Skandali i dhunimit të fëmijës— Drejtoresha Shehapi e pakualifikuar

Nga Alice Elizabeth Taylor
Skandali i dhunimit të fëmijës— Drejtoresha Shehapi e pakualifikuar

Dy javë më parë, ne raportuam për disa akuza të ngritura kundër Nashi Shehapi, drejtoreshë e Kopshtit Nr.1 për ushtrim dhune ndaj një fëmije 4-vjeçar. Që prej raportimit, ndërkohë që prokuroria ka dështuar të kryejë hetimin për rastin, Zonja Shehapi vazhdon të mbetet drejtoreshë, ne kemi vazhduar të punojmë.

Pas një kërkimi të thelluar për zonjën Shehapi, kemi zbuluar se ajo jo vetëm nuk ka kualifikim apo çertifikatën përkatëse për vendin e Drejtoreshës së Kopshtit Nr.1 në Tiranë, por ajo as nuk e ka fituar vendin e punës nëpërmjet rrugës zyrtare, pra duke aplikuar dhe duke u regjistruar në portalin online.

Fakti se ajo nuk ka aplikuar zyrtarisht për të qënë drejtoreshë dhe fakti që ajo nuk është e kualifikuar për pozicionin na lë të mendojmë që ajo e ka marrë vendin e punës si favor ose nëpërmjet lidhjeve të caktuara. Si mundet që një grua që nuk ka përvojë, nuk ka kualifikime, dhe nuk ka aplikuar për pozicionin, emërohet drejtoreshë e një kopshti? Për më tepër, tashmë kemi mësuar dhe se zonja Shehapi, në vend që të hetohet, pezullohet ose të pushohet nga detyra, do të transferohet në një kopsht tjetër për të marrë të njëjtin rol drejtues.

Përveç kësaj, një burim i afërt me situatën na kontaktoi dhe na raportoi se zonja Shehapi i kishte thënë të gjithë stafit se ajo do ta fitonte çështjen e ngritur kundër saj. Madje, Zonja Shehapi i ka kujtuar atyre se ajo kishte pushtetin e nevojshëm për t’i shkarkuar nga puna të gjithë punonjësit e saj.

Ky besim se ajo do të fitojë çështjen, dhe kërcënimet e saj për të pushuar punonjësit nëse nuk sillen siç kërkon ajo, më nxitën të shkoj tek kopshti në fjalë për të mësuar më shumë.

Keështu,  një të hënë pasdite pas orës 12, e shoqëruar nga një kolege gazetar që më ndihmoi me përkthimin, shkova tek kopshti. Ne pritëm tek dera derisa një anëtare e stafit na u afrua dhe na pyeti se çfarë donim. Ajo na tha se nuk ishte e autorizuar të fliste me ne dhe se drejtoresha “është me pushime/leje”, por ne mund të flisnim me nëndrejtoreshën, Hatixhe Sallaku.

Pak pak minutash, Hatixhe Sallaku erdhi për të na takuar. Pamja në fytyrën e saj ishte e ftohtë. Ajo na e bëri shumë të qartë se ne nuk ishim të mirëpritur dhe se askush brenda kopshtit nuk do të mund të na fliste. Kërkesat tona u refuzuan në mënyrë të përsëritur. Madje kur i thashë se do të prisja këtu për të folur me stafin kur ata largoheshin nga puna, ajo më vështroi ngultas e më pas u largua. Hatixhe Sallaku është bashkëshortja e Ermelind Sallakut, i cili ka takuar babain e djalit, dy ditë pasi ai shkoi në Drejtorinë Arsimore për të pyetur se pse denoncimi i tij për Zonjë Shehapi nuk po përparonte. E vetmja mënyrë që Ermelindi të dinte se babai i AH-së shkoi në Drejtori, është nëse Enkelejda Isaku, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit i ka treguar Nashi Shehapit se babai i  djalit të dhunuar po kërkonte që hetimit të ecte përpara. Ermelind Sallaku i tha babait të AH-së se ai nuk e dinte se cili ishte konkretisht problemi, por se atij i kishin thënë që t’i kërkonte babit të djalit të ndalonte hetimet kundër Zonjës Shehapi dhe të hiqte dorë nga çështja. Natyrisht, babai i AH-së nuk e pranoi një gjë të tillë.

Pas refuzimit nga ana e Hatixhe Sallakut për të na lënë të hynim brenda, një prind na pyeti se përse kishim zgjedhur këtë kopsht për të vizituar. Pas një bisede të vogël, prindi na tregoi se edukatoret e kopshtit janë të këndshme, por  edukimit që po marrin fëmijët lë për të dëshiruar. Ajo na tha se ka vetëm 2 (ndonjëherë 3) edukatore për një grup prej 40 fëmijësh dhe se ajo ishte e shqetësuar se fëmijët nuk po marrin arsimim individual të mjaftueshëm dhe se ritmi i mësimeve është shumë i ngadaltë. E pyeta për nivelin e disiplinës dhe ajo më shpjegoi se është i ulët sepse është e pamundur të kujdesesh e të kontrollosh 40 fëmijë të vegjël në të njëjtën kohë, ndaj si pasojë, mësuesit mund të zemërohen dhe të mos përballojneë dot presionin e madh. E pyeta nëse ajo kishte kontaktuar me drejtoreshën, Nashi Shehapi pët t’i treguar  shqetësimet e saj. Ajo më shpjegoi se pavarësisht se i kishte raportuar vërejtjet dhe shqetësimet e saj, asgjë nuk ishte bërë dhe situata ka mbetur njëlloj.

Pas kësaj bisede, dyert e kopshtit u hapën dhe prindërit hynë për të marrë fëmijët e tyre.

Teksa futeshim brenda për të gjetur dikë për të folur, munda të gjej “vrimën e miut”, për të cilën djali 4-vjeçar tregoi se ishte mbyllurnë disa raste si dënim, dhe ku fëmijët e tjerë dënohehsin nëse silleshin keq. Kjo dhomë e vogël është e vendosur nën shkallë, ka tavan të ulët dhe mban era lagështirë dhe era kanalizimesh ujërash të zeza. Duket se ajo shërben si vend për të mbajtur fshesat, leckat dhe produktet e tjera të pastrimit, dhe nuk është një vend për të lënë fëmijët e vegjël, veçanërisht kundër vullnetit të tyre dhe si dënim.

“Vrima e miut”

Gjatë vizitës tonë në Kopshtin Nr.1, mësuesit ishin shumë miqësor dhe të sjellshëm, por askush, nuk foli me ne. Ne na i mbyllën dyert në fytyrë, dhe një grua u largua me kokën poshtë, me frikën se mund ta shihte dikush duke folur me ne. Për të qenë e sinqertë, nuk prisnim ndonjë sjellje tjetër.

Duke qënë se burime të afërta na pohuan se Nashi Shehapi e drejton kopshtin me terror dhe kërcënime si ndaj stafit, ashtu dhe ndaj fëmijëve, ishte e rëndësishme ta vizitonim kopshtin dhe të vërtetonim se stafi është i frikësuar.

Burimi ynë na tha një ditë më parë se Nashi është kthyer në punë dhe ishte nevrikosur nga vizita jonë, i kishte bërtitur stafit dhe i kishte qortuar ata se përsa na lejuan të hynim brenda.

Por investigimi ynë nuk u ndal këtu. Gjatë javës së fundit ne kemi komunikuar me një numër individësh të cilët janë të afërt me Zonjën Shehapi dhe situatën, dhe ata kanë treguar të gjithë histori të ngjashme. Një prej të kontaktuarve e përshkroi Shehapin si “histerike dhe agresive, ajo ka këtë reputacion dhe të gjithë e dinë”. Përveç kësaj, çdo individ që folëm deklaroi se ata e besonin faktin se Shehapi e kishte dhunuar djalin e vogël sepse kjo gjë ishte në përputhje me karakterin e saj dhe mënyrën se si ajo sillet. Një burim tjetër na tha se ajo kishte abuzuar dhe me fëmijët e tjerë dhe se stafi në shkollë ishte i dëshpëruar për t’i dhënë fund drejtimit të saj me terror dhe për ta vënë atë përpara drejtësisë.

Pyetjet e mia janë – si arriti Nashi Shehapi të merrte një punë për të cilën ajo nuk ishte e kualifikuar dhe nuk kishte aplikuar? Përse është duke u transferuar në një kopsht tjetër, kur ka dyshime dhe akuza për abuzim ndaj saj? Përse ajo i tregon punonjësve të saj se ajo “do ta fitojë çështjen” para se prokuroria të nisë hetimet? Kush është pjestari i familjes që ajo pretendon se ka në Ministrinë e Arsimit që po e ndihmon dhe mbështet atë? Pëse Enkelejda Isaku i tregoi Nashit se babai i djalit të dhunuar kishte shkuar për ta vizituar në Drejtorinë e Arsimit? Përse Nashi Shehapi dërgoi Ermelind Sallakun për të folur me babain e djalit dhe i kërkoi atij të heqë dorë nga kjo çështje? Përse stafi ka frikë kaq shumë nga Nashi Shehapi? Përse ajo ka një reputacion si “agresive dhe histerike”? Kush e publikoi identitetin e fëmijës dhe fotografitë në media? Dhe më e rëndësishmja, kush e mbron Nashi Shehapin?

Në ditët e ardhshme do t’i japim përgjigje këtyrë pyetjeve.

 

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme