Nga Arjan Balla
Media kombëtare i lë në baltë studentët protestues

Protesta e djeshme e studentëve të universiteteve publike të Tiranës e kapi krejtësisht gafile qeverinë. Vetëm dje pasdite përmasa e protestës krijoi ca bezdi dhe tërhoqi vëmendjen e Kryeministrit, i cili e nuhati shpejt shkulmin e pritshëm të vijimit të protestave sot. Siç mund të pritej, mashat mediatike në duart e qeverisë u vunë menjëherë në lëvizje – televizionet kombëtare dhe gazetat më të mëdha ose e injoruan krejtësisht protestën, ose e degdisën në sekuenca dhe cepa faqesh për t’i zbehur efektin në publik.

Ndërsa sot, teksa protestat e studentëve u shtrinë në disa qytetete dhe patën një pjesëmarrje shumë herë më të madhe, u duk se qeveria dhe këto media të mëdha, në babëzi dhe amoralitet, ishin marrë vesh paraprakisht për strategjinë e mosmbulimit mediatik të protestës. Në vend të saj, opinion publik sot u mbyt me propagandën mjerane të vetë Kryeministrit Edi Rama, si dhe përmes njërit prej oligarkëve simbol, Kastratit, teksa nënshkruante marrëveshjen me Korporatën Hyatt, që po pesëyjëzojnë shoqërinë shqiptare përmes hotelerisë pesëyjëshe dhe turizmit elitar.

Bashkëpunimi në këtë farë derexheje i këtyre mediave me qeverinë është ndër veprimet më të paskrupullta në këto afro tre dekada pasdiktaturë, që nuk mund të mos sjellë ndërmend reagimin mediatik të regjimit të Ramiz Alisë ndaj protestave të studentëve. Porsi atëherë, edhe sot pushteti bëri ç’mundi për t’i mbajtur protestat e studentëve larg syrin të njerëzve, në përpjekje për ta mpirë më tej demokracinë, për ta tulatur lëvizjen e tyre gjallëruese, të qenësishme, të vetvetishme, politike, emancipuese, shkundulluese për pushtetin e korruptuar.

Ndotja morale e atyre individëve që drejtojnë këto televizione sot gjendet në kulme të paarritura më parë në kaq vite lirie të supozuar.

Nga ana tjetër, kjo perdja me të cilën qeveria dhe këto media po përpiqen të mbulojnë protestën, tregon frikën e sotme, pas ankthit të djeshëm, nga forca që i jep vërtetësia kësaj proteste. Pushteti sot ndieu dridhje nën këmbë. Frika sot ka ardhur bashkë me strategjinë për t’i larë hesapet me studentët përmes lënies së protestës së tyre në heshtje në sytë e publikut të gjerë.

Pasi qeveria u ka prerë fushëveprimin në vendin e tyre dhe u ka hapur rrugët për të emigruar, tashmë edhe televizionet dhe gazetat medemek kombëtare i kanë lënë në baltë studentët, duke u përpjekur të neutralizojnë që në nisje mundësinë që kjo protestë të jetë shprehje gjenuine e atyre vlerave demokratike drejt të cilave shoqëria shqiptare aspiron dhe prej të cilave pushtetarët politikë druhen.

Epoka e teknologjisë, morali dhe vullneti i njerëzve me të drejta të nëpërkëmbura ia arritën sot, gjithsesi, ta përcjellin zërin e tyre tek publiku përmes transmetimeve të drejtpërdrejta nga mediat alternative online dhe ndonjë televizion lokal.

Lënia në baltë sot e studentëve nga pjesa dërrmuese e mediave në vend tregoi më fort se kurrë shpëlarjen morale dhe mungesën e çdo skrupulli të së ashtuquajturës elitë mediatike në Shqipëri. Hapat e tyre të nesërme, sipas strategjisë së bashkëpunimit me qeverinë, do të jenë hapa të vonuara dhe të pavlera.

Nesër do të jetë vonë.