Pabarazia gjinore, burrat shqiptarë 32 për qind më shumë se gratë të përfaqësuar në politikë e ekonomi

Pabarazia gjinore, burrat shqiptarë 32 për qind më shumë se gratë të përfaqësuar në politikë e ekonomi

Burrat shqiptarë janë rreth 32 për qind më shumë se gratë të përfaqësuar në politikë, ekonomi, edukim dhe shëndetësi. Këto të dhëna janë bërë publike nga Forumi Ekonomik Botëror, në raportin e përvitshëm për Indeksin Botëror të Pabarazisë Gjinore që mat hendekun mes grave dhe burrave në fusha të ndryshme. Ky raport, për vitin 2018, e rendit Shqipërinë në vend të 34 në botë, mes 149 vendeve në botë.

Megjithëse krahasuar me një vit më parë, Shqipëria është përmirësuar me katër vende, në tregues të tillë si ekonomia, pjesëmarrja në politikë dhe shëndetësia, hendeku mes burrave dhe grave në Shqipëri është ende shumë i lartë.

Ky raport hartohet çdo vit nga Forumi Ekonomik Botëror, që në vitin 2006 dhe ka për qëllim të ndërtojë ekonomi dhe shoqëri gjithëpërfshirëse me sa më pak pabarazi gjinore, ku ofrohen mundësi për të ardhmen e të gjithëve.

Për Shqipërinë gjetjet kryesore të raportit janë:

– Në shëndetësi, Shqipëria renditet e 134-ta në botë. Në këtë vlerësim përfshihen të dhëna për preferencën e familjeve shqiptare për të lindur meshkuj (shumë shpesh, kur fëmija është femër, prindërit zgjedhin abortin), si dhe jetegjatësia e burrave dhe grave.

– Në pjesëmarrjen dhe fuqizimin politik, që vëzhgon përfshirjen e burrave dhe grave në nivele vendim-marrëse, hendeku mes burrave dhe grave është 77,1 për qind.

– Në pjesëmarrjen në ekonomi dhe mundësi zhvillimi, hendeku mes burrave dhe grave është 41,9 për qind. Për këtë tregues, që mat përfshirjen e burrave dhe grave në sipërmarrje, Shqipëria renditet e 54-ta në botë.

– Në edukim, ku matet pabarazinë gjinore në aksesin në të gjitha nivelet e edukimit, Shqipëria renditet e 91-ta në botë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme