Nga Ilmi Rehova
Tahiri keqinformon: pushimi i hetimit në Itali nuk e shfajëson për asgjë

Saimir Tahiri është hetuar në Katania për veprën penale të pjesmarrjes në organizatë kriminale. Sipas dy faqeve të dokumentit të Prokurorisë së Katanias të bërë publik në media, bëhet e qartë se Prokuroria e Katanias e ka hetuar Saimir Tahirin për veprën e krijimit të organizatës kriminale në Itali, të parashikuar në Nenin 74 të Kodit Penal që parashikon veprën “krijim organizate me objekt trafikimin e paligjshëm të substancave narkotike ose psikotrope”.

Ky nen parashikon rastet kur tre ose më shumë persona bashkëpunojnë me qëllim promovimin, ndërtimin, drejtimin, organizimin ose financimin e organizatave që merren me trafikun e drogës dhe parashikon dënim jo më pak se 20 vjet burgim.

Nga faktet që njihen publikisht, përfshi ato të zbuluara nga prokuroria shqiptare, pushimi i këtij hetimi duket normal, pasi deri më sot askush nuk e ka akuzuar Tahirin që ka krijuar organizatë kriminale në Itali për trafikimin e drogës atje.

Madje as prokuroria shqiptare nuk e akuzon për këtë krim në Shqipëri—akuzat për të cilat po hetohet ish-ministri janë “trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim me organizatë kriminale” dhe “korrupsion i personave me funksione të larta shtetërore”. Pra, nuk po hetohet as në Shqipëri për akuzën që pushoi hetimi në Itali, krijim të një organizate kriminale—ai thjesht po hetohet bashkëpunim me një organizatë kriminale.

Tahiri në fakt akuzohet për lehtësimin e trafikimit të drogës duke vënë në dispozicion të Habiljave jo vetëm mjetet për trafikim (makinë dhe skaf), por edhe duke vënë policinë në mbrojtje të tyre. Sikurse ka deklaruar gazetari italian Guido de Luca, i pari që bëri publike përgjimet e prokurorisë së Italisë për Saimir Tahirin në një artikull të tij shkruan se nga përgjimet del se:

“Shqipëria për kushëririn e ministrit do të ishte për shumë vite një zonë e lirë për biznes. Në një përgjim mjedisor i realizuar nga ushtarakët e rojes financiare të Katanjës, Moisiu i zbulon disa hollësi ndërmjetësit të tij siçilian, pronar i një benzinate Q8 pranë Lentinit. “Nëse vjen në Shqipëri—thotë Moisiu—ki parasysh se policia shqiptare është e korruptuar dhe që shpesh herë është vetë shefi i policisë që ndihmon në ngarkimin e thasëve.”

Për këtë arsye, pushimi i hetimit për krijim organizate kriminale në Itali ndaj Tahirit nuk nënkupton asgjë për aktivitetin e tij kriminal në Shqipëri, edhe pse Tahiri u përpoq që të mbjellë opinionin se mbyllja e hetimit në Itali duhet të çojë në mbylljen e tij edhe në Shqipëri.

Tahiri dhe mediat pranë tij u munduan gjithashtu të krijojnë opinionin se prokuroria italiane ka provuar se Habilajt nuk i kanë blerë vërtetë dhuratat e bizhutërisë për të cilat vëllezërit Habilaj flasin në bisedat e përgjuara nga hetuesit italianë.

Në fakt sipas dokumentit të publikuar, prokuroria e Katanias nuk ka arritur të vertetojë blerjen e bizhuterive nga Habilajt për Tahirin dhe bashkëshorten e tij,  pasi nga intervista e prokurorëve me shitësit ata nuk mbajnë mend shitjen dhe personin të cilit mund t’i jetë shitur.

“Në datë 23.11.2017, me qëllim verifikimin e blerjes së mundshme të bizhuterive nga shqiptarët Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj për Saimir Tahirin, u ftuan në zyrën e prokurorit, zoti Guido Donini dhe djali i tij Alessio Aroldo, respektivisht titullari i dyqanit të bizhuterive, të cilët, deklaruan se nuk u kujtoheshin faktet që janë objekt i hetimit dhe as që ta njihnin Moisi Habilajn. Në lidhje me aktivitetin në fjalë, u procedua për të kontrolluar dokumentacionin kontabël që iu kërkua atyre.

Ekzaminimi i dokumenteve të sipërpërmendur dha rezultate negative, ç’ka do të thotë se nuk ka pasur operacione të hyrjeve në kasë në periudhën me interes për hetimin, lidhur me blerjen e dy byzylykëve nga Moisi Habilaj”.

Ka një shpjegim të thjeshtë për mos gjetjen e gjurmëve të shitjeve: Habilajt kanë qënë të kujdesshëm që të mos lënë gjurmë të blerjeve. Kjo gjë del e qartë nga biseda e përgjuar mes dy personave pas blerjes.

Në dosjen e përgjimeve të prokurorisë italiane shkruhet:

Moisiu futet në makinë dhe i tregon Sabaudinit se kishte marrë dy byzylukë, njërin për nusen e Saimirit dhe tjetrin për nënën e tij. Sabaudini e pyet nëse kishin kushtuar shumë.”

Moisiu: Goxha

Sabi: 10 000 euro?

Moisi: 20 000 euro

Moisiu tregon se të dy bënin 18 mijë euro, por i kishte marrë për gjysmën e lekëve.

Sabi: I pagove 9 mijë euro me lekë në dorë?

Moisiu: Po.

Sabi: Nuk kishte ndonjë telekamër?

Moisiu: Jo.”

Ky dialog dëshmon se Moisi Habilaj ka qenë shumë i kujdesshëm të mos linte gjurmë të blerjes, e cila ishte bërë me cash dhe për më tepër ai kishte negociuar ulje për gjysëm që do të thotë se bizhutë mund të jenë shitur pa u regjistruar.

Në fakt, ky hetim është i vështirë edhe për faktin se bizhutë në fjalë nuk janë gjetur nga prokuroria.

Sikurse dihet, Kuvendi e vonoi me 10 ditë dhënien e autorizimit prokurorisë për kontrollin e banesës dhe pronave të tjera të Tahirit për kërkimin e provave. Kohë e mjaftueshme kjo për të zhdukur çdo provë të përmendur në përgjime, të cilat Tahiri i kishte në dispozicion që në fillim.

Në fakt, dyshimet që Tahiri mund të ketë pastruar provat kompromentuese u bënë të qarta më 1 nëntor 2017, kur policia arrestoi Orest Sotën në Elbasan. Në makinën e tij u gjetën në makinë 836 mijë euro dhe katër patenta për mjete transporti ujor të ish-ministrit Tahiri dhe veture të bashkëshortes së tij. Që këto dolkuementa krejtësisht vetjake ishin në makinën e një personi të afërt me Tahirin dhe jo në shtëpinë apo pronat e Tahirit, të bën të mendosh se Tahiri i ka larguar ato nga shtëpia për t’ja besuar njerëzve të tjerë.

Nisur nga gjetja e këtyre dokumentave, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti dyshimin se Orest Sota mund të jetë bashkëpunëtor i Tahirit për të fshehur të ardhurat nga aktiviteti kriminal.

Vetë, Saimir Tahiri nuk ka bërë asnjëherë asnjë koment për paratë dhe patentat e tij të gjetura në makinën e Orest Sotës, ndërkohë që më vonë është vërtetuar se Sota ka udhëtuar disa herë privatisht me Tahirin jashtë shtetit, përfshi një udhëtim në Gjermani.

Me pak fjalë, prokuroria shqiptare ka jo vetëm një hetim të ndryshëm dhe të shkëputur nga ai italjan, por për akuzën që ajo heton ka dëshmi apo prova që në dukje mbështesin fajësinë e Tahirit.