Shoqëria civile kërkon 5% e PBB-së të shpenzohet në arsim

Nga Alice Elizabeth Taylor
Shoqëria civile kërkon 5% e PBB-së të shpenzohet në arsim

Më 12 dhjetor 2018, 24 OJQ në Shqipëri publikuan një deklaratë në mbështetje të protestave që po mbajnë studentët në vend. Pasi shprehën mbështetjen për kërkesat e studentëve, organizatat e shoqërisë civile kërkuan që 5% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PBB) të shpenzohet për arsimin.

Aktualisht Shqipëria shpenzon vetëm 3,3% të PBB-së në arsim, që është një shifër shumë më e vogël krahasuar me standarded rajonale dhe ndërkombëtare. Ky nivel i ulët i investimeve dëmton rëndë të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe sigurimin e arsimit publik falas, cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Në vendet me të ardhura mesatare si Shqipëria, çdo dollar që investohet në arsim sjell 5 dollarë fitime bruto përçdovit. Koalicioni për Arsimin në Shqipëri dhe disa OJQ i kanë kërkuar për vite me radhë Qeverisë shqiptare, Parlamentit dhe partive politike për t’i dhënë arsimit 5% të PBB-së vjetore.

5%  e PBB-së në arsim siguron:

– Arsim falas, gjithëpërfshirës, të barabartë për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë në mbarë vendin.

– Rritjen e investimeve infrastrukturore në shkolla, laboratorë, klasa, palestra dhe librari cilësore.

– Përmirësim të cilësisë së mësimdhënies, që do të paqyrohej në rezultate akademike më të lartë dhe të krahasueshme me vendet e Bashkimit Evropian.

Deklarata e publikuar nga koalicioni vijon më tej:

“Ne shprehim bindjen se e drejta e çdo personi për arsim publik falas, cilësor dhe gjithëpërfshirës është një e drejtë njerëzore bazike, që duhet respektuar. Në këtë kontekst, ne ftojmë Paramentin e Shqipërisë, qeverinë dhe të gjitha institucionet, partitë politike dhe partnerët socialë që të gjithë së bashku të bëjnë maksimumin për të respektuar dhe për të garantuar këtë të drejtë.”

Ndër OJQ-të që kanë nënshkruar këtë deklaratë publike janë Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri, Ambasada PINK në Shqipëri, Down Synrome Albania, World Vision Albania, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Save the Children.

Kjo deklaratë vjen në ditën e 9-të të protestave studentore në Tiranë, dy ditë pasi Kryeministri Edi Rama kërcënoi gjithë protestuesit, si dhe në ditën kur 25 protestues paqësorë u proceduan penalisht nga policia, pasi kishin ushtruar një ndër të drejtat themelore njerëzore: të drejtën për protest.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme