Bilanci i vetingut për vitin 2018, sa konfirmuan e sa u shkarkuan

Bilanci i vetingut për vitin 2018, sa konfirmuan e sa u shkarkuan Komisioni i Pavarur i Kualifikimit KPK

Viti 2018 ishte viti kur filloi procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të reformës në drejtësi, i njohur ndryshe si veting. Ky proces nisi në muajin mars me magjistratët prioritarë, anëtarë të Gjykatës Kushtetutese dhe kandidatët për institucionet e reja të drejtësisë: Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi 2018.

Në 10 muaj, nga marsi në dhjetor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit hetoi dhe  vendosi për 77 magjistratë.

Prej tyre, 41 magjistratë, 53 për qind, u konfirmuan në detyrë, ndërsa 36 të tjerë u shkarkuan.

Nga 41 magjistratët e konfirmuar, 23 janë meshkuj dhe 18 janë femra.

Nga magjistratët e shkarkuar, vetëm 5 janë gra, ndërsa 31 janë meshkuj.

KPK e zhvilloi seancën e parë të vetingut më 21 mars, me anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, i cili u shkarkua nga detyra për mosjustifikim të pasurisë. Pas Lulos, u shkarkuan nga detyra edhe anëtarët e tjerë të Kushtetues, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari e Bashkim Dedja. E vetmja anëtare e Gjykatës Kushtetuese që kaloi vetingun ishte Vitore Tushaj, të cilës në fakt i ka mbaruar mandati që në vitin 2017.

Gjykata e Lartë u godit gjithashtu nga shkarkime të shumta të gjyqtarëve të saj: nga nëntë anëtarë, vetëm katër kaluan vetingun: Edmond Islamaj, Ardian Dvorani, Medi Bici dhe kryetari i saj Xhezair Zaganjori. Pesë anëtarët e tjerë, Admir Thanza, Tom Ndreca, Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi dhe Artan Broci, u shkarkuan. Dy prej anëtarëve të GJL-së të konfirmuar në detyrë nga KPK, Islamaj dhe Zaganjori rrezikojnë të shkarkohen nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit pasi Komisioneri Publik ka kërkuar rishqyrtim të vendimit të KPK-së për to.

Magjistratët e tjerë të cilët iu nënshtruan vetingut ishin kryesisht kandidatët që kishin aplikuar për anëtarë të KLGJ-së, KLP-së dhe KED-it, institucione të cilat u formuan në dhjetor 2018, si dhe kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka mbetur praktikisht pa asnjë anëtar.

Seanca e fundit e KPK-së për vitin 2018 u zhvillua më 19 dhjetor për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Kosova, i cili u konfirmua në detyrë.

Në vitin 2019, KPK pritet të vazhdojë me procesin e vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, duke nisur nga ata drejtues, për të vazhduar më pas me prokurorët dhe gjyqtarët e të gjitha niveleve.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme