Kush po e mbron politikisht drejtoreshën Shehapi, që dhunoi fëmijën 4-vjeçar në kopësht

Nga Rezearta Çaushaj
Kush po e mbron politikisht drejtoreshën Shehapi, që dhunoi fëmijën 4-vjeçar në kopësht Nashi Shehapi duke votuar, Nashi Shehapi me ministren Ogerta Manastirliu

Po bëhet një muaj tashmë që nga momenti kur, bashkë me kolegen Alice Elisabeth Taylor, raportuam mbi një rast ushtrimi dhune ndaj një fëmije 4 vjeç A.H në Kopshtin Nr. 1 nga drejtoresha e këtij institucioni, Nashi Shehapi.
Pëveç kësaj, raportuam se si edhe pas zhvendosjes në Kopshtin nr. 20, mungesa e stafit që ka pllakosur gjithë kopshtet e Tiranës, çoi në një aksident fatkeq me pasojë djegien e po të njëjtit fëmijë.

Prej atëherë të vetmet reagime që kemi patur po i rreshtojmë më poshtë:

1. Bashkia nxorri si deklaratë publike, një letër private, të shkruajtur nga nëna e A.H për drejtoreshën e Kopshtit nr.2, ku ajo shprehej se nuk e mbante përgjegjëse atë apo stafin për aksidentin e djegies së djalit të saj. Kundër etikës gazetareske, artikulli publikoi foton dhe emrin e plotë të fëmijës, viktimë të dhunës.
2. Asnjë masë administrative nuk u mor ndaj Zonjës Shehapi, ndonëse ka një çështje në prokurori.
3. Ermelind Sallaku, person i afërt me Shehapin (bashkëshortja punon në të njëjtin kopësht si edukatore) dhe anëtar i Partisë Socialiste, i kërkoi babait të A.H të mos e ndjek më çështjen në prokurori.
4. Zbuluam se Zonja Shehapi nuk ka konkurruar as formalisht, përmes portalit, për vendin e drejtoreshës dhe nuk ka as kualifikimet e nevojshme. Caktimi i saj është vendim politik. (Kujtojmë se Shehapi është drejtuesja e Degës së PS-së në zonën e quajtur Varri i Bamit).
5. Përmes një vizite në kopësht zbuluam se sa të friksuar janë punonjësit që nuk pranojnë të flasin.
6. Zbuluam “vrimën e miut”, një raft fshesash poshtë shkallëve, ku drejtoresha Shehapi mbyllte A.H dhe fëmijë të tjerë.

Pavarësisht denoncimeve të herëpashershme, Zonja Shehapi vazhdon në pozicionin e saj, e pashqetësuar.

Ne u takuam me prokuroren e çështjes, Zonjën Eriselda Bala, e cila fillimisht refuzoi të priste kolegen britanike Alice Elizabeth Taylor, por u detyrua nga këmbëngulja e kësaj të fundit për të patur shpjegime përse ende pas dy muajsh, prokuroria nuk kishte lëvizur asnjë gisht për hetimin e dhunimit të një fëmije.
Zonja Bala nuk u tregua e gatshme për t’u përgjigjur, madje, në njëfarë pike u shpreh se nuk mund të flasë në gjuhën angleze në një institucion shqiptar.

Pyetjes përse Shehapi vazhdon ende në detyrë, ajo iu përgjigj se ishte i nevojshëm vendimi i gjykatës për pezullimin e drejtoreshës Shehapi, e thënë në një mënyrë që linte pak vend për diskutim, ndonëse nuk u tregua e gatshme të  thellohej mbi këtë pikë.
Por mesa duket prokurorja Bala ose po tenton të japë gjysmë informacioni ose nuk e ka të qartë dallimin midis pezullimit, një vendim që mund të jetë i përkohshëm e parandalues dhe shkarkimit, që do të zbatohej nëse gjykata do ta shpallë të akuzuarën fajtore.
Masa e pezullimit duhet të kërkohet pikërisht nga prokurori i çështjes si masë parandaluse, por ky detaj u “harrua” nga zonja Bala, e cila e ka neglizhuar çështjen e dhunimit të një fëmije duke e lënë çështjen të flejë dy muaj në tavolinën e saj.

Çuditërisht, fill pas vizitës në prokurori, në të njëjtën ditë, nëna e A.H mori një telefonatë nga Oficeri i Policisë Gjyqësore për t’u paraqitur me fëmijën për të dhënë një tjetër deklarim në prani të psikologes, dy muaj pas deklarimeve fillestare.
Theksojmë se deri më tash prokuroria, jo vetëm duhet të sigurohej që personi në pozicion pushteti në Kopshtin nr.1 të qëndronte larg fëmijëve deri në një vendim përfunditar të gjykatës, por ata duhet të kishin pyetur gjithë stafin për incidentin apo dhe fëmijë e prindër.

Një tjetër person i cili duhej të ishte përfshirë automatikisht në hetimin e dhunimit të A.H është psikologia e Kopshtit Nr.1, por ajo nuk është shqëtësuar këto dy muaj dhe kërkesës së vonuar të Prokurorisë për raport nuk ka pranuar t’i përgjigjet.
Lind pyetja se për çfarë paguhet një psikolog me taksat tona, nëse jo të sigurohet për mirëqënien fizike dhe mendore të fëmijëve në kopësht.

Më pas kolegia Taylor ka takuar Zonjën Zhaneta Beqiri, Drejtoreshë e  Qendës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve (QEZHEF), së cilës i kishte kërkuar një deklarim më parë, por ishte injoruar. Përveç hezitimit për të pritur kolegen, Zonja Beqiri nuk pranoi të bënte asnjë prononcim tjetër mbi takimet e saj me drejtoreshën Shehapi apo rrjedhjes së letrës private të nënës së A.H, duke u mjaftuar të thotë se pezullimi i Shehapit nuk binte në kompetencat e saj, pasi ajo ka në ngarkim vetëm mbarëvajtjen e çerdheve.

Ia vlen të theksojmë se pezullimi i një personi që dyshohet që ka ushtruar dhunë, sidomos kur bëhet fjalë për dhunë ndaj një fëmije, është hapi i parë që merr çdo institucion në vendet e zhvilluara, për të parandaluar mundësinë e përsëritjes së dhunës, por edhe për të shprehur detyrimin moral për të trajtuar çdo raportim dhune në mënyrën më serioze. Është gjykata që ka fjalën e fundit dhe sipas rastit, i akuzuari kthehet në punë ose dënohet.

Duke lënë mënjanë detyrimin moral dhe duke iu referuar vetëm rregullores për funksionimin e Qendrës Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve, na rezulton se zonja Beqiri është direkt përgjegjëse për mosmarrjen e masave administrative ndaj drejtoreshës Shehapi, dhe institucioni që ajo drejton supozohet të ketë mekanizma për raportimin e  rasteve të dhunës.

Më specifikisht, QEZHEF ka nën varësi të saj:

– Përgjegjës/Sektori i Zhvillimit dhe Kujdesit Psiko- social, nga kompetencat e të cilit po veçojmë ato të detajuara në nenin 49/6, që shprehet se ai “Kujdeset, ndihmon në përmirësimin e etikës profesionale dhe merr masa të menjëhershme në rastin e abuzimeve dhe neglizhimeve të mundshme ndaj fëmijëve, duke i referuar rastet në organet përkatëse.”
– Punonjësi social i cili, sipas nenit 51/5, “Evidenton fëmijët e abuzuar dhe të neglizhuar dhe i referon sipas rastit në organet përkatëse.”

A nuk jemi të justifikuar ta interpretojmë qëndrimin e drejtoreshës së QEZHEF si një mbrojtje ndaj dhunuesit?
Përse duhet t’i besojnë prindërit e Tiranës Zonjës Beqiri?

Përkundër punës joserioze të Prokurorisë, vetë Nashi Shehapi ka filluar ta marrë situatën në dorë dhe duke shfrytëzuar postin që ende gëzon, ka qarkulluar javën e kaluar një peticion mes prindërve, ku deklarohet me firmë se ajo nuk ka dhunuar kënd.

Për këtë nismë ajo duket të ketë shfrytëzuar rrjetin e saj të njohjeve partiake, duke filluar nga Kryetarja e Bordit të Prindërve, Jorida Sotiri, punonjëse në Ministrinë e Çështjeve Sociale, që ka filluar peticionin në favor të Shehapit duke bërë mbledhje me prindërit. Një pjesë e prindërve janë pritur te dera e kopshtit me peticion në dorë nga drejtoresha vetë, e cila aty për aty u ka kërkuar firmën duke u shprehur  se është e pafajshme.
Abuzimi me pozicionin e saj nuk mbaron këtu sepse Prokuroria ka kërkuar të mbledhë dhe të pyes fëmijët, por Shehapi është udhëzuar nga palë të tjera të mos lejojë ballafaqim me fëmijët dhe nuk ka pranuar. Përkundrazi, për të çimentuar pretendimin e pafajësisë, burimet tona thonë se Shehapi ka çuar në polici një përfaqësi prej 3-4 prindërish (prindërit e fëmijëve A.B, V.RR, G.K, një prind i ri në kopësht dhe roja), fqinj me të cilët ruan raporte të mira, të zgjedhur për të dëshmuar pozitivisht mbi karakterin e saj megjithëse këta fëmijë nuk i ka patur në grupin e vet (që është shpërbërë pikërisht për shkak të sjelles së saj).

Pas mungesës së reagimit të institucioneve përgjegjëse, personat që kanë punuar apo punojnë me Zonjën. Shehapi, si dhe prindër, na kanë kontaktuar për të shprehur shqetësimet e tyre anonimisht.
Nga rrëfimet e mbledhura është arritur të kuptohet se Zonja Shehapi ushtron presion psikologjik dhe ua bën punën të pamundur stafit të kopshtit, duke ushtruar dhunë verbale.

Por zbulimi më i habitshëm ka qënë se e njëjta gjë ndodh edhe me prindërit,fëmijët e të cilëve janë abuzuar qoftë edhe verbalisht, që nuk kanë dashur të prononcohen, por as kanë mohuar akuzat ndaj drejtoreshës.
Meqënëse burimet tona dëshmojnë për një sjellje agresive të Shehapit ndaj grupit që ajo kishte nën patronazh (i cili është shpërndarë që prej denoncimit tonë), dy fëmijë në veçanti, N.B dhe N.Ç, janë terrorizuar vazhdimisht e rregullisht.
Fëmijët kanë treguar në shtëpi, por na thonë që prindrit kanë frikë përballjen për shkak se nuk kanë tjetër alternativë përveç kopshtit shtetëror, por edhe për shkak të politikave diskriminuese që Nashi Shehapi ndjek.

Diskriminimi fillon që nga pranimi selektiv i fëmijëve që shkojnë në kopësht vonë (2-3 fëmijë janë lënë në shi javën e kaluar) përkundër të tjerëve që janë pranuar se e kanë mirë me Shehapin.
Por ky diskriminim shprehet edhe me raste të tjera si, përshembull, me tentativën e dretoreshës për të detyruar një prind ta çonte fëmijën e tij 5 vjeç, J.Ç, në parashkollor, ndërkohë që ka dy familjar të saj,  6 vjeç secili, që ende vazhdojnë aty.

Për të mbyllur këtë kalvar abuzimesh, janë disa burime që na pohojnë se Shehapi nuk qëndron përmbi abuzimet tipike të drejtorucëve, që bëjnë propagandë në mbledhje prindërish, mbledhin lekë për lloj soj justifikimesh dhe arrin aty sa të zëvendësojnë lavatriçen e tyre të prishur me lavatriçen e re të kopshtit.
Të gjitha këto, dhunim fizik, dhunim verbal, dhunim psikologjik, abuzim me postin apo manipulim dhe vjedhje ordinere, kanë ndodhur në Kopshtin nr.1 në Tiranë.

Duke mos patur asnjë reagim, pyetja më e rëndësishme mbetet kush po e mbron Nashi Shehapin?!
Burimet tona pranë situatës dëshmojnë për një rrjet të tërë njerëzish me lidhje partiake që, me apo pa dëshirën e tyre, janë bërë mburojë. Ky rrjet fillon nga vajza e Shehapit, që punon në portalin e bashkëqeverisjes në Kryeministri, deputetja e zonës Klotilda Ferhati, Jonida Spahiu e Ministrisë së Arsimit, me të cilën ka lidhje familjare, Arjola Byzyka, drejtoresha e DAR që ka pranuar emërimin e saj pa konkurrim dhe Zhaneta Beqiri, që do të duhej të merrte masa për dhunimin e fëmijës A.H nëse nuk do ishte shumë më e shqetësuar për imazhin e Bashkisë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme