Komisioni i Venecias hap rrugën për vetingun e politikanëve: është legjitim dhe i nevojshëm

Komisioni i Venecias u shpreh sot se, bazuar në lidhjet e tanishme të politikës me krimin, propozimi i Partisë Demokratike për vetingun e politikanëve në Shqipëri është legjitim dhe i nevojshëm.

Kërkesën për shqyrtimin nga Komisioni i Venecias të propozimit të PD-së për vetingun në politikë e kishte paraqitur pak javë më parë Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Në projekt-mendimin e publikuar sot, Komisioni i Venecias thekson se amendamentet kushtetuese dhe ligji për vetingun e politikanëve duhet të përmbushin dy kritere:

(1) të kenë një qëllim të ligjshëm; dhe

(2) të respektojnë parimin e proporcionalitetit.

Pas takimeve informuese gjatë një vizite në Shqipëri, Komisioni i Venecias është shprehur se e konsideron pikën e parë të përmbushur: Lidhjet e politikanëve me krimin janë një qëllim i ligjshëm për të miratuar amendamente kushtetuese për t’i kaluar politikanët në një proces vetingu.

Në raport, Komisioni shprehet se:

Çështja e kontakteve të ngushta të anëtarëve të parlamentit, këshillave bashkiakë ose zyrtarëve qeveritare me krimin e organizuar është një problem në Shqipëri. Siç tregojnë edhe rezultatet e para të procedurës së vetingut të gjyqësorit, lidhja mes  institucioneve shtetërore dhe krimit të organizuar duket të jetë shumë e fortë. Kjo pengon besimin në institucionet e shtetit dhe delegjitimon funksionimin e tyre.

Nëse krimi i organizuar është duke qeverisur institucionet shtetërore, ose të paktën ka ndikim në punën e tyre, parimet e shtetit ligjor nuk mund të zbatohen në praktikë. Në një shtet të qeverisur, ose të ndikuar nga krimi i organizuar, parimet e dinjitetit, barazisë apo ligjshmërisë, janë lënë mënjanë”.

Në lidhje me pikën e dytë — respektimi i proporcionalitetit – Komisioni i Venecias shprehet se, duke qenë se paketa ligjore për vetingun në politikë nuk është hartuar ende, Komisioni nuk mund të japë një mendim në lidhje me të.

Sidoqoftë, Komisioni ka parashtruar kriteret bazë që duhet të zbatohen gjatë hartimit të amendamenteve kushtetuese dhe të kuadrit ligjor për vetingun e politikanëve:

— Subjektet që do t’i nënshtrohen vetingut duhet të qartësohen në detaje;

— Duhet qartësuar konkretisht se çfarë përbën “kontakt me krimin e organizuar”;

— Duhet qartësuar se kush konsiderohet “person i përfshirë në krimin e organizuar”;

— Duhet qartësuar ndarje e kontakteve të ligjshme dhe të paligjshme me krimin;

— Duhet qartësuar se si pritet që personi të provojë se s’ka kontakte me krimin;

— Duhet përcaktuar në mënyrë të arsyeshme kohëzgjatja e procesit të vetingut;

— Duhet përcaktuar kohëzgjatja e ndalimit apo kufizimit të veprimtarisë së personit, si rezultat i vetingut;

— Në projektligjin e shqyrtuar nga Komisioni mungon mekanizmi zbatues i rezultateve të vetingut;

— Komisioni nuk është në gjendje të përcaktojë nëse mekanizmi në rastin e procesit të dekriminaklizimit është i përshtatshëm edhe për vetingun në politikë;

— Mekanizimi i verifikimit të magjistratëve nuk mund të përdoret për politikanët.

Në mungesë të një paketë përfundimtare për t’u shqyrtuar, Komisioni i Venecias e sheh të vështirë të japë mendim lidhur me vlerën e shtuar ligjore që do të sillnin ndryshimet e mundshme dhe thekson se duhet të jetë Kuvendi i Shqipërisë që duhet të vendosë për këtë, përmes një procesi me dialog konstruktiv mes palëve politike.

Ky projekt-mendim pritet të miratohet në mbledhjen e datës 14-15 dhjetor 2018 të sesionit plenar të Komisionit të Venecias.

Tani që Komisioni i Venecias ka hapur rrugën për të fillaur procedurat për ndryshimet kushtetuese dhe përgatitjen e kuadrit ligjor për vetingun e politikanëve, mbetet të shihet nëse shumica qeverisëse do ta pranojë vetingun.

Deri më tani, ajo e ka refuzuar krejtësisht idenë e këtij vetingu dhe dërgimi i kërkesës së PD-së për shqyrtim nga Komisioni i Venecias ishte, me gjasa, manovër për ta vonuar ose vrarë këtë nismë ligjore.