Udhëheqësit e Ballkanit refuzojnë të vinë në Tiranë, Netanjahu anullon vizitën në Shqipëri

Kryeministri i Izraelit Benxhamin Netanjahu kishte planifikuar të vizitonte, sot, Tiranën ku, ndër të tjera, ai dëshironte të takohej me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit. Disa prej këtyre udhëheqësve nuk kanë mundur të udhëtojnë dot, çfarë ka çuar në shtyrjen e vizitës së Netanjahut në Tiranë.

Sipas Jerusalem Post, Netanjahu kishte planifikuar një tur Ballkanik ku parashikohej një vizitë në Tiranë dhe një në Bullgari. Në Tiranë ishte synuar që të udhëtonin edhe udhëheqësit e Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnje-Hercegovinës për një takim të përbashkët me kryeministrin e Izraelit.

Për shkaqe të pa bëra publike disa nga këta udhëheqës nuk kanë dashur të udhëtojnë për në Tiranë. Për rrjedhojë, Kryeministri Netanjahu ka anulluar të paktën tani për tani vizitën në Shqipëri.

Ai do të vizitojë vetëm Bullgarinë, ku nesër ai ka planifikuar një takim të përbashkët me udhëheqësit e Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë. Takimit në Bullgari do t’i bashkohet edhe Presidenti Serb Vuçiç, i cili ka preferuar t’i bashkangjitet takimit të Sofjes dhe jo atij në Tiranë.