“Shqipja dykrenare” (Doppeladler) është fjala e vitit në Zvicër

“Doppeladler” dhe “gesto dell’aquila”, përkatësisht “Shqipja dykrenare” dhe “gjesti i shqiponjës” në gjermanisht dhe italisht, janë fjalët më të përdorura në Zvicër gjatë vitit 2018, sipas gazetës zviceriane Neue Zürcher Zeitung. Studimi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Zyrihut tregon se asgjë tjetër nuk ka kapluar më fort mendjet e zvicerianëve sesa gjestet e Xhakës, Shaqirit dhe Lichtsteiner-it në ndeshjen Serbi-Zvicër për eliminatoret e Kupës së Botës, ku Xhaka dhe Shaqiri shënuan dy gola në Beograd, duke i dhënë fitoren Zvicrës.

 

 

Profesori Daniel Perrin, i cili drejton studimin e përvitshëm për Fjalën e Vitit në Zvicër, shpjegon se gjesti i shqipes dykrenare ka përftuar kuptim për zvicerianët përtej domethënies që ai ka për shqiptarët, brenda apo jashtë fushës së futbollit.

“Shqipja dykrenare” është përdorur gjerësisht në Zvicër në kontekstin e diskutimeve për emigrantët, nënshtetësinë dhe dyshtetësinë, përjashtimin në shoqëri, besnikërinë ndaj atdheut etj.

Ekipi i kërkuesve të kryesuar nga Profesor Perrini në Fakultetin e Linguistiks së Aplikuar të Universitetit të Shkencave të Aplikura të Zyrihut e zhvillon për çdo vit këtë projekt, që ka nisur në vitin 2003. Në kërkimin shkencor për projektin ekipi përdor si burime për analizën tekstet e e regjistruara në bazën e të dhënave të Korpusit të Linguistikës së Aplikuar pranë këtij univeriteti. Në analizë futen tekstet mediatike, por edhe ato të rrjeteve sociale. Rezultatet e studimeve të tyre nxjerrin në pah fjalët dhe konceptet rreth të cilave vërtitet në masë të madhe jeta dhe komunikimi i qytetarëve zvicerianë.

Duket se, përmes gjesteve të shqipes dykrenare, lojtarët e kombëtares zviceriane kanë dhënë kontributin e tyre jo vetën me rezultatet në fushë, por edhe në zhvillimin e diskureve identitare dhe të politikave përkatëse të mundshme në shoqërinë zviceriane.