Studentët evropianë mbështesin protestën – Delegacioni i BE-së hesht

Studentët evropianë mbështesin protestën – Delegacioni i BE-së hesht Foto nga Ivana Dervishi

Unioni i Studentëve Evropiane (ESU) ka botuar sot një deklaratë në mbështetje të protestës dhe kërkesave të studentëve në Shqipëri.

ESU është një organizatë ombrellë për organizatat studentore në rreth 40 shtete evropiane, që përfshin rreth 20 milionë studentë. ESU është organizata më e rëndësishme në Evropë që përcjell zërin e studentëve tek institucionet e BE-së.

Ndërkohë, në një postim të djeshëm në Facebook, Delegacioni i BE-së në Shqipëri njofton për zhvillimin ditën e sotme të një Debati Maratonë për Kërkimin dhe Zhvillimin në Shqipëri. Studentët sot po protestojnë për të tetën ditë radhazi. Maratona e debatit për kërkimin shkencor të Delegacionit zhvillohet pikërisht në ditën kur protesta e studentëve pritej dhe rezultoi të ishte më e madhja, pas përfundimit të pushimeve të fundjavës. Delegacioni i BE-së në Shqipëri nuk ka bërë asnjë deklaratë për protestën e studentëve apo për kërkesat e tyre përballë qeverisë.

 

Ngurtësia e Delegacionit në mbështetje të qeverisë duket se po vazhdon edhe pas kalimit të stafetës maratonomake nga Romana Vlahutin tek Luigi Soreca. Përkundër shkeljeve të vazhdueshme në procesin e formimit të institucioneve të reja të drejtësisë, Delegacioni e ka mbështetur dhe e ka nxitur hap pas hapi shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve përkatëse të reformës në drejtësi. Delegacioni nuk ka bërë deklaratë as për protestat e qytetarëve kundër prishjes së shtëpive të tyre, as për provat e qarta për korrupsionin e pastër në projektin e Unazës së Madhe, të cilat janë të gjitha tema që prej javësh shqetësojnë opinion publik dhe shoqërinë shqiptare. Delegacioni është përmbajtur edhe nga deklaratat për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Deklarata e ESU-t është edhe një shkundje për ngurtësinë e institucioneve të BE-së dhe përqendrimin e tyre tek stabilitokracia, e cila konkretisht përkthehet në mbështetje të qeverisë. ESU është deklaruar që në vitin 2015 kundër Ligjit për Arsimin e Lartë në Shqipëri.

Në vijim Exit.al sjell deklaratën e plotë të para pak orëve të ESU për protestën e studentëve në Shqipëri.

Unioni i Studentëve Evropianë deklaron se qëndron me studentët shqiptarë

Vendimi Nr. 288 i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë ka krijuar pakënaqësi të madhe mes studentëve shqiptarë, të cilët kanë kaluar në protesta masive. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka përcaktuar dyfishimin e tarifave për provimet e përsëritura. Që nga fillimi i protestave më 5 Dhjetor, studentët janë duke zhvilluar protestat më të mëdha që janë organizuar ndonjëherë që prej protestave të vitit 1990. Ndërsa qeveria ka vendosur të heqë këtë pikë të rritjes së tarifave, studentët po kërkojnë një cilësi më të lartë të sistemit të arsimit të lartë. Kërkesat e studentëve janë si më poshtë:

  1. Ulje të tarifave të studimit.
  2. Rritje të peshës totale të votës së studentëve, nga 10% në 50%, për të zgjedhur kandidatët për dekanë e rektorë.
  3. Dyfishim të buxhetit të arsimit të lartë.
  4. Vënien në punë të një sistemi të Kartave të Studentëve.
  5. Sigurimin e një strehimi cilësor për të gjithë studentët.
  6. Sigurim të fondeve të duhura për kërkim për studentët e studimeve doktorale.
  7. Përfshirje të përfaqësuesve të studentëve në të gjitha organet vendimmarrëse të institucioneve të arsimit të lartë.

Unioni i Studentëve Evropianë qëndron së bashku me studentët shqiptarë dhe, për këtë arsye, mbështet qëllimet e vazhdueshme të protestave studentore paqësore.

Unioni i Studentëve Evropianë është një organizatë ndërkombëtare ombrellë e studentëve, që funksionon pavarësisht bindjeve politike, fesë, origjinës etnike ose kulturore, orientimit seksual ose gjendjes shoqërore. Anëtarët e këtij unioni janë gjithashtu të drejtuar nga studentët, individë të pavarur, përfaqësues të cilët veprojnë sipas parimeve demokratike. Unioni i Studentëve Evropianë vlerëson shumë parimin e përfshirjes dhe përpiqet për solidaritet brenda lëvizjes së studentëve, duke dënuar çdo veprim të dhunshëm.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme