Donika Prela: Nuk jemi në BE që të paguajmë taksa

Donika Prela: Nuk jemi në BE që të paguajmë taksa Donika Prela gjatë seancës së KPK-së

Donika Prela, Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda u përball sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Gjatë seancës dëgjimore, asnjë prej anëtarëve të KPK-së Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari nuk ka ngritur dyshime për pasaktësitë në deklarimet e pasurisë së prokurores dhe bashkëshortit të saj.

I vetmi që ka vënë në dyshim burimet e të ardhurave të zonjës Prela dhe bashkëshortit të saj ishte Theo Jacobs, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Duke iu drejtuar zonjës Prela lidhur me shuma të mëdha parash të padeklaruara ndër vite nga bashkëshorti i saj, Theo Jacobs u shpreh:

“Jam i sigurt që ju keni provuar që të pini ilaçe në mëngjes dhe ato ilaçe të lënë një shije të keqe dhe s’mund ta pish mirë kafen dhe pas drekës shija përmirësohet. Kam lexuar dosjen tuaj dhe ne akoma nuk kemi arritur në kohën e drekës për të shmangur dyshimet, për të larguar shijen e keqe në gojën time.

Pse bashkëshorti juaj e ka marrë pagën në të holla dhe pse ai ka pasur llogari bankare? Mund të duket pyetje pa vend, por nuk janë paguar taksat. Kjo më le shije të keqe. Ju keni dhënë shpjegime, por unë e kam theksin tek taksat. Bashkëshorti juaj ka paguar taksa vetëm për lekët që ka marrë në bankë. Më bëni të kuptoj nëse bashkëshorti juaj është viktimë apo është pjesë e skemës që ka bërë evasion fiskal?”

Përfaqësuesi i ONM-së ngriti dyshime dhe për një hua të marrë nga prokurorja tek një i afërm i bashkëshortit, Skënder Gjergj Prela – pa dokument noterial dhe pa kontratë të shkruar.

“Çështja e dytë është mundësia financiare e kushëririt të bashkëshortit tuaj. Kur lexova përgjigjen  tuaj, dje në mbrëmje, në një moment të caktuar ju thoni që nga viti 1996 ka fituar 10 milionë lekë. Ju lutem më ndihmoni të justifikoj shumën 10 milion lekë për 10 vite”,– u shpreh Jacobs.

Donika Prela nuk i mohoi akuzat e Komisionerit Theo Jacobs. Përkundrazi, ajo iu përgjigj se “unë e bashkëshorti im kemi jetuar në Shqipëri, jo në vendet e BE”.

Me deklaratën e saj, së pari Zonja Prela ka pranuar se në Shqipëri është normale dhe e lejueshme të mos paguash taksa. Dhe së dyti, Zonja Prela tregoi jo vetëm mungesë respekti për ligjin, por edhe paaftësi totale. Zonja Prela si prokurore duhet ta dijë që sipas legjislacionit shqiptarë evazioni fiskal është vepër penale.

Gjithashtu edhe anëtarja e KPK-së, Valbona Sanxhaktari, citoi raportin e ILDKPKI-së, sipas së cilit Donika Prela nuk ka deklaruar huamarrjen në shumën 1 milionë lekë. Problemet e tjera të dala në pah nga analiza e deklaratave të pasurisë sipas KPK-së janë:

 – Vlera e blerjes së një toke arë nga Prela është e dyshimtë, pasi zona është në zhvillim.

 – Bashkëshorti nuk ka paguar kontributet shoqërore dhe taksat për pagat e marra kesh nga punëdhënësi, për vitet 2003-2005.

Vendimi për konfirmimin ose jo në detyrë të Donika Prelës do të merret në ditët në vijim. Një analizë të plotë të problemeve me pasurinë e prokurores Prela mund ta lexoni këtu. Vlen të theksohet se deri më tani, KPK ka shkarkuar magjistratë për pasaktësi apo probleme më të vogla se ato të Zonjës Prela.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Komentet:

    Lajme te ngjashme