Sulltani thërret pashanë

Nga Arjan Balla
Sulltani thërret pashanë

Një hamendësim i arsyeshëm për vizitën private të Kryeministrit Rama tek Presidenti Erdogan

Fundjavës, ndoshta me shpresën se studentët e shkuar në shtëpitë e tyre në rrethe do t’ia ulnin gjer në shuarje ritmin protestës, Kryeministri Rama bëri një vizitë private në Turqi për të takuar Presidentin Erdogan.

Takimi është paraqitur me dy rreshta në pjesën dërrmuese të mediave turke. Të bën përshtypje mënyra alla-erionveliaj e shpërndarjes së lajmit, pasi në të gjitha mediat lajmi është identik, me gjasa siç e ka shpërndarë zyra e shtypit e Presidentit Erdogan: “Presidenti Erdogan priti Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Pallatin Bejlerbeji, në një takim me dyer të mbyllura, që zgjati 1 orë e 45 minuta.” Kjo paraqitje lajmi mund të përbëjë një ilustrim të asaj se si mund të jetë Shqipëria e nesërme, pas ndryshimeve ligjore të frymëzuara nga Erdogani, që Kryeministri Rama ka hartuar në atë që ai e quan “ligji antishpifje” – paraqitje e thatë dhe e përpiktë lajmit sipas midesë së pushtetit.

Kryeministri Rama nuk ka bërë me dije qytetarët shqiptarë për këtë vizitë dhe, rrjedhimisht, as për qëllimin e saj. Një takim me presidentin e një vendi të fuqishëm në rajon, siç është Turqia, në kushte normale nuk do të kishte kaluar pa u cekur fare nga Kryeministri, apo edhe nga media.

Me keqardhje, nuk na mbetet veç të hamendësojmë mbi arsyet e kësaj vizite, sa jemi ende në kohë, përpara miratimit të ligjit antishpifje, që praktikisht mund të jetë edhe ligj antianalizë, antiopinion, antihamendësim. Në fund të fundit, puna do ta sjellë që të mbetet fjala e shkruesit përballë fjalës së Kryeministrit Rama. Po, me Prokuroren Arta Marku përkohësisht në mes.

Përveç këtij rasti të fundit në fundjavë, Kryeministri Rama nuk ka lënë rast pa shprehur hapur adhurimin e tij për Presidentin Erdogan. Ai e ka bërë këtë gjatë të gjitha vizitave reciproke në Turqi dhe Shqipëri. Në një kuptim, Kryeministri Rama na ka dhënë një shije të rilindur të atyre periudhave në histori kur vasali shqiptar i kohës do të ketë pasur fatin të takohet me sulltanin osman.

Krahasimi nuk është as i ekzagjeruar dhe as orientalist. Marrëdhënia e Kryeministri Rama me ish-Kryeministrin/Presidentin Erdogan është kryekëput apolitike, thellësisht personale, e bazuar në përputhjen e interesave personale të secilit. Kjo meriton një analizë veçmas, por për efekt të këtij shkrimi mund të sillet në vëmendje se asnjë projekt madhor i këtyre dy pushtetarëve nuk ka rezultuar i suksesshëm dhe legjitim sipas standardeve demokratike. Të gjitha projektet bombastike kanë rezultuar vetëm “medemek projekte”: Konsorciumi turk Süzer u tërhoq nga tenderi i fituar në mënyrë të dyshimtë në vitin 2016 për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës; Aeroporti i Vlorës i ka përmbushur të gjitha parametrat virtuale 3D në Facebook-un e Kryeministrit, por puna për të duket se ka ngecur bashkë me negociatat; Lasgushit vetmitar të Air Albania-s nuk ia ka parë kush bojën, pas atyre pak fluturimeve-qoka me medemksistët e parisë gazetaro-intelektualo-qytetare të Shqipërisë. Të gjitha këto projekte të dështuara janë ngjizur në bisedat private dhe personale të KM Rama dhe Presidentit Erdogan. Të gjithë projektet ose kanë dështuar, ose kanë tejkaluar afatet e premtuara dhe, në dukje, janë drejt dështimit. Mund të shtojmë këtu projektin në dukje të suksesshëm të ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë, por që minimalisht ka shkelur rëndë të drejtat e pronarëve të truallit, ka imponuar arkitekturën neo-osmane dhe është lejuar të financohet nga një shtet i huaj, çka është një ndërhyrje direkte në punët fetare të shtetit laik shqiptar.

Çelësi për arsyen e mundshme të vizitës së papublikuar private të Kryeministrit Rama tek Presidenti Erdogan mund të jenë pikërisht hatërmbjetja e presidentit turk, që ka çuar në ngecjen e këtyre projekteve në dështim e sipër: Aeroportit të Vlorës dhe Air Albania-s. Kryeministri Rama e ka falënderuar Presindetin Erdogan personalisht, duke ia dhënë atij meritat për të dy projektet. Ndërkohë duket qartë se projektet kanë ngecur. Gjasat janë që Presidenti Erdogan ta ketë thirrur Kryeministrin Rama në Stamboll pikërisht për këto projekte të ngecura. Thirrja në Stamboll të lë të mendosh se haraçi që do kërkohet për realizimin e projekteve është i atillë, saqë kërkon ushtrimin e presionit të drejtpërdrejtë në sarajet e më të pushtetshmit prej të dyve.

Kërkesa kryesore e përsëritur në çdo rast nga zyrtarët më të lartë turq ka qenë mbyllja, ose kalimi i shkollave turke në Shqipëri tek Fondacioni Maarif, i cili është krijuar vetëm me qëllimin për t’i marrë këto shkolla nga Lëvizja Gylen. Kjo kërkesë është shoqëruar vazhdimisht edhe me kërkesën për ekstradimin e mësuesve dhe drejtuesve të këtyre shkollave në Turqi, ku fati i tyre do të ishte i kobshëm, siç ka qenë i mijëra të tjerëve të arrestuar në Turqi.

Ndërkohë që disa drejtues të shtetit shqiptar e kanë kundërshtuar gjithnjë me deklarata të prera këtë kërkesë, duke u bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, vetë Kryeministri Rama e ka lënë të hapur këtë mundësi, përmes cilësimit të lëvizjes si një “organizatë kriminale”. Kjo ka qenë në linjë me cilësimin zyrtarisht të saj si “lëvizje terroriste” nga Presidenti Erdogan dhe nga shteti turk. Në një intervistë me gazetaren Ilva Tare, Kryeministri Rama ka thënë edhe se anëtarët e lëvizjes mbahen nën vëzhgim në Shqipëri. Madje, ndërkohë që rrëmbimin e gjashtë mësuesve të kësaj lëvizjeje nga Kosova drejt Turqisë e kritikuan thuajse të gjitha vendet evropiane, Kryeministri Rama nuk nxori zë hiç për të. Kështu, brenda mundësive të veta, Kryeministri Rama ka ndjekur Presidentin Erdogan në mënyrën e trajtimit të kësaj lëvizjeje, edhe pse Erdogani nuk ka ofruar prova të qenësishme për lidhjen e saj me terrorizmin.

Gjasat janë të mëdha që takimi i Kryeministri Rama me Presidentin Erdogan të ketë pasur për qëllim presionin më të madh të ushtruar ndonjëherë ndaj Kryeministrit Rama për goditjen joligjore të Lëvizjes Gylen. Pavarësisht rezultatit dhe hapave që mund të ndërmarrë Kryeministri Rama në Shqipëri, qoftë edhe vetëm fakti i kësaj vizite tregon zhvillimin e marrëdhënieve shtetërore mbi baza të lidhjeve personale, që është karakteristikë e autokratëve në të gjithë botën. Nëse mbështetja e Presidentit Erdogan për këto projekte, apo për të tjera në vazhdim, është kushtëzuar në këtë takim me goditjen e Lëvizjes Gylen, kjo do të ishte një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë, të cilën Kryeministri Rama e ka pranuar duke shkuar në takim. Më keq akoma, çdo lëvizje e mundshme e Kryeministrit Rama për të kënaqur këtë kërkesë të herëpashershme të pushtetit në Turqi do të ishte një shkelje e Kushtetutës, konventave të shumta që garantojnë të drejtat e njeriut, si dhe e të gjitha vlerave të demokracisë, që pushteti politik uzurpues vazhdon t’ia mohojë shoqërisë shqiptare.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Komentet:

    Lajme te ngjashme