 27 qershor 2018, Qeveria miratoi dhënien e një bonusi prej 8,5 për qindësh kësaj kompanie dhe lajmëroi se së shpejti do të hapte tenderin për këtë rrugë, ku mund të merrnin pjesë në garë dhe kompani të tjera.

Më 23 korrik 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi tenderin për ndërtimin dhe mirëmbajtjen për 13 vjet të rrugës. Në njoftimin zyrtar të tenderit, fondi limit ishte rritur në 20,8 miliardë lekë, ose gati 162 milionë euro, pra gati 50 milionë euro më shumë se fondi fillestar i planifikuar në parashikimin buxhetor. Justifikimi për rritjen me rreth 50 milonë euro të kostos ishte ndërtimi i sinjalistikës dhe sistemit të ndriçimit të rrugës.

Më tetor 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli kompaninë A.N.K shpk fituese të koncesionit, pikërisht me vlerën e fondit limit të tenderit pra rreth 162 milionë euro, afërsisht 9 milionë euro për kilometër. Punimet parashikojnë rreth 15,6 kilometra rrugë automobilistike me 6 korsi, një tunel me gjatësi 850 metra dhe dy ura, atë të Matit me gjatësi 620 metra dhe atë të Drinit me gjatësi 223 metra.

Pas ndërtimit, kompania A.N.K shpk do ta mirëmbajë rrugën për 13 vite.

Gjatë këtyre 13 viteve qeveria do t’i shlyejë kompanisë gjithë koston e rrugës dhe do të paguajë mbi të një përqindje fitimi (apo interesi). Si rezultat, duke llogaritur dhe këtë përqindje qeveria do t’i paguajë kompanisë A.N.K sh.p.k rreth 27 miliardë lekë, pra, rreth 216 milionë euro. Kjo vlerë është thuajse dyfishi i kostos së parashikimit fillestar të kostos të bërë më pak se një vit më parë.

Projekti është pjesë e Projektit 1 Miliardë

Ky projekt është pjesë e paketës “1 miliardë Euro’ investime me kontrata PPP. Ai ishte i katërti në listën e projekteve të kësaj pakete, pas projekteve të Rrugës së Arbrit, aksit Thumanë-Kashar dhe rrugës Orikum-Dukat.

Rruga e Arbrit do të ndërtohet nga kompania Gjoka sh.p.k dhe do të kushtojë rreth 240 milionë euro. Rruga Thumanë-Kashar, e cila do të kushtojë 225,8 milionë euro do të ndërtohet nga kompania Gener 2 sh.p.k, ndërsa ajo Orikum-Dukat me gjatësi 15 kilometra do të kushtojë 58 milionë euro dhe do të ndërtohet nga kompania Gjikuria sh.p.k.

Të gjithë këto kontrata kanë qenë “oferta të pakërkuara” dhe fitues të tenderëve kanë qenë kompanitë që kanë bërë kërkesën e pakërkuar.

Kjo paketë investimesh përmes Partneritetit Publik Privat është kundërshtuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, të cilat shprehen se këto lloj investimesh koncesionare janë jo vetëm jotransparente dhe kufizojnë konkurrencën, por ato do të rrisin ndjeshëm borxhin publik të vendit, duke vënë në rrezik situatën financiare të Shqipërisë.