Shorti i KED në shkelje ligjore

Sot Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi zgjodhi me short nentë anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vitin 2019.

KED zgjidhet një herë në vit dhe ka detyrën të vlerësojë përmbushjen e kritereve dhe të rendisë sipas meritës profesionale kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

Anëtarët e KED për vitin 2019 janë:

1. Vitore Tusha — Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese

2. Bashkim Dedja — Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese

3. Ardian Dvorani — Gjyqtar i Gjykatës së Lartë

4. Fatri Islamaj — Gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë

5. Margarita Buhali — Gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë

6. Eriol Roshi — Gjyqtar në Gjykatën Administrative Tiranë

7. Arta Marku — Prokuroria e Përgjithshme

8. Fationa Memçaj — Prokurore pranë Gjykatës së Apelit Tiranë

9. Vend i mbetur bosh — Prokuror pranë gjykatave të apelit

Anëtarë zëvendësues u zgjodhën:

1. Medi Bici — Gjyqtar i Gjykatës së lartë

2. Gurali Braimllari— Gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda

3. Klodiana Veizi Mema – Gjyqatare në Gjykatën Administrative Durrës

Por zgjedhja e anëtarëve të KED-it u bë në shkelje të ligjit. Në zbatim të Kushtetutës, shorti për anëtarët e KED-it duhet të ishte hedhur nga Presidenti Ilir Meta deri më datë 5 dhjetor 2018, por Zoti Meta, ashtu si edhe një vit më parë, vendosi të mos e hedhë shortin, me arsyetimin se sipas tij ka një boshllëk ligjor.

Në letrën që ai i dërgoi Kuvendit në lidhje me gjendjen, Presidenti u shpreh se, ndërkohë që dy anëtarë të KED-it duhet të jenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga vetëm dy anëtarët e mbetur në këtë gjykatë, Vitore Tushës i ka mbaruar mandati, ndërsa Bashkim Dedja është duke iu nënshtruar vetingut në apel, pasi Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik kanë kundërshtuar konfirminin e tij në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në këto kushte, Presidenti është i shprehur i paqartë dhe në nevojë të një interpretimi kushtetues, që nuk mund të bëhet në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.

Pas refuzimit të Presidentit për të hedhur shortin, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka vendosur ta hedhë ai, edhe pse kjo gjë nuk përcaktohet në asnjë ligj. Në përgjigjen e tij pas letrës së Presidentit, Zoti Ruçi u shpreh:

“Letrën e Presidentit për shortin e kam konsultuar me ekspertet ligjore të Kuvendit, EURALIUS-it dhe OPDAT-it. Sot është rendi që të hidhet shorti.”

Një tjetër shkelje në hedhjen e shortit ishte përfshirja në të e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret ligjore për të qenë anëtarë të KED-it. Neni 221 i ligjit 115/2016, Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë parashikon se anëtari i KED duhet të ketë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Por, siç e kemi shpjeguar dhe më parë, asnjë nga tre gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, Edmond Islamaj dhe Medi Bici, nuk e plotësojnë këtë kusht.

Sipas pikës 2, të nenit 221, kandidatët që nuk plotësojnë një nga kushtet [e përcaktuara në ligj] përjashtohen nga shorti”. Kjo do të thotë se Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi duhet të kishte përjashtuar nga shorti gjyqtarët Dvorani, Islamaj dhe Bici.

Shkelja tjetër ishte se kandidatët për anëtarë të KED-it nga gjykatat e apelit dhe ato administrative nuk u publikuan më parë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili ishte i detyruar me ligj ta bënte një gjë të tillë. Kandidatët e gjykatave të apelit dhe administrative u mësuan vetëm në momentin kur u hodh shorti dhe nuk dihet se nga kush dhe në çfarë rrugë i siguroi emrat e tyre Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi,

Presidenti Meta më 19 nëntor bëri publike listat me gjyqtarët dhe prokurorët që plotësonin kushtet për t’u përfshirë në shortin për anëtarë të KED-it, të hartuara nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Në njoftimin e tij mungonte lista e hartuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë‚ me kandidatët e gjykatave të apelit dhe ato administrative. Kjo do të thotë se KLD-ja nuk ka dorëzuar asnjë listë deri më datën 15 nëntor, që ishte afat i përcaktuar nga Kushtetuta për paraqitjen e kandidatëve për anëtarë të KED-it. Pavarësisht kësaj, Ruçi hodhi shortin pa publikuar listën me gjykatësit dhe pa sqaruar nëse këto lista janë dorëzuar brenda afatit kushtetues.