BE: Shqipëria duhet të vazhdojë luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar

BE: Shqipëria duhet të vazhdojë luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar Komisioneri për Emigracionin, Punët e Brendshme dhe Nënshtetësinë, Dimitris Avramopoulos

Më 19 dhjetor 2018, Komisioni Evropian bëri publik raportin për përmbushjen e kritereve nga vendet të cilat kanë marrëveshje liberalizimi vizash me BE-në. Në këtë mekanizëm monitorimi bën pjesë edhe Shqipëria, e cila iu nënshtrua këtij kontrolli pas ankesës së institucioneve hollandeze si pasojë e rritjes së numrit të emigrantëve të paligjshëm dhe rritjes së krimit në Hollandë nga shtetasit shqiptarë.

Raporti shkruan se “pavarësisht se vendet kanë përmbushur disa nga kërkesat, sërish ka nevojë që disa prej tyre të ndërmarrin veprime për të siguruar rezultate të qendrueshme”.

Komisioneri për Emigracionin, Punët e Brendshme dhe Nënshtetësinë, Dimitris Avramopoulos, gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit tha:

“Unë mirëpres faktin se të gjitha vendet në fjalë vazhdojnë të përmbushin detyrimet e tyre, por i bëj thirrje për të vazhduar me përpjekjet e tyre për të forcuar luftën kundër emigracionit të paligjshëm, luftës ndaj korrupsioni dhe krimit të organizuar”.

Gjetjet kryesore të raportit për Shqipërinë janë:

Për emigracionin e paligjshëm

– Numri i personave të refuzuar në BE u rrit me 13 për qind nga viti 2016 në vitin 2017, nga 30 305 persona në 34 310 persona.

– Numri i qendrimeve të paligjshme u rrit me 11 për qind, nga 33 445 emigrantë të paligjshëm në 2016 në 37 325 emigrantë të paligjshëm në 2017. Sipas Agjensisë Kufitare të Evropës dhe Agjensisë së Ruajtjes së Kufirit, ky trend ka pësuar rënie po të krahasohet gjysma e parë e 2017-ës me gjysmën e parë të 2018-ës.

– Aplikimet për azil në gjysmën e parë të 2018-ës kanë rënë me 32 për qind në krahasim me gjysmën e parë të 2017-ës, nga 12 635 aplikime në 8 525 aplikime.

– Gjithashtu është rritur numri i aplikimeve të pranuara. Në vitin 2017 ky numër është rritur me rreth 5,2 për qind në krahasim me 2,12 për qind në vitin 2016.

– Kjo do të thotë se 93,78 për qind të kërkesave për azil nuk janë pranuar, pra, 24 603 kërkesa për azil nga 26 235 aplikime për azil të paraqitura nga shtetas shqiptarë në zonën Shengen në vitin 2017 nuk janë pranuar.

Siguria publike dhe rendi publik

– Grupet kriminale shqiptare janë zakonisht të përfshirë në një sërë aktivitetesh kriminale në BE. Këto grupe kriminale trafikojnë heroinë në sasi të mëdha duke bashkëpunuar me grupet e organizuara kriminale turke përgjatë rrugës së trafikimit.

– Sipas raporti të Komisionit, Shqipëria pavarësisht progresit të arritur, duhet të ndërmarrë veprime për të luftuar emigracionin e paligjshëm, dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e rezultateve.

Detyrat e lëna nga Komisioni janë:

 – Të forcojë kontrollet kufitare;

 – Të vazhdojë të rganizojë fuhsta informuese mbi të drejtat dhe detyrimet e lëvizjes pa viza;

 – Të përmirësojë më tej efektivitetin e hetimeve dhe të forcojë ligjin për të luftuar krimin e organizuar;

 – Të zbatojë rekomandimet për luftën kundër pastrimti të parave dhe financimit të terrorizmit sipas raportit të agjensisë Moneyval.

Shqiptarët udhëtojnë pa vizë në të gjitha vendet e zonës Shengen—22 vende të BE-së dhe katër vende jo anëtare të BE (Zvicër, Islandë, Lihtenshtein dhe Norvegji) që prej 15 dhjetorit 2010. Shtetasit shqiptarë me pasaportë biometrike mund të qendrojnë në çdo vend Schengen për maksimumi 90 ditë, çdo gjashtë muaj.

Më 27 shkurt 2017, Komisioni Evropian rishikoi mekanizmin e pezullimit të marrëveshjeve për liberalizimin e vizave, duke përfshirë në rishikim dhe Shqipërinë.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme