Nga Megi Ndregjoni
Propaganda e Veliajt me banesat sociale në anashkalim të ligjit Kryebashkiaku Veliaj gjatë vizitës në familjen Pira

Kryebashkiaku Veliaj, të mërkurën vizitoi familjen Pira, një nga familjet e prekura nga zhvillimi i Unazës së Re. Familja Pira u trajtua me banesë sociale pasi banesa e saj do të shembej. Gjatë vizitës në banesën sociale ku strehohet familja Pira, Kryebashkiaku Veliaj u shpreh:

Këtë banesë e keni sa të doni. E doni gjithë jetën, gjithë jetën e keni.”

Por këto janë vetëm deklarata propagandistike të Kryebashkiakut sepse për praktikën e strehimit të kësaj familje dhe për mënyrën se si kjo banesë do të mbahet nga familja, Kryebashkiaku Veliaj nuk ka nxjerrë asnjë akt administrativ. Ky fakt u pohua edhe nga vetë familja Pira në një intervistë. Benjamin Pira, kryefamiljari deklaroi:

“Na lajmëruan në orën 10:00 të darkës se nesër do u prishim shtëpinë dhe ashtu ndodhi. Morëm vetëm rrobat e shtëpisë dhe plaçkat. Pranuam banesën sociale që na dha bashkia. Sa të mendonim që do të përfundonim në rrugë, pranuam.”

Pas fillimit të protestave të banorëve, Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se familjet, banesat e të cilave janë të palegalizuara do t’i sigurohet 3 vite bonus qera nga bashkia. Vetëm pas një artikulli të Exit.al ku u shpjegua procedura ligjore e cila duhet të ndiqej, Kryebashkiaku Veliaj filloi të flasë për banesat sociale dhe kreditë e buta, si metoda alternative të strehimit.

Por, pavarësisht propagandës në media, duke iu bërë thirrje familjeve që të aplikojnë për mënyra alternative strehimi, Veliaj vazhdon të shkelë ligjin dhe të veprojë në mënyrë jo transparente. Kryebashkiaku ende nuk ka miratuar asnjë dokument administrativ mbi mënyrat e trajtimit të familjeve të cilat do të strehohen në banesa sociale, duke i privuar në këtë mënyrë qytetarët nga e drejta e tyre për tu ankimuar në gjykatë kundër vendimit të bashkisë.

Bashkia Tiranë sipas Ligjit Për Strehimin Social 2018 duhet të zbatojë këto procedura:

Së pari, duhet që banorët të informohen me shkrim për zhvendosjen dhe arsyet për të cilat bëhet e detyrueshme zhvendosja. Njoftimi duhet të bëhet 30 ditë para nxjerrjes së aktit të zhvendosjes, akt i cili vetë duhet të lërë të paktën 45 ditë afat deri në ditën e zhvendosjes.

Së dyti, ligji përcakton se banorët kanë të drejtën dhe pushteti lokal është i detyruar t’i informojë për të gjitha mundësitë e strehimit alternativ, pra të mundësive të ndryshme për të siguruar strehim, që iu ofrohen nga pushteti lokal pas zhvendosjes, si dhe të kushteve përkatëse për përfitimin nga çdo alternativë strehimi.

Së treti, pas informimit dhe dhënies së mundësisë qytetarëve për zgjedhjen e strehimit alternativ, Bashkia duhet të nxjerrë një akt administrativ për zhvendosjen e tyre të paktën 45 ditë përpara afatit të zhvendosjes, në të cilin duhet të jetë njoftuar edhe mënyra e strehimit alternativ të miratuar nga bashkia.

Së katërti, qytetarët kanë të drejtë që të ankohen në gjykatë për aktin e Bashkisë.

Ndërkohë, Bashkia duhej të kishte hartuar një listë të familjeve të prekura nga projekti i Unazës së Re, të cilave duhet t’i informojë për alternativat e strehimit, kushtet dhe kriteret.

Problemi tjetër ligjor i krijuar nga deklaratat e Veliajt është çështja e kalimit të pronësisë së banesës. Sipas intervistës së Zonjës Zymbyle Pira, Veliaj u ka premtuar familjes Pira pronësinë mbi banesën.

Në fakt sipas VKM Nr. 343, datë 19.4.2017 duhet që procedura e privatizimit, kalimit të pronësisë së banesës sociale të fillojë me kërkesën e subjektit. Subjekti përfitues i banesës sociale duhet ta blejë atë sipas vlerës së përllogaritur nga Bashkia, sipas procedurave të parashikuara në këtë VKM.

Me praninim nga ana e bashkisë për kërkesën për privatizim të kësaj banese duhet që Bashkia dhe subjekti të lidhin një kontartë shit-blerje. Ajo duhet të përmbajë:

  1. a) palët nënshkruese të kontratës;
  2. b) vlera e tarifës, që i takon të paguajë përfituesi, e llogaritur sipas pikës 11, të këtij vendimi;
  3. c) mënyra e shlyerjes së vlerës së tarifës;
  4. ç) mënyra e arkëtimit të vlerës së tarifës;
  5. d) të drejtat e detyrimet e palëve dhe sanksionet përkatëse

Pra, Veliaj nuk  mund t’i  kalojë në pronësi pa kërkesën e subjektit, pa lidhur një kontratë me familjen dhe pa përcaktuar tarifën që familja do të paguajë apo edhe mënyrën se si do shlyhet detyrimi.

Familja sikurse vetë e deklaron, nuk e ka bërë një kërkesë të tillë, kështu që Kryebashkiaku Veliaj nuk mund të nisë procedurat për kalimin e pronësisë.

Bashkia nuk mund të kalojë në pronësi një banesë vetëm me një deklaratë publike në media të Kryebashkiakut Veliaj . Madje gjatë intervistës edhe vetë familjarët Pira shprehen se nuk e dinë çfarë do të ndodhë me ta.