Deputeti holandez ngre pyetje për shkeljet që qeveria Rama i ka bërë MSA-së Deputeti holandez Pieter Omtzigt

Më 14 janar, deputeti holandez Pieter Omtzigt i ka drejtuar Ministrit të tij të Punëve të Jashtme Stef Blok një sërë pyetjesh në lidhje me shkeljet që qeveria shqiptare i ka bërë Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian.

Pyetjet e deputetit Omtzigt bazohen dhe në disa shkrime të Exit.al ku janë raportuar disa tendera të dyshimta lidhur me aeroportin e Vlorës dhe kompaninë Air Albania, marrëveshje të dyja të bëra me kompani turke, “të ndërmjetësuara” nga Presidenti turk Erdoğan.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian, Genc Pollo, po ashtu, i ka dërguar një letër Komisionit Europian duke adresuar shkelje të mundshme të MSA-së në këto dy projekte. Deputeti Omtzigt i kërkoi Ministrit Blok që përgjigjja e Komisionit Europian të dërgohet në parlament.

Omtzigt gjithashtu i kërkoi Ministrit Blok nëse këto tendera, të cilat u mbajtën pa respektuar procedurat e prokurimit publik, e shkelin MSA-në dhe nëse ai mund të japë qoftë dhe vetëm një shembull të “një projekti të rëndësishëm në Shqipëri”, ku procedura e tenderit janë kryer në përputhje me rregullat e BE-së.

Në shtator, Komisioni Europian kritikoi haptazi qeverinë Rama për “ligjin special” të Teatrit Kombëtar, që i jepte tokën publike të teatrit kompanisë Fusha shpk pa bërë asnjë procedurë të prokurimit publik.

Në letrën e 7 shtatorit, Komisioni Europian shkruante:

“Neni 74, pika 1, [e MSA-së] parashikon se “palët konsiderojnë si një objektiv të dëshirueshëm liberalizimin e kontratave publike në bazë të parimit të mos-diskriminimit dhe reciprocitetit. Në këtë kontekst, ligji special i miratuar, i cili përzgjedh një kompani pa hapur asnjë tender, ngriti shqetësime lidhur me respektimin e parimit të sipërpërmendur të mosdiskriminimit dhe të parimeve të tjera të prokurimit publik të BE-së, si trajtimi i barabartë, diskriminimi dhe konkurrenca.”

Në qershor 2018, Omtzigt ishte pjesë e një misioni deputetësh nga parlamenti holandez që vizitoi Shqipërinë për të mbledhur fakte në lidhje me përparimin e vërtetë të Shqipërisë, por që u përqeshën nga Kryeministri Rama. Normalisht që më pas parlamenti holandez votoi që qeveria holandeze të votonte kundër hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Parlamenti holandez do të votojë sërish këtë vit lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Ministri Blok do të vizitojë sot Tiranën. Meqë nuk ka ende një Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, është e paqartë se me kë do të takohet ministri.