Qeveria gënjen: kërkesat e studentëve nuk janë plotësuar

Qeveria gënjen: kërkesat e studentëve nuk janë plotësuar

Qeveria Rama mbajti në fund të dhjetorit një mbledhje të veçantë për shqyrtimin dhe përmbushjen e kërkesave të studentëve, në të cilën ajo mori një sërë vendimesh për këtë qëllim. Rezultatet e mbledhjes u përshkruan nga qeveria si zgjidhje përfundimtare e kërkesave të studentëve. Madje për këtë, nga zyra e kryeministrit u shpërnda një dokument sqarues, i titulluar Pakti për Universitetin, i cili shpjegonte sesi vendimet e qeverisë i kishin plotësuar kërkesat e studentëve.

Por, a është i vërtetë ky pohim?

Exit.al ka analizuar vetëm kërkesat kryesore të studentëve, të cilat kanë pasoja të ndjeshme financiare, dhe ka arritur në përfundimin se kërkesat mbeten ende të paplotësuara, pavarësisht vendimeve dhe pretendimeve të qeverisë.

Në fakt, vetë dokumenti i qeverisë ngjall shumë dyshime mbi vërtetësinë e pretendimeve qeveritare, pasi ai nuk nuk përmban asnjë të dhënë financiare, dhe nuk flet për asnjë mjet sesi do të realizohen në praktikë pohimet deklamative të qeverisë.

Më poshtë Exit.al ofron disa shpjegime të thjeshta për të argumentuar përfundimin e saj.

Ulja e tarifave të shkollimit

Kërkesa kryesore e studentëve është ulja e të gjitha tarifave me 50 për qind për çdo nivel studimi.

Për këtë qëllim, qeveria amendoi vendimin e saj  Nr. 288, date 21.5.2018, i cili miratonte kufirin maksimal të tarifës vjetore të shkollimit në çdo degë të shkollave të larta publike. Në amendim qeveria ka përcaktuar se “kufiri maksimal i tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë… paguhet nga studentët në masën 50 për qind të vlerave…”. Pjesa tjetër do të paguhet nga qeveria. Vendimi përcakton se fondet që shkollat e larta publike do të humbasin do t’u “rimbursohen me fonde grant nga buxheti i shtetit për vlerën e tarifës vjetore të reduktuar”.

Por ky përcaktim nuk ka asnjë efekt në praktikë, pasi qeveria nuk ka caktuar nga do të vinë këto para dhe nuk ka marrë asnjë vendim për caktimin e fondeve për këtë qëllim.

Një llogaritje e përafërt tregon se përgjysmimi i tarifës së shkollimit për nivelin bachelor do t’i kushtojë buxhetit të shtetit të paktën rreth 12 milionë euro. Në vitin 2018-2019 janë të regjistruar në universitetet publike rreth 105 mijë studentë, nga të cilët mbi 77 mijë janë në nivelin bachelor. Tarifat vjetore të shkollimit të tyre luhaten nga 20 mijë lekë në 45 mijë lekë në vit, sipas degës së studimit dhe universitetit, me tarifë mesatare pak më shumë se 31 mijë lekë, ose rreth 248 euro në vit.

Kjo do të thotë se kostoja e përgjysmimit të tarifës shkollore është mbi 124 euro për student të nivelit bachelor, ose në total pothuajse 10 milionë euro në vit.

Duke i shtuar edhe koston e një sërë përjashtimeve të plota nga tarifat për studentët e ashtuquajtuar të ekselencës, atyre që vinë nga familje të varfëra, atyre që kanë pamundësi fizike dhe përjashtimeve të tjera, kostoja totale mund të shkojë mbi 12 milionë euro në vit.

Akordimi i një fondi të tillë nga buxheti i shtetit mund të bëhet vetëm duke ndryshuar ligjin e buxhetit për vitin 2019, tashmë të miratuar në Kuvend, ndryshim i cili mund të bëhet me një ligj (amendament) tjetër në Kuvend.

Aktualisht qeveria nuk ka përgatitur ndonjë amendament të buxhetit 2019 për të përmbushur këtë kërkesë. Për aq kohë sa nuk ka një vendim të tillë të Kuvendit, qeveria nuk ka asnjë mundësi praktike të financojë përgjysminin e tarifës së shkollimit.

Rritja e shpenzimeve për arsimin në pesë përqind të PPB-së

Kërkesa e dytë e studentëve është rritja e shpenzimeve të arsimit në nivelin 5 përqind të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB). Qeveria nuk ka marrë dhe nuk ka premtuar të marrë asnjë vendim të tillë. Në pohimet publike dhe dokumentin Pakti për Universitetin, qeveria është shprehur se nuk ka nevojë të rritet buxheti i arsimit në këtë nivel, pasi ajo ka burime të tjera të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha kërkesat e studentëve.

Me këtë qendrim qeveria po anashkalon thelbin e problemit dhe të kërkesës së studentëve. Me ketë kërkesë, studentët nuk po kërkojnë thjesht sigurimin e fondeve për plotësimin e kërkesave të tyre me ndikim financiar, por ata po kërkojnë bërjen e arsimit një prioritet parësor të qeverisjes, çfarë duhet të reflektohet në financimin buxhetor për arsimin. Në thelb, kjo kërkesë do të thotë jo vetëm plotësimin e nevojave urgjente dhe kushteve minimale të shkollimit në institucionet e arsimit të lartë publik, por investime të mëdha për modernizimin e infrastrukturës arsimore dhe përmirësin rrënjësor të cilësisë së arsimit.

Natyrisht, kjo është një kërkesë me ndikim të ndjeshëm financiar. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto (PPB) i vendit për vitin 2019 është parashikuar të jetë rreth 1 740 miliardë lekë. Studentët kërkojnë që pesë përqind e tij, pra rreth 87 miliardë lekë, ose thuajse 700 milionë euro, t’i kushtohen arsimit.

Në buxhetin e miratuar të vitit 2019 janë parashikuar 39 miliardë lekë shpenzime për arsimin, ose rreth 312 milionë euro. Kjo do të thotë se plotësimi i kërkesës së studentëve kërkon më shumë se dyfishimin e buxhetit të arsimit nga qeveria, që duket e vështirë të plotësohet menjëherë, pasi kërkon një ndryshim rrënjësor të prioriteteve të qeverisë, përfshi të shpenzimeve dhe investimeve të saj.

Nuk është objektiv i paarritshëm, pasi qeveria Rama ka parashikuar qindra miliona euro në koncesione të panevojshme dhe me kosto disa herë më të lartë se çmimet e tregut, dhe vetëm përmes ndryshimit të politikave të saj koncesionare do të mund të ndryshonte thellësisht financimin për sektorë të rëndësishëm si arsimi.

Përmirësimi i gjendjes në konvikte

Kjo ka qenë një kërkesë indirekte e studentëve, e cila mori një rëndësi të madhe pas zbulimit të gjendjes së mjeruar të konvikteve gjatë protestës studentore. Qeveria ka premtuar se do ta përmbushë këtë kërkesë deri në fund të mandatit, pra gjatë tre viteve të ardhshme.

Fillimisht qeveria u mundua që të shiste një projekt për përmirësimin e efiçencës së energjisë në godinat e konvikteve të Qytetit Studenti, si një projekt për rindërtimin tërësor të konvikteve. Projekti gjerman i financuar me kredi dhe grant (6,8 milionë euro kredi nga KfW dhe rreth 4,5 milionë euro grant nga qeveria gjermane) parashikon rinovimin e godinave të Qytetit Studenti, me qëllim rritjen e efiçencës së energjisë, dhe përfshin përmirësimin e izolimit termik dhe ndërhyrje të tjera rindërtuese, të cilat mundësojnë një menaxhim më të mirë energjitik.

Përmes këtij projekti pritet përmirësimi i rreth 8 godinave të Qytetit Studenti (1 dhe 2) në Tiranë.

Për dhjetëra godina të tjera në Tiranë dhe qytete të tjera nuk ka asnjë fond dhe asnjë projekt për rindërtimin apo përmirësimin e tyre. Një ndërhyrje e tillë për rindërtimin dhe përmirësimin e kushteteve të tjera në të gjitha konviktet do të kërkonte, në një vlerësim arbitrar, mbi 100 milionë euro. Nuk ka asnjë plan dhe asnjë analizë apo vlerësim të besueshëm të kostos për një investim të tillë. Këto fonde nuk janë parashikuar as në buxhetin e vitit 2019 dhe as në kuadrin trevjeçar buxhetor të qeverisë 2019-2021.

Ajo që është më e rëndësishme është se, pavarësisht premtimit të Kryeministrit Rama se rindërtimi tërësor i konvikteve të shkollave të larta do të bëhet brenda tre viteve të ardhshme, nuk ka ende asnjë projekt dhe asnjë vendim të asnjë lloji për një ndërhyrje të tillë.

Edhe në këtë rast, pohimet e Kryeministrit, sikurse edhe për dy kërkesat e mësipërme, mbeten premtime me fjalë, por të pa mbështetura në vepra.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme