Forca e Sigurisë së Kosovës merr rolin e një ushtrie

Forca e Sigurisë së Kosovës merr rolin e një ushtrie

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot me 106 vota pro dhe asnjë kundër paketën ligjore që i jep Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) rolin e një ushtrie. Në seancën parlamentare për këtë votim kanë marrë pjesë të gjitha forcat politike, përveç Listës Serbe.

Përpjekjet e mëparshme të Kuvendit të Kosovës kishin synuar ndryshimin e Kushtetutës për të bërë të mundur transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, mirëpo këto përpjekje u ndaluan vazhdimisht nga Lista Serbe, vota e së cilës është e domosdoshme për ndryshimin e Kushtetutës. Si rrjedhojë, shumica parlamentare, e mbështetur edhe nga të gjitha partitë e tjera të opozitës, vendosën që transformimi të bëhej përmes ndryshimeve ligjore.

Tre ligjet e miratuara sot janë: Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, e cila zëvendëson Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës; Ligji për FSK-në; Ligji për Shërbimin në FSK.

Edhe pas ndryshimeve ligjore emri i Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk ndryshon, për shkak të kufizimeve kushtetuese, por FSK-ja tashmë merr rolin e një ushtrie të mirëfilltë. Ajo është një forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor; FSK-ja ka për detyrë të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës – ngjashëm me çdo ushtri të shteteve sovrane.

Serbia dhe formacionet politike të serbëve në Kosovë kanë shfaqur alarmin se ndryshimet në FSK kërcënojnë vetë ekzistencën e serbëve në Kosovë.

Këtë nismë tashmë të suksesshme të Kuvendit të Kosovës e ka mbështetur SHBA-ja dhe Gjermania, ndërkohë që BE-ja dhe NATO-ja kanë qenë më të përmbajtur, duke vënë theksin tek rëndësia e ndryshimeve kushtetuese për transformimin e FSK-së në Ushtri.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme