Laprakë, policia nxjerr me forcë banorët nga shtëpitë

Policia po nxjerr me forcë banorët nga shtëpitë e tyre në zonën e Laprakës për t’i hapur rrugë prishjes së shtëpive nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

“I kërkova tre ditë kohë për të lëvizur gjerat e mia, por s’më lejuan. Nuk ka mundësi, se si shteti vepron kaq dhunshëm,” u shpreh një prej banoreve, shtëpia dy-katëshe e së cilës u shemb, pasi ajo dhe familjarët e saj u nxorrën me forcë nga policia.

Nje prej banoreve qe u nxorr nga shtepia e saj me force nga policia

Përplasja e banorëve me policinë dhe IKMT-të në zonën e Laprakës ka nisur që në orët e para të mëngjesit por orët e fundit, situata është tensionuar pasi policia po përdor forcën për të larguar banorët dhe për t’i hapur rrugë fadromave. Deri tani janë shembur dy shtëpi.

Banorët shprehen se nuk janë lajmëruar sic e parashikon ligji për planin e shembjes së shtëpive të tyre për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Re.

Njëri prej banorëve, Bajram Nela, shpjegoi se ka marrë njoftim për prishjen e shtëpisë së tij vetëm një natë më parë, me anë të një shkrese, ku ndër të tjera shkruhej se zotëria kishte afat 30 ditë për të ankimuar këtë vendim. Brenda pak orëve nga marrja e njoftimit, po dje, zoti Nela ka bërë ankimimin për të kundërshtuar vendimin, por sot fadromat e IKMT-së kanë nisur shembjen e banesave.

Në vendngjarje, në mbështetje të banorëve ndodhen dhe deputetë të opozitës.

Projekti i Unazës së Re ende nuk është bërë publik për qytetarët duke shkaktuar zemërimin dhe protesta tek qindra familje në zonën e Astirit dhe Laprakës, shtëpitë e të cilëve qeveria kërkon t’i shembë.

Në zonën e Astirit, ku qytetarët po protestojnë tashmë prej javësh, janë rreth 317 prona private që qeveria parashikon t’i shembë për t’i hapur rrugë  ndërtimit të Unazës së Re. Ndërkohë që në zonën e Laprakës ende nuk dihet se sa ndërtesa janë.