Këshilli i Evropës kritikon përpjekjet e Shqipërisë për luftën kundër pastrimit të parave

Nga Alice Elizabeth Taylor
Këshilli i Evropës kritikon përpjekjet e Shqipërisë për luftën kundër pastrimit të parave

Raporti i Këshillit të Evropës, publikuar pak ditë më parë, i ka kërkuar Shqipërisë që të forcojë përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave.

Raporti “Pastrimi i parave dhe masat e financimit kundër terrorizmit” analizon masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit brenda vendit dhe për të matur efektivitetin e tyre.

KE shkruan se pavarësisht se Shqipëria i ka të qarta rreziqet e këtyrë fenomeneve në ekonominë formale, ajo dështoi të luftojë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit përmes ekonomisë informale, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Raporti vë në dukje se ka një mekanizëm kombëtar koordinues për hartimin e politikave për të adresuar rreziqet që vijnë nga pastrimi i parave, por ato nuk janë vënë në përdorim, ndaj nuk janë “plotësisht efektive”.

Një prej shqetësimeve kryesore sipas KE-së, është rreziku i pastrimit të parave që korrupsioni paraqet:

“Shpesh i lidhur me aktivitetet e krimit të organizuar, korrupsioni gjeneron shuma të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe dëmton seriozisht funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshme për rreziqet nga korrupsioni, por fokusi i zbatimit të ligjit për të targetuar pastrimin e parave lidhur me korrupsionin ka qenë shumë i kufizuar. “

Për më tepër numrin i hetimeve të këtyre rasteve po ulet gjithnjë e më tepër dhe pothuaj gjithnjë, hetimet pezullohen ose ndalohen nga prokuroria.

Lidhur me konfiskimin e të ardhurave nga aktivitetet kriminale, megjithëse Shqipëria ka një kuadër të plotë ligjor, sasia dhe vlera e konfiskimeve nuk përputhet me nivelin e lartë të kriminalitetit në vend. Në praktikë, në Shqipëri përdoret më shumë konfiskimi i aseteve pa dënuar pronarët, ndërsa konfiskimi i aseteve shoqëruar me procedim penal, i cili është i detyrueshëm të zbatohet për të gjithë veprat penale, përdoret rrallë.

Për sa i përket financimit të terrorizmit, Shqipëria nuk ka një qasje sistematike të mirëpërcaktuar, për të të identifikuar dhe hetuar raste të financimit të aktiviteteve apo organizatave terroriste.

Sipas raportit, rreziqet kryesore të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit vijnë nga të ardhurat  e krijuara si pasojë e trafikimit të lëndëve narkotike, krimi në dogana, evazioni fiskal dhe korrupsioni.

Grupet e krimit të organizuar shqiptarë që merren me trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore janë aktivë në shumë vende të Evropës. Të ardhurat e krimeve të tilla qarkullohen dhe investohen pa kontrolle në disa forma në Shqipëri, veçanërisht nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme dhe kompanive fiktive. Këto forma investimi, bashkë me përdorimin e lartë të parave cash dhe tregun e madh të ekonomisë informale janë tregues të pastrimit të  parave.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme