Një në tre tendera të Bashkisë Tiranë ka probleme konkurrence

Një në tre tendera të Bashkisë Tiranë ka probleme konkurrence

Një në tre tendera që Bashkia Tiranë ka dhënë gjatë vitit 2018, ka probleme konkurrence, veçanërisht në lidhje me mosrespektimin e ligjeve anti-korrupsion.

173 tendera nga 644 tendera që Bashkia Tiranë ka bërë nga janari 2018, janë tendera të zhvilluara vetëm me një kompani ofertuese, ose tendera ku janë skualifikuar për arsye teknike të gjithë ofertuesit, përveç kompanisë fituese.

97 prej tyre, ose 56 për qind, janë tendera ku janë skualifikuar të gjithë operatorët, përveç kompanisë fituese.

Ndërsa 75 prej tyre, ose 43 për qind, janë tendera me mungesë konkurrence, ku ka marrë pjesë vetëm një ofertues.

Sipas Open Data Albania, e cila ka bërë publike këto shifra, këto tendera konsiderohen me risk dhe të ekspozuara ndaj korrupsionit.

Pas Bashkisë Tiranë, e cila renditet e para për numrin e lartë të tenderave problematike, bashkitë e tjera që kanë një numër të lartë të tenderave me probleme janë Durrësi, Elbasani, Vlora e Korça.

Procedurat e prokurimit publik ekzistojnë kryesisht për dy arsye: për të krijuar konkurrencë të ndershme ndërmjet bizneseve të reja dhe atyre të qëndrueshme dhe për të garantuar një treg të lirë në të cilin qeveria të paguajë një çmim të leverdisshëm për shërbimet dhe të mirat që do të përfitojë. Ato duhet të jenë të hapura për një gamë të gjerë biznesesh konkurruese.

Por, me sa duket, një pjesë e mirë e tenderave të bashkive karakterizohen pikërisht nga probleme me konkurrencën.

Këto lloj tenderash dëmtojnë buxhetin e shtetit, ashtu si dhe tregun e lirë. Ato lënë dyshime se kriteret e tenderit janë shkruar për të favorizuar vetëm një kompani të caktuar, duke krijuar mundësi për konflikt interesi dhe korrupsioni.

Lajme te ngjashme