Nga Johannes Estrada
FMN nuk njeh statistikat e Qeverisë

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi ​​sot raportin e tij thuajse-vjetor, i njohur si raporti i Artikullit IV, për Shqipërinë. Si zakonisht, dokumenti ofron vlerësimin e Fondit për situatën makroekonomike në vend dhe një listë me rekomandime për politikat ekonomike. Dokumenti është kthyer prej kohësh në një pikë referimi të rëndësishme për diskutimet ekonomike në vend, pasi shihet si një nga raportet e pakta zyrtare që përgatitet larg prej kontrollit të qeverisë. Vlen të theksohet, megjithatë, se ky është një lloj mbivlerësimi nga ana jonë – FMN rrallë, në mos ndonjëherë, kundërshton haptazi vendimet e qeverive, pasi janë ato partneret zyrtare me të cilat ajo bashkëpunon.

Pikërisht, kjo është ajo që bën këtë raport veçanërisht interesant. Midis një serie shqetësimesh të ngritura, FMN ka pranuar, megjithëse në mënyrë të qetë, të marrë një pozicion, të cilën e bën rrallë: ka refuzuar të njoh statistikat e publikuara nga Qeveria lidhur me shifrën e borxhit publik.

Siç kam shkruar disa javë më parë, raporti i KLSH mbi buxhetin e vitit 2017 zbulonte se qeveria, përmes keq-menaxhimit të procesit të prokurimit publik, kishte zgjeruar listën e detyrimeve të prapambetura, detyrimet për rimbursimin e TVSH-së, si dhe kishte marrë angazhime të tjera të papaguara. Të gjitha këto veprime, bënin që borxhi publik aktual të ishte në nivelin 72% të PBB-së, e jo 69% siç pretendonte qeveria. Më shumë se një gabim i thjeshtë kontabël, raporti i KLSH vlerësonte se kjo dukuri ishte shkaktuar nga një sërë shkeljesh ligjore, të cilat kurrë nuk duhet të ndodhnin më në lidhje me menaxhimin e financave publike. FMN, pa e deklaruar në mënyrë eksplicite, ka miratuar vlerën e sugjeruar nga raporti i KLSH.

Në këtë mënyrë, Fondi ka pohuar se Qeveria ka krijuar borxhe të prapambetura prej thuajse 200 milionë eurosh. Fondi gjithashtu ka rikonfirmuar, ashtu siç raportonte KLSH, se reforma e sektorit të energjisë, aq shume e propaganduar, praktikisht ka dështuar dhe qeveria vazhdon të mbështesë nëpërmjet buxhetit, detyrimet e sektorit – një tjetër shkak i paaftësisë së qeverisë për të reduktuar shifrat e borxhit megjithëse ekonomia, të paktën zyrtarisht, ka qenë në rritje.

Diçka tjetër që vlen të përmendet?

Përtej refuzimit të dukshëm të statistikave të borxhit publik të Qeverisë, manipulimi i të cilave teorikisht duhet të hapte hetime për institucionet përkatëse, ka dy çështje të tjera që duhet të përmenden.

Së pari, Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC) nuk është një trillim mediatik, dhe qeveria duket mjaft e vendosur për ta krijuar. FMN-ja pretendon, në faqen 19 të raportit, se institucioni i ri është disi i ngjashëm me një “bankë zhvillimi” dhe se qeveria duhet të jetë e vetëdijshme për rreziqet që lidhen me të tilla organizata në vendet në zhvillim – thënë ndryshe, paratë publike përfundojnë shpesh duke financuar projekte të dështuara.

Megjithatë, AIC nuk është thjesht një bankë zhvillimi. Mund të spekulohet nëse qeveria ka fshehur qëllimin e tij të vërtetë, apo nëse FMN nuk ka qenë në gjendje ta kuptojë objektivin e tij, por institucioni i ri shkon shumë më tepër se kaq. Një bankë zhvillimi përdoret për të financuar projekte në vendet në zhvillim, të cilat shpesh nuk arrijnë të thithin fonde nga sektori bankar formal – kryesisht për shkak të informalitetit të lartë që shoqëron sipërmarrjet e vogla në këto vende. Dobia e bankave të zhvillimit është një temë e vazhdueshme e kërkimit ekonomik; megjithatë, ato zakonisht synojnë të formalizojnë dhe të rrisin sektorët e ekonomisë që kanë mbetur të pazhvilluara.

AIC as nuk pretendon të ketë një objektiv të ngjashëm. Qëllimi i Korporatës është të përdorë pronat dhe asetet publike për të tërhequr “investime strategjike”. Korporata nuk do të funksionojë aspak me sipërmarrjet e vogla, por me ato të mëdha që janë në gjendje të planifikojnë projekte në shkallë të gjerë. Në Shqipëri, për fat të keq, ekzistojnë një numër precedentësh të nismave të tilla ligjore dhe ato janë përdorur vazhdimisht për qëllime aspak të dobishme për publike. Ligji për investimet strategjike, kërkesat e pakërkuara për Partneritetet Publiko-Private, “ligje të veçanta”, si ato për Teatrin Kombëtar ose Aeroportin e Vlorës, kanë qenë të gjitha raste kur interesi publik është nëpërkëmbur.

Megjithëse FMN ka shumë të drejtë të bëjë apel për kujdes të shtuar në lidhje me Korporatën e Investimeve Shqiptare, vlen të theksohet, se ndoshta nuk është plotësisht i vetëdijshëm për të gjitha rreziqet që burojnë nga ky institucion i ri.

Së dyti, dhe ky është bërë tashmë një koment i përsëritur, FMN vazhdon të jetë e shqetësuar lidhur me përdorimin e Partneriteteve Publiko-Private. Edhe një herë, Fondi pretendon se Qeveria nuk ka kapacitetet për të matur dhe menaxhuar rreziqet që dalin nga këto kontrata dhe se përdorimi i tyre i vazhdueshëm është kthyer në një barrë fiskale. Me fjalë më të thjeshta, kjo nënkupton se borxhi ynë publik është në të vërtetë më i lartë edhe se shifra prej 72% nëse këto kontrata do kontabilizoheshin në mënyrë të saktë.

Akoma më tej, FMN paralajmëron se qeveria jo vetëm nuk do ndalojë përdorimin e këtyre kontratave, siç ka propaganduar kohët e fundit, por se po planifikon një valë të re masive në vitin 2019. Sipas vlerësimeve të FMN, planet e reja vetëm për këtë vit janë afërsisht sa 15% e PBB-së, pra thuajse 1.8 miliardë euro! Megjithëse, kjo shifër nuk duhet të konsiderohet e tëra si një borxh i fshehur, pasi kjo mund të përfshijë investime private, të cilat publiku nuk është i detyruar të paguajë, ajo mbetet një shifër tejet e lartë.

Fatkeqësisht duket se edhe njëherë shqetësimet e FMN-së në lidhje me ekonominë shqiptare, do bien në vesh të shurdhët.