Shkodër, ekzekutohet 31 vjeçari në mes të merkatës

Shkodër, ekzekutohet 31 vjeçari në mes të merkatës

Një 31 vjeçar u ekzekutua dhe një tjetër u plagos, mesditën e sotme, në një prej zonave më të populluara të Shkodrës.

Fatos Ferracaku u godit me breshëri me armë zjarri, në orën 11:15 minuta, teksa ndodhej në hyrje të ‘Merkatës Rus’, në lagjen ‘Partizani’ në Shkodër. I plagosur mbeti Fatmir Mehaj, një tregtar peshku në merkatë.

Viktima është kushuri i Arjan Ferracakut, biznesmenit 30 vjeçar që u ekzekutua me breshëri teksa kalëronte, po në Shkodër, në shtator 2018, – krim i cili ende nuk është zbardhur nga policia.

Deri më tani policia ka zbuluar se ekzekutuesit e Ferracakut kanë qenë dy persona, të cilët kanë kaluar pranë Ferracakut me motoçikletë.

Policia ka gjetur motoçikletën e djegur, në një zonë aty pranë, të njohur si lagjia “Guerrile”.

Në Shkodër, gjatë muajve të fundit, kanë ndodhur një sërë atentatesh mafioze, duke e kthyer qytetin në një prej vatrave më të egra të krimit. Për të gjitha rastet, policia ende nuk ka pista të qarta hetimi e të arrestuar.

 – Më 18 qershor, Mehdi Kavaja, pronari i një servisi për makinat, u vra me plumb në kokë.

 – Më 15 korrik, Boran Bërçana, ish-polic dhe Silvana Ndoci bashkëshortja e tij, u vranë brenda makinës së tyre.

 – Më 10 gusht, Fatbardh Lici u vra me breshëri plumbash gjatë ditës në një lokal. Bici ishte kunati i Lulzim Kullës, i njohur si i forti i Shkodrës.

 – Më 1 shtator, biznesmeni Arjan Ferracaku u ekzekutua në zonën e Livadhës.

Të gjithë ekzekutimet janë bërë me armë zjarri dhe autorët janë kujdesur të mos lënë gjurmë.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme