Letra e një gruaje që u martua me një mobilie

Nga Gentian Gaba
Letra e një gruaje që u martua me një mobilie

Kjo është një histori mbi artin e humbur të të shkruarit një letër. Një histori që nis disa vite më parë në Firenze, në një qoshk të Piazza della Libertà. Aty ku autori i këtyre radhëve gjen në tryezën e një libër-shitësi një libër të përdorur, të botuar në vitin 1968. Kapaku vishnjak, i stolisur me lule të florinjta, ishte mbështjellës i denjë për autorin e Princit, Niccolò di Bernardo dei Machiavelli.

Në brendësi të veprës, të publikuar pesë shekuj më parë, midis faqeve të zverdhura nga kalimi i pesë dekadave nga botimi, bash me aromën tipike të librave të përdorur, gjendej një letër e shkruar me dorë. Një faqe A4, e mbushur në të dyja anët e saj, mbi të cilën derdhet një kaligrafi elegante.

Rreshtat në gjuhën angleze pasurohen nga një fotografi fare e vogël. Një grua me flokë të shkurtra dhe vështrim ngadhënjyes, gati sfidues ndaj aparatit fotografik dhe fleshit që përjetëson atë moment, duke lënë një gjurmë të shndritshme tek xhami i mbrapsëm i një makine të bardhë. Ajo është Yvonne. Autorja e letrës brenda atij libri, që dinamikat e fatit i dhanë trajtën e një dëshmie të  gjetur në një shishe që lundron në detin e kohës, në kërkim të një lexuesi për të rrëfyer një histori të komplikuar si vet natyra kalamendëse e njeriut.

Letra, e cila ndodhet më poshtë, mban datën 13 korrik 1994. Yvonne i drejtohet një mikut të saj në Itali, Roberto. I flet për ekspozitat artistike, për udhëtimet e shumta që ka bërë vitin e fundit; për rehatinë që gjen në Amsterdamin e saj pas një mungese të gjatë, si dhe për rrugëtimin që është duke nisur drejt shtetit ku pritësi i letrës jeton. Yvonne do të shkojë në Romë sepse është një nga tre finalistët e një gare artistike, “Prix de Rome”. Ka dëshirë të shkojë atje me makinën e saj, jo vetëm për shpirtin aventurier që lexohet në çdo rresht të letrës, por edhe sepse ka një kërkesë aspak të zakontë, kërkon që vetura e saj 22-vjeçare të bekohet nga Papa në sheshin e Shën Pjetrit. Dëshiron që Roberti t’i bashkohet asaj në këtë udhëtim, duke i kthyer tendën që ajo dhe Franz ka harruar në shtëpinë e tij, bashkë me çelësat origjinale të makinës së saj. I kërkon ndjesë për telashet në të cilat Franzi kishte futur Robertin një vit më parë, duke shtuar se edhe ajo tashmë nuk kishte më asnjë marrëdhënie me atë.

Dorëshkrimi mbyllet në një mënyrë mjaft kurioze. Bashkë me letrën, Yvonne i nis mikut një libër të botuar enkas për martesën e saj. Një dasmë asfare normale, për të cilën i kishte folur Robertos në Indi, një premtim dashurie midis asaj dhe mobilies Wendel. Send për të cilën Yvonne ka një konsideratë më të madhe sesa ajo që ruan për njerëzit, duke e shprehur në mënyrë mjaft të qartë me këto fjalë: “Unë ende besoj se copëzat e mobilieve janë më të besueshme sesa njerëzit.”

Kundruall këtij qëndrimi, plot habi për përmbajtjen e letrës, nisa të kërkoj autoren e atyre rreshtave. Historia, që deri në atë moment ndërthurte fatet e Yvonne, Roberto dhe Franz në vitin 1994, bëhet pjesëz e një tjetër historie, atë të zbulimit të personazheve të saj në dekikat e fundit të vitit 2018.

Pas shumë përpjekjesh në hapësirën digjitale të internetit (që është edhe rrjeta botërore në të cilën ranë letërkëmbimet e këtij lloji, për të mos u kthyer më), mbërrita tek Yvonne.

Tek blogu i saj, hapësirën “online” të Yvonne Dröge Wendel, artiste përnjëmend; me studio në Amsterdam dhe  me një dimension evropian, të fituar edhe fal martesës me një mobilie në vitin 1992, sikurse shkruante në letër. Një komedinë dekorative e trashëguar nga e ëma. Nga ky send merr edhe mbiemrin Wendel, i cili është emri i fabrikës që ka prodhuar atë.

Një akt ekstravagant dhe lojcak, i lindur ndoshta nga vullneti për të shndërruar veten në një objekt arti; ku shfaqet më së miri marrëdhënia midis njerëzve dhe gjërave, si e ndikojnë ato veprimin tonë, që është edhe fusha e hulumtimit artistik dhe filozofik të Yvonne.

Blogu, i pasur me fotografi, është një ekskursion në  një jetë që tashmë njohim nga kjo letër. Udhëtimet plot ngjyra në Afrikë, momenti i dasmës me komedinën e së ëmës, rruga e gjatë për në Romë; bekimi i makinës, një Renault 16LT, nga një prift në qytetin e përjetshëm; ekspozita me emrin “La Benedizione della Macchina” dhe vendi i dytë i fituar me këtë instalacion në “Prix de Rome”. Një jetë dhe një karrierë që vazhdon edhe sot e kësaj dite, nga po ai qytet nga i cili letra u nis dy dekada e gjysmë më parë.

Sipas ndjeshmërisë së gjithsecilit, kjo letër dhe kjo jetë e zbuluar, ka potencialin për të nemitur e për të ngjallur një nostalgji ndaj gjithë gjërave të shkuara që nuk i rezistuan dot tëhuajsimit në këtë epokë digjitale. Kohë në të cilën teknologjia ndoshta ka tejkaluar aftësitë tona për ta kuptuar atë, madje edhe veten tonë në raport me teknologjinë. Kur kemi humbur aftësinë për të komunikuar në mënyrë cilësore, ndjesinë e të shkruarit një letër apo të priturit me ankth një të tillë; duke iu dorëzuar pa kushte sasisë së “kohës zero”, të postës elektronike, Facebook, Instagram,Twitter e gjithë atyre mjeteve 2.0 që e kthehen letrën e shkruar në një shajni.

Por, nga ana tjetër, jeta e protagonistes së kësaj historie në dy epoka, përpara dhe pas Zuckerbergut, mundëson edhe një apologji ndaj kësaj ere të re, pa mjetet e të cilës rrëfimi i saj do të ishte i pamundur. Do të tregohej gjetja e një letre të çuditshme, pa mbiemra, në të cilën flitet për një dasmë surreale me një mobilie; veçse, në asnjë moment, nuk do të ishte i arritshëm zbulimi i portretit të Yvonne, tashmë të fisnikëruar nga rrudhat, bashkë me gjithë larminë artistike dhe njerëzore.

Sikurse do të ishte i pamundur, hapi i radhës në këtë histori, kontakti me të:

Yvonne, you’ve got mail!

 

Letra e përkthyer

                                                                                                                                        13 – Korrik – 1994

I dashur Roberto!

Uroj të jesh mirë në Itali! Asnjë shenjë në studion tënde?

Siç mund ta dish tashmë, ekspozita që duhet të zhvilloja në Itali nuk u realizua për arsye financiare dhe organizative. Ndoshta do të jetë për një herë tjetër.

Në vend të kësaj shkova në Karaibeve, më pas në Botsvana, Afrikën e Jugut, pastaj në New York, praktikisht  kam qenë duke udhëtuar gjatë gjithë kohës. U lodha aq shumë nga të udhëtuarit saqë po shijoj çdo ditë Amsterdamin.

Kam punuar shumë për përgatitjen e disa ekspozitave dhe këtë vit jam zgjedhur për të marrë pjesë në Prix de Rome, është një çmim tradicional për artistët  dhe unë jam ndër 3 anëtarët e fundit, në shtator një komision do të zgjedhë se cili prej 3 anëtarëve do të fitojë çmimin e parë.

Për këtë arsye dua të ngas makinën time të dashur në Itali, në Romë, dua që Papa ta bekojë atë. (Kam dëgjuar se në ditën e Shën Kristoforit, Papa bekon makinat në Sheshin e Shën Pjetrit, por jam ende duke kërkuar më shumë detaje) deri tani është më shumë një ide e vagullt, por, nëse gjithçka shkon mirë, dua të marr trenin e makinave më 16 Korrik për në Milano (duhet të dish se makina ime është disi e gjymtuar  dhe nuk mund ta ngas shumë larg – është 22 vjeçe!).

Unë vozis me biçikletë shumicën e kohës dhe këtë objekt të bukur e mbaj në studion time! Por, siç e di, për Prix de Rome  do të doja ta merrja në Romë.

Franz ka lënë disa gjëra tek shtëpia jote, tendën time të dashur dhe, më e rëndësishme, çelësat origjinale të makinës sime. Do të ishte shumë mirë nëse mund të kalonim nga shtëpia jote dhe të merrnim gjërat me ne, ndoshta mund të të pëlqente të bashkohesh me ne në udhëtimin drejt Romës!?

Jam ende e shumë e keqardhur që u përfshive në atë punën jo dhe aq të këndshme me Franz-in vitin e shkuar,  shpresoj të mos ishte shumë e keqe për ty.

Edhe unë pata një periudhë shumë të pakëndshme me atë dhe, për pasojë, nuk kemi më asnjë marrëdhënie.

Pra, nëse ia dal të vij në Itali (herën e fundit që e provova makina u prish në Këln) (gjithashtu më duhet të gjej sa më parë një fotograf të mirë + një mekanik) duke ia dalë mbanë me të gjitha këto – atëherë do të më pëlqente të të shihja rreth 19 korrikut!

Bashkë me këtë letër, po të dërgojë edhe një libër, i cili është botuar kohët e fundit. Ka të bëjë me martesën time me mobilien dekorative Wendel, e mban mend? Të kam folur për atë në Indi! Unë ende besoj se copëzat e mobilieve janë më të besueshme sesa njerëzit – E sheh? Ky libër është shtypur me rastin e përvjetorit të dytë të dasmës sonë.

Urimet më të mira për ty dhe shpresoj të kem lajme nga ty një ditë.

Të përshëndes, Yvonne


Botuar më parë tek Politiko.al.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme