Bandat shqiptare në Londër sillen si “në tokë të babës”

Bandat shqiptare në Londër sillen si “në tokë të babës”

Në Britaninë e Madhe arrestohen mesatarisht 200 shqiptarë në muaj, të akuzuar për krime të ndryshme, por që në rastet dërrmuese lidhen me shitjen e lëndëve narkotike dhe dhunën si rezultat i saj. Një reportash i gazetës britanike Sunday Express sjell sërish në vëmendje të publikut bandat shqiptare në Angli.

Vitin e shkuar Agjencia Kombëtare kundër Krimit në Britaninë e Madhe ishte shprehur e shqetësuar për krimimet e bandave shqiptare në vend, të cilat ushtronin dhunë për marrjen e territorit për shitjen e kokainës.

Në vitin 2017 në Britaninë e Madhe janë arrestuar të paktën 2.676 shqiptarë për krime të lidhura me drogën, sulme të dhunshme, krime në fushën e seksit, dhe kërcënime me jetë, përdhunime, pastrim parash, rrëmbime personash, sulme ndaj policies etj.

Gjysma e arrestimeve janë bërë në Londër, ku është edhe përhapja më e madhe e shqiptarëve të përfshirë në krime.
Ndërkohë, tetë për qind (8%) e të burgosurve të huaj në Angli janë shqiptarë – gjithsej 716 persona.

Më herët Exit.al ka pasqyruar aktivitetin në mediat sociale të një bande shqiptare në Londër, sipas Daily Mail, që mbante emrin “Hellbanianz” – “Shqiptarët e Ferrit”. Pallatet ku kjo bandë organizonte aktivitetin e saj kriminal po shemben tani nga autoritetet britanike, pas rritjes së madhe të nivelit të krimit në zonë. Qeverisja lokale ka planifikuar ta rigjenerojnë zonën përmes investimesh infrastrukturore.

Banorë të mbetur ende në apartamentet e pallatit ngurrojnë të flasin për median, por një 60-vjeçar shprehet kështu:

“Emrin nuk ta jap, se po flasim për ta [shqiptarët]. Ata sillen sikur ta kishin të tyren këtë zonë. Nuk është se janë vetëm ata problem, xhanëm, se këtu ka edhe shitje droge, sherre me thika, me armë zjarri, ça nuk ka!”.

Një emigrante nga Afrika u shpreh se “unë erdha për siguri këtu, po kam frikë të dal nga shtëpia natën.”

Zona në fjalë përbëhet nga 17 pallate dhe ndërtesa më të vogla. Disa janë shembur dhe shtëpi të reja janë ndërtuar në zonën ku autoritetet kanë investuar mbi 100 milionë euro. Banorët ndihen më të sigurt në xhepat e rindërtuar. Projekti pritet të përfundojë në vitin 2024. Ai do të sjellë mbi 1.500 shtëpi të reja në fazën e parë.

Në Barking, lagjia ku ushtrojnë aktivitetin kriminal Hellbanianz, pavarësisht se komunitetet më të mëdha në numër janë ai britanik dhe afrikan, gjuha shqipe është më e zakonshmja pas anglishtes. Shqipja flitet nga 372 banorë të lagjes.

Autoritetet thonë se shtrirja e Hellbanianz-ëve shkon përtej lagjes Barking dhe përfshin zona të ndryshme në të gjithë Londrën.
Programi për rindërtimin e zonës, si dhe programe të tjera sociale në këtë lagje kanë sjellë vitin e fundit përmirësime në shifrat e krimit, ku është shtuar edhe prania policore.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme