Nga Megi Ndregjoni
Veliaj mashtron qytetarët e Unazës për të drejtat e tyre, për t’i nxjerrë me tinëzi nga shtëpitë

Kryebashkiaku Veliaj po gënjen haptazi qytetarët e Zonës së Astirit në lidhje me premtimin për bonusin e qirasë. Plani i tij tinëzar është që qytetarët të gënjehen aq sa të dalin nga shtëpitë dhe pastaj të mbeten në mëshirën e arbitraritetit të vendimeve të Veliajt, i cili që tani është duke shkelur të drejtat e tyre ligjore.

Përtej shkeljeve të të drejtave të njeriut të sanksionuara në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë, të cilat i kemi argumentuar në një artikull të mëparshëm, Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj po shkelin edhe Ligjin për Strehimin Social të vitit 2018.

Veliaj po deklaron gojarisht se banorët që nuk do të shpronësohen, do të trajtohen me bonus për strehimin e tyre. Por ligji e detyron atë të veprojë krejtësisht ndryshe për të përmbushur këtë detyrim.

Ligji për Strehimin Social u garanton qytetarëve respektimin e parimit të sigurisë së qëndrimit, i cili sanksionon se një vendbanim, qoftë ky i përhershëm apo i përkohshëm, është i pacenueshëm, dhe çdo zhvendosje prej tij duhet të bëhet duke respektuar proçedura të përcaktuara ligjore.

Ligjin (kryesisht në Neni 6) përcakton hapat që duhen ndërmarrë për zhvendosjen e qytetarëve apo familjeve nga ana e pushtetit lokal në rastet kur kemi të bëjmë me zhvendosje nga vendbanimi për qëllime të interesit publik.

Së pari, duhet që banorët të informohen me shkrim për zhvendosjen dhe arsyet për të cilat bëhet e detyrueshme zhvendosja. Njoftimi duhet të bëhet 30 ditë para nxjerrjes së aktit të zhvendosjes, akt i cili vetë duhet të lërë të paktën 45 ditë afat deri në ditën e zhvendosjes, sikurse shpjegohet më poshtë.

Banorët e Astirit nuk janë informuar nga asnjë institucion shtetëror, përfshi Bashkinë Tiranë, për prishjen e banesave apo dhe zhvendosjen e tyre. Sipas dëshmive të banorëve, ata kanë mësuar se do të zhvendoseshin pasi inspektorë të Autoritetit Rrugor filluan të bënin matje dhe të shënonin banesat për prishje.

Së dyti, ligji përcakton se banorët kanë të drejtën dhe pushteti lokal është i detyruar t’i informojë për të gjitha mundësitë e strehimit alternativ, pra të mundësive të ndryshme për të siguruar strehim, që iu ofrohen nga pushteti lokal pas zhvendosjes, si dhe të kushteve përkatëse për përfitimin nga çdo alternativë strehimi.

Strehimi alternativ përfshin një sërë mundësish, si strehimi në banesat sociale në pronësi të bashkisë përkundrejt një qiraje të ulët ose falas; blerja e banesave me kosto të ulët, pra banesa për të cilat Bashkia mundëson blerjen me çmim me të ulët se tregu; mundësia e blerjes së banesës përmes kredive me kushte të zbutura etj. Zgjedhja mes këtyre alternativave i takon banorëve që do të zhvendosen, me kushtin që të plotësojnë kriteret dhe standardet e caktuara zyrtarisht.

Banorëve të zonës së Unazës nuk u është dhënë asnjë informacion për mundësitë e strehimit alternativ dhe asnjë informacion mbi kushtet dhe procedurat e përfitimit të secilës prej alternativave të strehimit.

Në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të së drejtës së tyre ligjore, Kryebashkiaku Veliaj ka vendosur që ata të kenë vetëm një alternativë, atë të pagesës së qirasë, dhe për një periudhë të caktuar arbitrarisht prej tij prej tre vjetësh.

Së treti, pas informimit dhe dhënies së mundësisë qytetarëve për zgjedhjen e strehimit alternativ, Bashkia duhet të nxjerrë një akt administrativ për zhvendosjen e tyre të paktën 45 ditë përpara afatit të zhvendosjes, në të cilin duhet të jetë informuar edhe mënyra e strehimit alternativ të miratuar nga bashkia.

Bashkia Tiranë jo vetëm nuk ka informuar dhe nuk u ka dhënë mundësinë e zgjedhjes së strehimit alternativ, por nuk ka nxjerrë asnjë akt të tillë adminsitrativ që të përmbajë faktin e zhvendosjes dhe mënyrën e miratuar të strehimit.

Kryebashkiaku Veliaj vetëm sa është shprehur gojarisht në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak se “kemi ofruar si Bashki e Tiranës 3 vite qira.” Ky refren është përsëritur më pas nga drejtuesit e lartë të Bashkisë, por përtej këtyre deklaratave me gojë, Kryebashkiaku dhe Bashkia Tiranë nuk kanë marrë asnjë veprim dhe asnjë hap të detyrueshëm me ligj. Nuk është madje e qartë as se mbi çfarë baze ligjore është mbështetur ky vendim, kush nga banorët do të përfitojë dhe në çfarë kushtesh do të përfitojë. Me fjalë të tjera, banorët nuk kanë asnjë ide nëse do të përfitojnë të gjithë nga ku premtim gojor dhe në çfarë mase, pasi masa e qirasë përcakton vendndodhjen, sipërfaqen dhe karakteristikat e tjera të mundshme të banesës që mund të merret me qira.

Vendimi i përcjellë gojarisht nga Kryebashkiaku Veliaj, pa respektuar asnjë procedurë ligjore, për zhvendosjen e banorëve — të cilët në mënyrë po të paligjshme do të zhvendosen pa u shpronësuar — sidomos pa u siguruar strehimin alternativ, është shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtës së tyre për sigurinë e qëndrimit në vendbanim.

Sikurse kërkon ligji, Bashkia Tiranë nuk mund të zhvendosë banorët pa iu siguruar atyre strehim të pranuar alternativ. Neni 6/2 i Ligjit të Strehimit Social është i qartë:

“Zhvendosja, sipas parashikimeve të këtij neni, nuk zbatohet pa siguruar më parë sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpronësim.”

Ndërsa vendimi arbitrar (me gojë) për pagesë qiraje për një periudhë të përcaktuar është shkelje e të drejtës së tyre për të zgjedhur mënyrën e strehimit alternativ, e cila nuk mund të përcaktohet në mënyrë arbitrare nga pushteti lokal, siç duket se ka vendosur të bëjë Kryebashkiaku Veliaj.

Një e drejtë tjetër që qytetarëve iua jep ligji, por po iua shkel Kryebashkiaku Veliaj, është ajo e ankimimit ndaj aktit administrativ. Duke qenë se bëhet fjalë për një proces kritik, atë të zhvendosjes së familjeve nga banesa, ligji ka përcaktuar të drejtën që qytetarët t’i drejtohen Gjykatës Administrative për ta kundërshtuar aktin e Bashkisë, nëse ata nuk bien dakord me të.

Me anë të propagandës dhe duke shfrytëzuar padijen ligjore të publikut, Veliaj ka krijuar përshtypjen se po iu bën një favor të madh qytetarëve që duhet të largohen nga shtëpitë e tyre, duke iu paguar tre vite qira. Në të vërtetë, Veliaj po iu dhunon qytetarëve të drejtat e tyre, pasi ata kanë të drejtë të kenë strehim të siguruar dhe të pranuar alternativ, pa kufizime kohore.

Për më tepër, ligji iu garanton familjeve që do të zhvendosen të drejtën për të marrë ndihmë ekonomike për zhvendosjen, pra Bashkia e ka për detyrë të ndihmojë financiarisht banorët duke përballuar koston e zhvendosjes së tyre.

Kryebashkiaku Veliaj ose nuk e njeh fare ligjin, ose e shpërfill atë. Sido që të jetë, stili i tij qeverisës është primitiv dhe parademokratik. Ky është një fakt ironik për një kryebashkiak që i quajti banorët në mënyrë raciste, vetëm sepse guxuan t’i kërkojnë llogari për të drejtat e tyre.