Çfarë dimë deri më tani për vetëdorëzimin e Klement Balilit – Exit shpjegon

Çfarë dimë deri më tani për vetëdorëzimin e Klement Balilit – Exit shpjegon

Policia nuk ka bërë ende të ditura rrethanat dhe hollësitë e vetëdorëzimit të Klement Balilit, në kërkim prej më shumë se dy vjetësh.

Por nisur nga pohimet e deritanishme të Ministrit të Brendshëm Lleshi, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu, Kryetarit të Bashkisë Delvinë Rigels Balili, njëkohësisht nip i Balilit, dhe avokatit mbrojtës Theodhori Sollaku, Exit.al ka përmbledhur më poshtë disa prej fakteve të njohura të ngjarjes.

Negociatat për dorëzim

Për negociatat e vetëdorëzimit të Klement Balilit ka dy deklarata, por asnjëra prej tyre nuk e jep të qartë mënyrën sesi janë bërë negociatat për vetëdorëzimin e Balilit.

Drejtori i Policisë Ardi Veliu deklaroi sot se “jam kontaktuar nga familjarët dhe pas tre muajsh negociata, shkova [ta marr] personalisht me një makinë shoqëruese”. Kjo nënkupton se Veliu është kontaktuar dje nga familjarët e Balilit vetëm për të bërë dorëzimin, por se negociatat prej tre muajsh nuk janë bërë nga vetë drejtori.

Kryebashkiaku i Delvinës Rigels Balili, nipi i Klementit, deklaroi se i ka bërë ai personalisht negociatat, ndërsa në një moment tjetër tha se kanë qenë avokatët e Klementit ata që kanë bërë negociatat:

“[Negociatat kanë filluar] që në momentin që na kanë njoftuar avokatët që është plotësuar dosja dhe është gati për t’u çuar në gjyq.

Kam shkuar unë në zyrën e drejtorit të policisë dhe kam bërë negociatën. Siç na kanë njoftuar, sot kemi bërë të mundur vetëdorëzimin në polici. [Komunikimi me Balilin] është bërë nëpërmjet avokatit dhe avokati ka bërë negocimin me drejtorin e policisë.”

Ndërsa Ministri Lleshi në pohimin e tij ka përfshirë si pjesë të operacionit për vetëdorëzimin e Balilit dhe shërbimin sekret shqiptar dhe partnerë të huaj:

“Policia shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm për dorëzimin e Klement Balilit, pas një procesi operativo-gjurmues në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët e huaj.”

Kushtet e vetëdorëzimit

Sipas Drejtorit të Policisë Ardi Veliu kushtet e Balilit për t’u dorëzuar kanë qenë katër:

“Balili kishte disa kushte: të moskeqtrajtohet dhe të plotësoheshin të drejtat ligjore për plotësimin e kushteve në qeli, të mos ekstradohet në Greqi, si dhe të deklarohej vetëdorëzim.”

Zoti Veliu nuk sqaroi nëse institucionet shqiptare i kanë pranuar apo jo këto kushte, por duke u nisur nga faktii dorëzimit mund të mendohet se ato janë plotësuar.

Për plotësimin e kushteve Ministri i Brendshëm Lleshi u shpreh se “i kemi ofruar Balilit sigurinë e një procesi të drejtë ligjor.”

Dorëzimi

Klement Balili u vetëdorëzua dje, rreth orës 08:45 minuta të mëngjesit, në Finiq të Delvinës, qarku Sarandë. Ai udhëtoi me makinë deri në pikën e takimit, mesa duket të parapërcaktuar, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Në momentin e dorëzimit kanë qenë të pranishëm kryetari i Bashkisë Delvinë Rigels Balili, Drejtori i Policisë së Vlorës Gentian Shehaj dhe tre oficerë gjyqësorë të Krimeve të Rënda, të cilët e kanë shoqëruar Balilin për në Tiranë.

Balili ka udhëtuar për në Tiranë në makinën e Drejtorit Veliu, dhe nuk dihet nëse tre policët gjyqësorë kanë udhëtuar në të njejtën makinë.

Publikisht Drejtori Veliu pohoi:

“Shkova [ta marr] personalisht me një makinë shoqëruese.”

Kryebashkiaku Balili pohoi:

“Nuk pata kohë ta pyesja [Klement Balilin] se ku kishte qëndruar, sepse shumë pak qëndrova, vetëm sa e mora dhe dorëzova tek drejtori i policisë. Ka ardhur drejtori e ka marrë në zonën e Delvinës.”

Avokati i Klement Balilit, Theodhori Sollaku pohoi:

“Është vetëdorëzuar në Sarandë.”

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Komentet:

    Lajme te ngjashme