BERZH kritikon qeverinë për PPP-të dhe mungesën e investimeve të huaja

BERZH kritikon qeverinë për PPP-të dhe mungesën e investimeve të huaja Matteo Colangeli, kreu i BERZH në Shqipëri

Pas Bankës Botërore e FMN-së, edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka krituar qeverinë Rama për dhënien e PPP-ve pa kriter dhe dështimin për të tërhequr investime të huaja të reja.

Në një intervistë për Monitor, Matteo Colangeli, kreu i BERZH në Shqipëri, shprehet se duhet të ketë më shumë transparencë, analizë të riskut dhe garë të hapur e të drejtë në rastet kur përzgjidhet Partneriteti Publik-Privat si mënyrë financimi për projekte të ndryshme publike. Edhe më problematike, sipas Colangelit, janë rastet kur qeveria pranon ofertat e pakërkuara nga kompanitë private, të cilat në shumicën e rasteve janë kontrata jofitimprurëse për shtetin:

“Kur PPP-të konsiderohen si mjeti i duhur për financim, kërkesa duhet të përgatitet nga sektori publik dhe t’u ofrohet investitorëve nëpërmjet një procesi tenderimi kompetitiv. Kjo do të siguronte më shumë transparencë dhe do të gjeneronte më shumë të ardhura për qeverinë, sesa përdorimi alternativ i ofertave të pakërkuara, të iniciuara nga vetë  investitorët. Kur PPP-të konsistojnë thjesht në  një detyrim ndaj investitorit privat që do të duhet të shlyhet nga qeveria për disa vite me radhë, atëherë nuk kemi një ndarje të vërtetë të riskut të projektit me investitorin privat.”

Në vend të kontratave PPP, kreu i BERZH rekomandon përdorimin e huave nga institucionet ndërkombëtarë, si mënyrën me koston më të ulët për të projektet publike:

“Huatë nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare, të kombinuara me grante të donatorëve, veçanërisht nën Platformën për Investime të Ballkanit Perëndimor (WBIF),  të mbështetur nga BE, mbeten mënyra me kosto efektive për financimin e infrastrukturës në Shqipëri.”

Lidhur me investimet e huaja direkte, Zoti Colangeli shprehet se tërheqja e investimeve të reja në vitin 2019 është një ndër sfidat kryesore të qeverisë Rama. Tërheqja e investimeve të reja, bëhet edhe më urgjente po të kemi parasysh se dy projektet që zënë pothuaj gjithë pjesën më të madhe të stokut të Investimeve të Huaja Direkte, gazësjellësi TAP dhe hidrocentrali i Devollit janë në përfundim të tyre. Zoti Colangeli u shpreh:

“Padyshim që Shqipëria ka përfituar shumë nga këto dy investime të mëdha [TAP dhe Devolli HidroPower] në sektorin e energjisë, por diversifikimi i ekonomisë dhe hyrja në tregjet globale të prodhimit dhe agrobiznesit janë thelbësore për një rritje ekonomike të qëndrueshme. Sfidat për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte, veçanërisht në prodhim, turizëm dhe agrobiznes do të vazhdojnë të jenë faktorë për gjenerimin e një rritjeje të qëndrueshme, punësimin dhe për zvogëlimin e hendekut të njohurive dhe aftësive në ekonomi.”

Po ashtu, kreu i BERZH shprehet se zbatimi i reformave në drejtësi, në administratë publike dhe zgjidhja e problemit të pronave do të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

Alarmin për nevojën urgjente për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, e kanë ngritur dhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar apo dhe agjensia ndërkombëtare vlerësuese Standard and Poor’s

2 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme