Për Studentët e Shqipërisë

Nga Vincent Van Gerven Oei
Për Studentët e Shqipërisë

Prej tetë ditësh studentët e universiteteve shqiptare nga të gjitha qytetet e vendit po protestojnë në Tiranë kundër politikave arsimore të qeverisë Rama. Ngjarja konkrete që shkaktoi zemërimin e studentëve e më pas protesta ishte miratimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) numër 288, 21 maji 2018, për vendosjen e tarifas shtesë për provimet e mbartura. Por, pavareësisht se dy ditë pas protestave, më 6 dhjetor, Këshilli i Ministrave u teërhoq nga zbatimi i VKM-së, protestat vazhduan dhe, madje, pjesëmarrja në to u rrit ndjeshëm.

Sfondi

Pakënaqësia e studentëve ka filluar prej disa vitesh. Një nga shkaqet kryesore ka qenë reforma arsimore e zbatuar nga qeveria Rama dhe e përfaqësuar nga Ministria e Arsimit, e drejtuar nga Lindita Nikollën.

Reforma i lejoi universitetet private,të lidhura me partitë politike të konkurrojnë për grante qeveritare dhe studentë të shkëlqyer në të njëjtat kushte me universitetet publike. Si rezultat, arsimi publik u bë edhe më i shtrenjtë dhe më pak i aksesueshëm nga studentët. Ndërkohë korrupsioni dhe plagjiatura janë të përhapura në mesin e fakulteteve dhe konviktet nuk ofrojnë as kushtet bazike.

Në nëntor të  2016-tës disa studentë, në shenjë proteste kundër reformës goditën me vezë Kryeministrin Rama. Si kundërpërgjigje, qeveria në shkurt 2017  i paditi studentët për këtë veprim. Dhe në mars 2017 tetë studentët u dënuan me 60 orë shërbim në komunitet nga një gjykatës me lidhje të ngushta me Partinë Socialiste. Gjithashtu, në nëntor 2016 studentja Mirela Ruko derdhi një shishe salcë domate mbi Ministren Nikolla, e pranishme në një aktivitet të Forumit Rinor të Partisë Socialiste. Në të dyja rastet qeveria u mbështet në një ligj të mbetur nga koha e diktaturës komuniste, që i ofronte mbrojtje shtesë zyrtarëve shtetërorë në rast “sulmi”. As Rama dhe as Nikolla nuk u lënduan gjatë incidenteve.

Gjithashtu, në nëntor 2016 policia i pengoi studentët të protestonin përpara Ministrisë së Arsimit kundër faktit se sistemi i ri i pranimit në universitet, i cili favorizonte universitetet private, kishte rezultuar me shumë vonesa dhe shumica e tyre ngelën pa shkolle. Si rezultat, shumë fakultete të universitetit publik mbetën pa studentë dhe studentët pa fakultete, ndërsa universitetet private, shpesh të lidhura me partitë politike, patën një rritje të ndjeshme në numrin e pranimeve — dhe fitimeve.

Në shator 2017, pavarësisht reformave të qeverisë, raporti i akreditimit i kryer nga kompania e akreditimit në Mbretërinë e Bashkuar  “Quality Assurance Agency” (QAA) për Universiteti i Tiranës shkruante se Universiteti i Tiranës kishte përmbushur pjesërisht  standardet e cilësisë të vendosura nga  qeveria. Korrupsioni dhe shpërdorimi vazhdonin të mbeteshin të përhapura, ndërkohë që mungonin investimet e dukshme nga qeveria.

Në tetor 2018, gjatë një takimit të kryeministrit Rama me studentët, profesorët dhe dekanët, ku u fol për politikat në arsimin e lartë, dy studente, që mbanin banderolën “Boll i zhvatët studentët”, akuzuan kryeministrin për rritjen e tarifave të arsimit të lartë. Banderola u gris brenda pak sekondash nga punonjësit e Gardës, të cilët po ashtu nxorrën jashtë me forcë dhe dy studentet.

Dialog apo Dialektikë

Sot,  gati një javë pasi nisën, protestat janë rritur masivisht dhe qeveria është qartësisht në ankth. Ky ankth nuk është aq shumë i lidhur me kërkesat e studentëve, por u shkaktua kryesisht nga fakti se studentët kanë refuzuar çdo dialog, përfaqësim apo negocim. Qendrimi i tyre ka qenë shumë i qartë: plotësoni kërkesat tona dhe ne do të ndeërpresim protestën. Ne nuk kërkojmë dorëheqje, nuk duam të hedhim poshtë qeverinë, thjesht duam që kërkesat tona të përmbushen – asgjë më shumë, asgjë më pak. Me formulimin e qendrimit të tyre në këtë mënyrë, studentët u siguruan se paraqitja e protestës së  tyre si skemë e partive opozitare do të ishte e vështirë – çka qeveria është përpjekur vazhdimisht ta bëjë, me qëllimin për t’i deligjitimuar protestat kundër shkatërrimit të Teatrit Kombëtar dhe kundër shkatërrimit të shtëpive në lagjet e Astirit dhe Laprakës.

Në mënyrë që ti përshkruanin protestat  e studentëve në logjikën e politikës bardh e zi – Qeveria kundër Opozitës – dhe për t’i bërë ato kështu të parrezikshme, politikanët nga të dyja anët  janë përpjekur ta përvetësojnë, ta përçajnë, të infiltrojnë, dhe demonizojnë protestuesit, deri tani pa ndonjë rezultat të dukshëm. Përpjekja e fundit është ftesa për “dialog” nga Kryeministri Edi Rama, drejtpërdrejtë nga Facebook-u, transmetuar përmes kanalit të tij ERTV.

Mënyra se si kanali televiziv Ora News e prezantoi këtë “dialog” të Kryeministrit ishte ndoshta pa dashje, ilustrim i shkëlqyer i betejës ideologjike që po ndodh. Ajo paraqiti videon e Facebook-ut të Ramës pranë protestave të studentëve në një ekran të ndarë, duke ndërthurur zërat, sa tek Kryeministri e sa tek studentët protestues. Rezultati nuk ishte dialogu – Rama vetëm shpalos monologje; edhe këtë herë ai kaloi pothuajse dy orë duke u shfryrë përpara kameras – por një dialektikë mes një morie zërash që shpallinin një të vërtetë të vetme, nga njëra anë, dhe një zëri të vetëm që shpaloste një mori gjestesh retorike të pavlera, nga ana tjetër: përgjërime, kërcënime, anektoda, argumente, justifikime.

Rama këmbënguli më shumë se një herë se dialogu ishte e vetmja mundësi: “hajdeni, pra, të ulemi, të vijë kushdoqoftë”. Por, i dëshpëruar për të gjetur një person të vetëm të gatshëm për t’u marrë me të, Rama bëri bashkëbisedues të tij anëtarët imagjinarë të opozitës, ndërkombëtarët, ish-ministra etj. “Artisti-politikan”, gjithnjë e më paranojak dhe i irrituar, përsolli para vetes gjithë fantazmat e së shkuarës – drejtpërdrejtë në Facebook.

Mungesa e dikujt me të cilin “të bashkëbisedonte” përkeqësohej edhe më nga fakti se kërkesat e studentëve nuk ishin artikuluar në një listë të vetme. Pas letrave të studentëve të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Bujqësor të Kamzës javën e kaluar, gjatë fundjavës së paku dy letra të tjera u botuan në media dhe të gjitha ato u përcollën tek një ose më shumë përfaqësues të qeverisë. Rama pretendon se këto kërkesa ishin kontradiktore dhe konfuze, dhe prandaj ai ka nevojë për një partner për të negociuar. Studentët, nga ana tjetër, gjithmonë i referohen “kërkesave” si një bllok i vetëm, sikur ato të ishin pajtueshme mes tyre dhe të paraqitura në mënyrë fare të qartë.

Prodhimi i së Vërtetës kundrejt Materializmit Demokratik

Kontradikta e dukshme qëndron në faktin se dy aktorët – studentët protestues dhe Kryeministri – kanë marrë qendrime krejtësisht të kundërta.

Nga njëra anë studentët protestues udhëhiqen nga një e vërtetë e vetme: arsimi i barabartë, i hapur dhe i përballueshëm për të gjithë. Pavarësisht letrave të shumëfishta dhe formulimit gjithnjë e më të sofistikuar të kërkesave të tyre, studentët flasin gjithsesi në një zë të vetëm, duke kërkuar të njëjtën gjë – sadoqë kjo e shushat klasën politike dhe median, të mësuara me deformimin e pafund të gjuhës.

Kur pas “dialogut” monolog të Ramës, gazetarja e Ora News-it i pyeti studentët për qëllimin e protestës, kohëzgjatjen e saj, nëse ata do të negocionin me qeverinë etj., njëri prej tyre u përgjigj në të njëjtën hulli: kërkesat i kemi bërë të qarta; ato nuk janë të negociueshme; protestat do t’i vazhdojmë derisa kërkesat të përmbushen. Dëshpërimi i gazetares ishte prekshëm, teksa ajo intervistonte studentë njëri pas tjetrit, me shpresën për të gjetur paqëndruseshmëri në qëndrime, shkarje, dobësi. Nuk gjeti asnjë. Sado të ndryshëm që ishin, studentët folën të gjithë me vendosmëri, siguri dhe qartësi.

Nga ana tjetër shohim Kryeministrin, i udhëhequr nga kurrgjë tjetër veç vullnetit për pushtet. Ai e ka ndryshuar qendrimin e tij mbi çfarëdo teme, aq sa lodhesh t’i numërosh herët. Ai ka folur kaq shumë – fjalimet e tij shpesh zgjasin me orë, shfryrjet e tij në Facebook janë me faqe të tëra – sa edhe për të vetë do të ishte një mrekulli po t’i mbante mend të gjitha qendrimet që ka mbajtur për çfarëdo teme. Ai njeri nuk e njeh të vërtetën. Kurse shfaqja e tij retorike qëllimin e ka tek diçka krejt tjetër: të mbysë kundërshtarin, të magjepsë viktimën, të nënshtrojë bashkëbiseduesin, ta ktheje në një të bindur të mpirë.

Tiradat e fjalimeve ndaj kundërshtarëve ai ia ka lëshuar në dihatje të thella të frymës, çdo kundërshtari të tij, çdo diplomati që ka shkelur në zyrën e tij. Janë të shumtë ata që kanë rënë pre e sofistikimit të tij, teë cilët janë verbuar nga letrat e murit të zyrës së tij, nga vizatimet, nga mermeri që shkëlqen – apo edhe simotrat gjuhësore të këtyre. Në dëshprim e sipër Rama ftoi edhe studentët që “të pushtonin” zyrën e atij vetë, me shpresën se ngrohja qëndrore e Qendrës për Hapje dhe Dialog do t’ua prishte mendjen studentëve që protestonin në të ftohtë.

Rama nuk e njeh të vërtetën – për të kanë rëndësi gjuhët dhe trupat, si dhe dëshira për t’i përdorur këto. Në këtë pikë ai është një përfaqësues i përkryer i asaj që filozofi francez Alain Badiou e ka quajtur “materializëm demokratik”. Në materializmin demokratik e vërteta është e pakapshme. Prandaj edhe, sipas materializmit demokratik, qëndrimi thelbeësor i protestës së studentëve është i pakuptueshëm.

Kur protestuesit thonë se protesta e tyre është “jopolitike”, kur ata e denoncojnë “politizimin” e protestës nga opozita dhe nga qeveria, dhe zbojnë qeverinë dhe largojnë përfaqësues të partive politike nga megafoni, ata nuk e bëjnë këtë sepse protesta në një kuptim të ngushtë nuk ka të bëjë me politiken. Përkundrazi. Ajo që ata nënkuptojnë me “politike” është pikërisht politika specifike e materializmit demokratik – vallja e pafund retorike, ku fjalët  “kompromis” dhe “korrupsion” janë bërë parrulla. Nëse protestat e studentëve bëhen politike, ato janë politike, duke marrë në konsideratë kontekstin e tyre —  një forme krejtësisht e re e politikës: një politikë e bazuar në parime dhe në të vërteta.

Të vërtetat janë të brishta, edhe pse janë të forta. Protestat e studentëve do të vazhdojnë të jenë të forta nësë thelbi i tyre qëndron i gjallë nga dëshira për të vërtetën për arsim të barabartë, të hapur dhe të peërballueshëm nga të gjithë. Kjo ështe ajo çfarë i mban bashkë të gjithë pjesëmarrësit në to – të rinj e të moshuar, gra e burra, nga Tirana apo nga rrethet. Besimi në ç’është e drejtë – përkundër urisë së zakonshme për pushtet – është ajo që mund ta bëjë këtë protest si asnjë tjetër në këta dhjetëvjeçarë. Vetëm një gjë duhet: të vazhdojmë të besojmë.

Lajme te ngjashme