Çështja Tahiri-Habilaj, një dëshmitar pohon blerjen e bizhuterive nga Moisi Habilaj

Prova të reja për përfshirjen e ish-ministrit Tahiri në bandën e vëllezëve Habilaj janë bërë publike sot në Itali, teksa procesi gjyqësor për bandën Habilaj vazhdon.

Media italiane ka publikuar dëshminë e Antonio Rielas, një prej klientëve që furnizohej me marijuanë tek vëllezërit Habilaj.

Gjatë dëshmisë së tij në gjykatë Riela ka treguar se Moisi Habilaj e ka siguruar se ka mbrojtjen e një njeriu të pushtetshëm në Shqipëri:

“Moisi Habilaj më siguroi duke më thënë se ai ishte i mbrojtur si një person i rëndësishëm në Shqipëri, i cili e lejonte atë që të transportonte sasi të mëdha të marjuanës. Ai më tha edhe emrin e këtij personi, por tani nuk më kujtohet.”

Riela ka treguar detaje dhe për një prej çështjeve të përmendura në bisedat e përgjuara nga policia të vëllezërve Habilaj: blerjen e disa bizhuterive të çmuara nga Moisi Habilaj për bashkëshorten e ministrit Tahiri. Riela u shpreh:

“Unë shoqërova Moisin tek një tregtar që qëndron prapa gjykatës së Katania, me një kryq në një derë. Unë nuk hyra, por e di se bizhuteritë do të niseshin për në Shqipëri dhe për këtë u blenë. Ishte dhjetor i vitit 2013.”

Kjo deklaratë ka rëndësi të veçantë pasi në nëntor, ish-ministri Tahiri dhe mediat pranë tij u munduan të krijojnë opinionin se prokuroria italiane ka provuar se Habilajt nuk i kanë blerë vërtetë dhuratat e bizhuterisë për të cilat vëllezërit Habilaj flasin në bisedat e përgjuara nga hetuesit italianë.

Në fakt sipas dokumenteve të bëra publike nga vetë Tahiri, prokuroria e Katanias nuk arriti të vertetojë blerjen e bizhuterive nga Habilajt për Tahirin dhe bashkëshorten e tij, pasi nga intervista e prokurorëve me shitësit ata nuk mbajnë mend shitjen dhe personin të cilit mund t’i jetë shitur.

“Në datë 23.11.2017, me qëllim verifikimin e blerjes së mundshme të bizhuterive nga shqiptarët Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj për Saimir Tahirin, u ftuan në zyrën e prokurorit, zoti Guido Donini dhe djali i tij Alessio Aroldo, respektivisht titullari i dyqanit të bizhuterive, të cilët, deklaruan se nuk u kujtoheshin faktet që janë objekt i hetimit dhe as që ta njihnin Moisi Habilajn. Në lidhje me aktivitetin në fjalë, u procedua për të kontrolluar dokumentacionin kontabël që iu kërkua atyre.

Ekzaminimi i dokumenteve të sipërpërmendur dha rezultate negative, ç’ka do të thotë se nuk ka pasur operacione të hyrjeve në kasë në periudhën me interes për hetimin, lidhur me blerjen e dy byzylykëve nga Moisi Habilaj”.

Ka një shpjegim të thjeshtë për mos gjetjen e gjurmëve të shitjeve: Habilajt kanë qënë të kujdesshëm që të mos lënë gjurmë të blerjeve. Kjo gjë del e qartë nga biseda e përgjuar mes dy personave pas blerjes.

Në dosjen e përgjimeve të prokurorisë italiane shkruhet:

“Moisiu futet në makinë dhe i tregon Sabaudinit se kishte marrë dy byzylukë, njërin për nusen e Saimirit dhe tjetrin për nënën e tij. Sabaudini e pyet nëse kishin kushtuar shumë.”

Moisiu: Goxha

Sabi: 10 000 euro?

Moisi: 20 000 euro

Moisiu tregon se të dy bënin 18 mijë euro, por i kishte marrë për gjysmën e lekëve.

Sabi: I pagove 9 mijë euro me lekë në dorë?

Moisiu: Po.

Sabi: Nuk kishte ndonjë telekamër?

Moisiu: Jo.”

Ky dialog dëshmon se Moisi Habilaj ka qenë shumë i kujdesshëm të mos linte gjurmë të blerjes, e cila ishte bërë me cash dhe për më tepër ai kishte negociuar ulje për gjysëm që do të thotë se bizhutë mund të jenë shitur pa u regjistruar.

Në fakt, ky hetim është i vështirë edhe për faktin se bizhutë në fjalë nuk janë gjetur nga prokuroria.

Sikurse dihet, Kuvendi e vonoi me 10 ditë dhënien e autorizimit prokurorisë për kontrollin e banesës dhe pronave të tjera të Tahirit për kërkimin e provave. Kohë e mjaftueshme kjo për të zhdukur çdo provë të përmendur në përgjime, të cilat Tahiri i kishte në dispozicion që në fillim.